Kisha Katolike apel klasës politike: Frenoni largimin e të rinjve! Nëse vendi shpopullohet kujt do t’i ngelen pasuritë

Kisha Katolike apel klasës politike: Frenoni largimin e të rinjve! Nëse vendi shpopullohet kujt do t’i ngelen pasuritë

Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Imzot Angelo Massafra

SHKODËR- Kisha Katolike në Shqipëri iu drejtua me një akt denoncimi klasës politike, por edhe vetë shoqërisë shqiptare. Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Imzot Angelo Massafra, tha nga Shkodra se duhet ngritur zëri në mënyrë që organet kompetente shtetërore të marrin masa dhe t’i vënë fre kësaj fatkeqësie. Për politikën, Massafra ishte i qartë në kërkesën e tij: hartoni plane afatgjata që të ndaloni fenomenin e emigrimit i cili kohët e fundit është kthyer në një rrezik edhe për trafikim të qënieve njerëzore.

Nëse vendi shpopullohet, atëherë kujt do i ngelen pasuritë, ishte çështja që shqetëson Kishën Katolike. Massafra tha se tha se ishin të vetëdijshëm që problemi nuk është vetëm i liderëve të vendit, por dhe i shqiptarëve që duhet të ndërgjegjësohen. Në përkujtim të 32-vjetorit të meshës së parë dhe njëkohësisht në vigjilje të festës së martirëve shqiptar, kisha katolike tha se lutet për të gjithë popullin shqiptar që të besojë në fe dhe atdhe duke mos e braktisur atë.

'Ne Ipeshkvinjtë e Shqipërisë, të mbledhur në Asamblenë e zakonshme të Konferencës Ipeshkvnore, mbajtur në Tiranë më 25-26 tetor 2022, mes argumenteve më me interes që i përkasin Kishës Katolike dhe popullit tonë aq të dashur shqiptar, kemi trajtuar edhe problemin e dhimbshëm të shpopullimit që po i shkaktohet në mënyrë dramatike vendit tonë.

Duke vlerësuar situatën e rëndë në të cilën ndodhemi, kemi vendosur të mos heshtim, duke ngritur zërin tonë në mënyrë që të dëgjohet nga organet kompetente shtetërore dhe nga populli ynë. Kjo bëhet me qëllim që të gjejmë rrugë për t’i vendosur fre këtij fenomeni, i cili, në disa raste, shfaqet edhe në forma të paligjshme, forma pas të cilave fshihen edhe raste tragjike. Pas çdo personi apo familje që përpiqet të emigrojë, ekziston rreziku i trafikimit të qenieve njerëzore nga grupet e ndryshme të strukturuara kriminale dhe përdorimi i tyre për qëllime po kriminale jashtë vendit.

Situata është e qartë në sytë e të gjithëve. Këtë na e konfirmon puna baritore e motrave dhe meshtarëve, si edhe dëgjimi i besimtarëve tanë, të cilët në mënyrë dramatike na rrëfejnë se si familje të tëra preferojnë të emigrojnë prej frikës se nuk mund t’u garantojnë një të ardhme të sigurt fëmijëvë të tyre e se shumë prej tyre kanë humbur shpresën për të jetuar në Shqipëri. Në këtë mënyrë kemi një boshatisje totale të strukturave shkollore në zonat rurale (kjo d.m.th. një të ardhme pa të rinj) dhe mungesën e atyre që mund të quhen profesionet më të çmueshme për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë, siç është personeli shëndetësor, arsimor dhe profesione të ndryshme.

Me anë të këtij AKTI DENONCIMI i drejtohemi mbi të gjitha klasës politike të vendit në mënyrë që ky problem të trajtohet me përparësinë më të madhe. Duke parë një situatë të tillë dramatike, na vjen të pyesim: Vendi i lënë bosh nga shqiptarët që emigrojnë, kujt do t’i mbesë? Kujt jemi duke ia dorëzuar këtë tokë? Cili është projekti për të ardhmen e këtij vendi? E gjithë kjo pasuri që gjendet në këtë tokë, në duart e kujt do të jetë? Nëse jemi demokraci nuk duhet të kemi frikë t’u përgjigjemi me kurajo këtyre pyetjeve të drejta dhe legjitime të qytetarëve tanë.

Është më tepër se evidente nevoja e ndërmarrjes së politikave të drejta dhe koordinimi i të gjithë faktorëve shoqërorë të vendit, për një dialog i cili sjell zgjidhjet e duhura. Nga ana jonë si Kishë Katolike, shprehim gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë dialog si palë ndërmjetëse mes organizmave shtetëror. Po ashtu, jemi të gatshëm që të shpalosim sugjerime e projekte për këtë qëllim.

Në fund jemi të vetëdijshem që përgjegjësitë nuk janë vetem të atyre që udhëheqin vendin, nxisim të gjithë shqiptarët për një shqyrtim të thellë të ndergjegjes për të kuptuar që fatet e vendit tonë varen prej zemrës dhe mendjes së gjithësecilit.

Jemi të gjithë bashkëpërgjëgjës, secili sipas pjesës që i takon, në funksionimin pozitiv ose negativ të jetës sociale të Shqipërisë. Askush nuk mund t’i delegojë të ardhmen e vet një sistemi politik as iluzionit të një jete më të mirë diku tjetër.

Sot, ndërsa përkujtojmë 32 vjetorin e Meshës së parë dhe në Vigjilien e festës së Martirëvë të Shqipërisë, propozojmë shembullin e tyre të dashurisë për atdheun si modelin për t’u ndjekur dhe imituar. Pikërisht dashuria ndaj Zotit dhe atdheut, që ishte vendi ku provania hyjnore i vendosi për të jetuar e vepruar, duke dhënë kontributin e tyre në bashkëpunim me veprën e Krijuesit, i shtyu ata të japin jetën e tyre.

Të gjithë atyre i besojmë ndërmjetësinë pranë Hyjit, bekimin e të cilit e thërrasim për këtë popull që duam me dashuri të sinqertë dhe të pakushtëzuar.'- thuhet në deklaratën e kishës Katolike.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pali: 05/11/2022 14:03

    Pasurite ia kemi lene amanet Partise, shoku prift, dhe vete shokut Rama, qe ti ndaje si te doje, me miq e shoke.

    Përgjigju
  • Timi...: 04/11/2022 18:35

    Ne demokraci njeriu mund te shkoje te punoje dhe te mesoje ku ti interesoje, ne diktature frenohen njerezit

    Përgjigju
  • Dori: 04/11/2022 16:14

    Feja nuk duhet te perzihet ne politike.Prifterinj e hoxhallare jan pasuruar te paret,vetem predikojne dhe qorrat dhe injorantet u shkojn nga pas.Njerezit me shkolle e kulture duhet ta kuptojne qe fete nuk jan gje tjeter vecse parti politike qe pasurohen ne emer te zotit

    Përgjigju
  • Esli: 04/11/2022 15:26

    Pasurite do tja japim kishave ,te behen si derrat prifterinjet haha

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë