"Unë isha kundër perspektivës së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, sepse kisha frikë se do të shkaktonte pikërisht atë që ne shohim tani," Kështu e nisi fjalën e tij  ish-sekretari amerikan i shtetit, Henry Kissinger.

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, i bëri thirrje sot komunitetit ndërkombëtar që të vazhdojë të mbështesë Ukrainën deri në arritjen e armëpushimit, ndërkohë që ai mbrojti pranimin e vendit në NATO.

Duke folur përmes video-lidhjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, Kissinger tha se më para luftës ka qenë kundër anëtarësimit në NATO, për arsye se konflikti mund të përshkallëzohej. 

"Para kësaj lufte, unë isha kundër perspektivës së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, sepse kisha frikë se do të shkaktonte pikërisht atë që shohim tani."

Megjithatë, me kushtet e sotme, ai theksoi se "neutraliteti" i Ukrainës është i pakuptimtë dhe shtoi se "anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte i përshtatshëm" pasi të zgjidhet konflikti.

Kissinger theksoi gjithashtu se duhet bërë gjithçka e mundur për të parandaluar një konflikt frontal ushtarak midis Perëndimit dhe Rusisë dhe për të ruajtur kanalet e komunikimit me Moskën për t'i dhënë asaj një shans për t'u bashkuar me sistemin ndërkombëtar pasi të arrihet një marrëveshje paqeje.

"Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur rezistencën ukrainase, duhet të vazhdojnë ta mbështesin atë dhe, nëse është e nevojshme, të rrisin ndihmën ushtarake , derisa të arrihet një armëpushim ose (një armëpushim) të bihet dakord për të zhvilluar bisedime paqeje," tha ish-kreu i diplomacisë amerikane.