Pukë - Një 58-vjeçar nga fshati Kodërbojë ka rënë në prangat e bluve të Pukës pasi kishte kultivuar 105 bimë kanabisi në një pronë publike.
Gjatë kontrolleve në banesën e Tonin Lleshit policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me municion luftarak.
Bimët narkotike u sekuestruan si provë materiale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për disa javë, për goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Gjurmimi”. Si rezultat i këtij operacioni u identifikua dhe u arrestua shtetasi:
-T. Ll., 58 vjeç, banues në fshatin Kodërbojë, Pukë.
Ky shtetas u kap në flagrancë në fshatin Kodërbojë, në një parcelë në tokë publike, ku ishin kultivuar 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e 58-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me municion luftarak”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento