Kisha ku isha

Kisha ku isha

Erdhën nga an' e anës ustallarët më të mirë për t'a ndërtuar sa më madhështore Kishën. Zbrazën veglat, sharrët, sqeparët, gozhdët, te vëndi që iu duk më i përshtatshëm. Kur erdhën të nesërmen për të nisur punën, veglat nuk i gjetën ku i kishin lënë, por më poshtë, në një vend tjetër në thellësi të luginës. Po kështu edhe të nesërmen edhe të pasnesërmen: I linin veglat këtu, i gjenin atje. Derisa ustallarët kuptuan se ishte Shën Marena Ajo që i çonte veglat natën në vendin ku e donte Kishën.
Shenjtore, ustallarë, vend variabël për Kishë, vegla që lëvizin natën - pështjellim dantesk me ta lujt çaçkën e kokës.
Do arratisem në atë vend të shenjtë, të largët, në atë Kishë që e rreh era, e ngrin dimri, e shkrin behari, e godet rrufeja, e s'tundet me shekuj.
Shenjtoret s'e kan vështirë me u ngjall e me u vdek. Kur të jem te Kisha, do bëj çmos, për një çast, për një grimë, sado pak, sado shpejt, si siluetë, si rivelacion, si të dojë Ajo, Shenjtoren ta shoh.
Nga Quksi nëpër Mokër, një këtu, një atje, asnjëri duke ndenjur kot, secili duke u marrë me diçka, mokrarë që nuk kuptohet nëse janë të urtë ngaqë janë të squtë, janë të squtë sepse janë të urtë, apo janë edhe të urtë edhe të squtë.
Në Proptisht ma mori erzin një mokrar.
Po pyesja dy zotërinj që po pinin kafe për rrugën që të çon te Manastiri i Shën Marenës, kur nga brenda kafenesë foli mokrari:
-Po ç'i pyet kot këta. Ku dinë gjë ata. Celular, Xhipies, Google Maps. Kaq. Gjithmonë ne katundarët do ua mësojmë ju qytetarëve gjërat e thjeshta ?!
Duke u ngjitur drejt Kryeqytetit të Mokrës, Trebinjës, një Zonjë brenda gardhit, frap ja shkuli kokën pulës, dhe fap e hodhi në tenxheren e valuar. U tmerrova. Por ndoshta nuk ka faj Zonja për aktin makabër. Do jetë zakon nga kohët pagane kur thika ende s'ishte shpikur.
Trebinja fantastike sot qënka çehoviane.
Mjeku po hyn në Qëndrën Shëndetësore me një ngathtësi rrënqethëse.
Shoferi i furgonit duket sikur e kanë goditur me çekiç gome prapa kokës.
Mësuesi i hutuar sikur sapo ka ardhur nga gostia e dasmës ku ka ngrënë e ka pirë sa s'ka plasur.
Shoferi i Mitsubishit ka rrëkëllyer nja tre dopio.
Pronari i lokalit ka vajtur në plazh.
Te e vetmja çesëm ku mund të freskohesh ka aq grenxa sa ke frikë të afrohesh. Të iki te Manastiri i Shën Marenës duke më dhembur thumbi i grenxës në qafë, edhe atë kam mangut.
Një çun i vogël të lutet ti japësh një shishe bosh ta mbushi me ujë të ftohtë te një burim që vetëm ai e di ku ndodhet.
Në Pevelan, një mokrar po pi kafe dhe raki në hije, në qoshe të oborrit, pranë një çesme.
-Musliman je ?
-Jo faleminderit. Në Pevelan jemi e vetmja shtëpi e krishterë. Gjyshi erdhi këtu nga Potkozhani ngaqë ra në dashuri me këtë çesëm. Shife sa bukur rrjedh. Si muzikë që s'mbaron kurrë.
Venë e vinë fuoristrada duke ngritur pluhur. Do jenë turista të huaj që vizitojnë Manastirin.
-Jo nuk janë turista, janë vendalinj, tha një lopçar që bashkë me kopenë kaloi andejpari.
-A ka njeri në atë shtëpinë e vetmuar përtej përroit ?
-Po. Është Sali Muça. I ka vdekur gruaja. Ka pesë kalamaj. Të gjithë në kurbet. Rron vetëm. Si heremit. Si Robinson. Si Murg. Ka bërë urë mbi përrua vetëm për veten e vet. Uan person brixh. Natën e kyç Urën me derë me lloza si urat e kështjellave.
Fshati Çesmë e Vogël, ka dy a tri dyqane, shtëpi dhe kopështe të ndrequra, të mbajtura. Por nuk ka shtëpi të reja.
Panorama mahnitëse. Xheheneti s'mund të jetë më i bukur.
Në tokë, male, shkëmbinj, pyje, kullota, pllaja, gryka, gërxhe, kope' bagëtish, këmborë, zilka.
Në qiell kaltërsi dhe re'.
Ta hekurosësh Mokrën, bëhet më e madhe se Turqia.
Te një qafë, tre djelmosha, tre diva, tre dymetrosha, kanë lënë furgonin mënjanë dhe po shullohen në diell. Janë nga një fshat i Korçës. Venë te Manastiri i Shën Marenës. Po presin tu sjellin një dash me brirë të përdredhur që e kanë porositur me celular te ato shtëpitë atje tej, në Hondisht. Dashin do ta therin dhe do ta rjepin në Manastir. Se ç'do bëjnë me lëkurën e dashit pas rjepjes, nuk ma thanë. Ama Priftit, Kishës, Manastirit, pelegrinëve, nuk do u lënë asnjë kafshatë mish. Dashin e therur dhe të rjepur do ta marrin të tërin me vete ta pjekin në hell ta hanë në fshat. Kurbanarë të çuditshëm.
Në një rrafshnaltë, dy liqene shum të bukur, por artificialë.
Pak më tutje, rruga më të majtë zbret për në Llëngë. Rruga drejt, për në Manastir.
Pas pak, te një shesh i vogël, rruga mbaron.
Si në çdo Manastir serioz, edhe këtu nuk mund të shkohet deri në vend me makinë. Teknologjia duhet me mbajt distancë me Shenjtërinë.
Deri në Manastir mban nja 15 minuta më këmbë nëpër një shteg të ngushtë shkëmbor në faqe të malit.
Duke ecur nëpër atë monopat, Manastiri duket-zhduket nëpër shkurre dhe kthesa.
Përposhtë mes shkëmbinjve gjarpëron Shkumbini me shushurimë dhe shkumë.
Më të majtë Llënga e madhërishme si nëpër ëndërra. A është e bukur Llënga ? Nuk e di. S'mund të flas. S'ma mban revolucionarja.
Ja dhe Manastiri.
Mes maleve dhe gërxheve. Mu në mes të kurrkundit.
Në lindje, asgjë, pengon mali.
Në perëndim, gjithçka, Llënga, Shkumbini, kanioni, male, pyje, Bishnica e fundbotshme, Liqenet e Lukovës.
Në oborrin e Kishës nja njëzet a tridhjetë korçarë dhe korçaresha duke ngrënë male me mish e duke pirë raki e birrë si n'Harradoz.
Pelegrinët hedonistë, dëshmitarë të paradoksit se epshi materialistik jargavitet e përpëlitet edhe aty ku nuk ekziston, kanë ardhur në Manastirin e Shën Marenës si Ai në dasëm. Për të qeshur e për tu gajasur. Si ciganët e filmave të Kusturicës. Me lugë  pirun, thikë, letër higjenike, me vete.
Tek zhdëpet me mish, një korçare gjysëm e dehur guxon të më thotë:
Mos bërtit kaq fort !
Kë urdhëron kjo korçarkë ? Kolonjarin që ulurimën e ka ngritur në Art ?
Manastiri pak më të majtë të Kishës, është duke u ndrequr.
Brenda oborrit të Kishës, dhoma ku pelegrinët mund të kalojnë natën.
I sjellshëm, i kujdesshëm, i vëmedshëm, Prifti nga Llënga u përgjigjet pyetjeve dhe interpreton afresket.
Kisha, thotë Prifti, u ndërtua më 1754. Afresket u pikturuan nga Kastandin Shpataraku. Si e tregojnë qartë këto afreske, të pafetë e masakruan Shën Marenën...etj.
Me çallma dy herë sa koka, duket sheshit se torturuesit e Shenjtores janë turq. Por Prifti nuk tundet nga e tija, çallmaxhinjtë nuk i quan "turq", i quan "të pafe".
Si në çdo kishë të shndrruar në repart ushtarak, ushtarët dhe oficerët bestytë ua kanë nxjerrë sytë Shenjtorëve të afreskeve me bajonetë. As këtë Prifti nuk e pranon. Jo, thotë, janë dëmtime nga koha. Nuk kanë pasur atë qëllim. S'ka problem. Priftërinjtë janë diplomatë. Dua t'i them se turqit që torturuan Marenën nuk janë të Erdoganit. Por përmbahem. E lë Priftin në shenjtërinë e vet diplomatike.
Le të pranojë e të mos pranojë çfarë të dojë Prifti i urtë. Gjithçka në atë Kishë e në atë vend dëshmon dhunë, tmerr, llaftari, ikje nga sytë këmbët, Arratisje nga turku vrasës dhe përdhosës.
Fshehja e Shenjtores, si e tregon legjenda, brenda një zgavre tepër të ngushtë në fund të shpellës ku as turqve që e ndoqën këmbakëmbës nuk ua mori mendja se mund të ishte fshehur aq thellë, nuk lë dyshim se fjala është për arratisje, arratisje dhe vetëm arratisje nga turku pushtues.
Çvendosja e veglave të ustallarëve natën sa më thellë në luginë nga Shenjtorja, brenda një strategjie të mirëmenduar prej Saj, e provon qartë arratisjen sa më larg turqve të ishte e mundur.
Për më tepër, Shenjtorja e arratisur nga frika e çallmaxhinjve, për të qënë sa më larg Pogradecit që ndoshta ishte venbanimi i Saj, mund të çalltiste edhe më tutje. Por ka zgjedhur pikërisht mesin e kurrkundit, sepse "më tutje" nga Pogradeci do ndodhej "më afër" nga Gramshi, ku të tjerë çallmaxhinj mezi prisnin ta përdhunonin.
Arrijnë korçarët e kurbanit të rrejshëm. Dy prej tyre e kanë zënë dashin njëri për këmbësh tjetri për brirësh dhe po e tërheqin zvarrë drejt vendit të ekzekutimit të dënimit me vdekje me prerje koke me thikë.
Hedh edhe një herë sytë rrotull. Shenjtorja s'duket gjëkundi. As e gjallë as e vdekur.
Te Kisha ku isha Shenjtoren s'e pashë.
Po të rri edhe pak, do kjaj.
Vajtja te Kisha është arratisje.
Kthimi nga Kisha ku isha është zvarrisje.
Gjarpëroj ngadalë mbi të njëjtë rrugë nga erdha si krokodili që kthehet te pellgu.
Te Çesma e Vogël ku ka ujë mali sa me u fresku krejt Shqipëria, un' i marri freskohem me një kanaçe frigoriferi.
Murgu Sali' nuk pranon vizita. Ka kyçur derën e urës. I ka shpallur të gjithë "Non Grata".
Në Pevelan ka rënë qetësia. Dëgjohet çesma që rrjedh, dhe ca të lehura.
Trebinja si celular i heshtur. Trokit sa të duash. Zëri ka vdekur.
Belanë që më gjeti me një mokrar te Ura e Golikut, do ja kallxoj vorrit.
Mbi një bordurë nënë hije n'danë rrugës, një tip nja tridhjet vjeç. I hajthëm, me quka, kapele kashte, triko leshi pa mëngë si të çobenëve, celular në njërën dorë, purtekë në tjetrën.
-Jam sensitiv. Jam Poet. Jam vullkanik. Kam qënë disa herë te Kisha ku ishe. E dashuroj Shenjtoren perdutamente. Ka flokë të kuq. Vdes t'a ledhatoj, ta prek, ta puth, ta depërtoj. Por s'po di nga t'ja nis. Përfytyrimi i hireve të Saj ma shkallon trurin e kokës. Ti vërsulem atij kurmi më duket sikur e shkatërroj atë Manaster, ja hesht këmbanën, ja shemb muret, ja nxjerr sytë shenjtorëve, ja zhgarravis afresket, ja përdhos Altarin.
Në Xhyrë desh' hodha në Shkumbin një autobuz.
Në Xibrrakë për pak sa smë bëri cop' e çikë një kamion.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turp!: 16/08/2021 21:39

