Edhe Kisha Katolike rreshtohet përkrah një grup deputetësh që shprehën për Shqiptarja.com votën kundër martesave mes homoseksualëve.  Imzoti i Kishës Katolike, George Frendo u shpreh se komuniteti LGBT po ushtron presion ndaj shoqërisë për legalizimin e martesave gay. Ai thotë se është dakord për mos diskriminimin, por jo për martesën. “Së pari, edhe ne si kishë katolike jemi krejt dakord kundër çdo diskriminimi. S’duhet ta diskriminojmë një person se është homoseksual. Mendoj se po bëjmë një gabim të madh nëse me mosdiskrimin interpretojmë se edhe homoseksualët kanë të drejtë për martesë.

Mosdiskiminim dhe e drejtë për martesë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Martesa në çdo kulturë, në çdo kohë, në çdo besim, është përkufizuar si një bashkim mes burrit dhe gruas gjithmonë. Tani është absurde që tu pëlqejmë një komuniteti të vogël që po mbron martesë mes homoseksualëve, të ndryshojmë përkufizimin e martesës. Këtë, asnjë parlament nuk ka të drejtë ta bëjë, pasi martesa është përkufizuar si bashkim heteroseksual sepse martesa kupton edhe mundësinë që ai çift të ketë fëmijë. Përveç kësaj unë dua të theksoj se ne si të krishterë, jo vetëm katolikët, pikërisht në librin e parë të Shkrimit të Shenjtë, lexojmë se vetë zoti ka dashur që njeriu të jetë burrë dhe grua, duke pasur parasysh martesë. Këtë e besojnë edhe myslimanët.

Në Kuran është e qartë që martesa është një bashkim i dy personave heteroseksualë”,- Imzoti i Kishës Katolike, George Frendo. Ai thotë se në këtë kontekst, është e padrejtë që nuk mendohet për interesin e fëmijës. “Mund të jenë të bashkuar dy burra ose dy gra, por ky bashkim nuk mund të quhet kurrë martesë. Nëse gabimisht themi: kanë të drejtë të mos diskriminohen, dhe rrjedhimisht dhe të martohen, atëherë pse nuk flasim me më shumë forcë për të drejtën e fëmijëve. A nuk kanë të drejtë fëmijët të rriten dhe të edukohen brenda një bashkimi heteroseksual? Të kenë një babë e një nënë? Kjo duket qesharake, thjesht duke parë certifikatat e lindjes në vendet ku është pranuar martesa gay. Prindi 1, prindi 2. Babi 1, babi 2. Mami 1, mami 2.

LGBT po bën shumë presion, dhunë psikologjike, shoqërore,  që një vend të pranojë martesat gay”,- shprehet Imzot George Frendo gjatë një interviste për Tema TV. Sipas tij nuk duhet që për hir të një pakice të cënohet familja. Imzot Frendo shprehet se të gjitha besimet fetare në vend ndajnë të njëjtin qëndrim kundër legalizimit të martesave brenda se njëjtës gjini.
 
 
Teologu/ Dorian Demetaj: Të ruajmë gjënë më të shenjtë, familjen
Teologu Dorian Demetaj, nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë teksa shprehet kundër këtyre martesave brenda të njëjtës gjini, bën apel për mbrojtjen e vlerës më të fortë, familjes.

“Një legalizim i tillë i martesave mes njerëzve të së njëjtës gjini, përbën me të vërtetë një problem të madh. Përbën një goditje të rëndë të asaj që e kemi shumë të vlefshme, shumë të shtrenjtë, shumë të vyer, që është familja. Ajo përbëhet nga disa elementë bazë, që janë babai, nëna dhe fëmijët. Kjo ka qenë kështu që prej krijimit të njeriut të parë. Është histori dhe traditë mijëra vjeçare. Në momentin që ne ndërhyjmë për ta prishur këtë familje me martesa të së njëjtës gjini, përbën një rrezik shumë të madh. Ata fitojnë të drejta, që nuk duhet t’i kenë.

Pse duhen legalizuar këto martesa për të bërë qejfin një grupimi të vogël? Humbja është shumë e madhe. Është goditje shumë e rëndë në familje. Por çfarë fitimi ka? Asnjë. Vetëm një tronditje shumë e rëndë mbi logjikën njerëzore”,- tha Dorian Demetaj.