    E mbas gjithe ketyre fakteve dhe historirave me vrasje e masakrime ne mase, me skllaverime e bastisje, me shkaterrime e rrenime e shfrytezime e persekutime e perdhosje e perdhunimeve pa fund te kulturave tona e te traditave e rrenjeve tona, te femrave tona, me genocidin pa fre e te tmerreshem qe bene tyrqit e ndyre e te mallkuar mbi popujt e Ballkanit e ne veçanti kunder Arbereve te Shenjte e Arberise... E ju prap o te marrosur e maskarenj pa fund, rrini me çallmaxhinjte dhe brekushexhinjte. Keni fene e tyre e i ndertoni xhamira e mejtepe e tyrbe ketyre qenefeve qe akoma jane e rrine me ne. Po ju padyshim qe s'jeni pasardhes te Arbeve te Shenjte. Ju jeni pasardhes te ardhacakeve aziatike e lloj, lloj piratesh e horra nga te kater anet e Botes...

    Përgjigju
  • O muter: 16/08/2021 20:55

    Pse nuk i postoni komentet, apo te dhjefsha kete gjoja demokracine e shpifur qe na trumbetoni...

    Përgjigju
  • Scutari: 16/08/2021 09:03

    Je i madh Edison Ypi!!

    Përgjigju
    • Vasililesheli: 16/08/2021 17:24

      Jo ,i madh.... Me i madhi i shkruesve te sotem.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja