Flavia Zaka, shqiptarja nga Kanadaja, mund të marrë rolin e Zonjes së Parë të Baden-Württembergut pas zgjedhjes së bashkëshortit të saj, Cem Özdemirit, si kryeministër i ri i shtetit. Ky zhvillim ka tërhequr vëmendjen e mediave gjermane jo vetëm për rezultatet politike, por edhe për origjinën dhe karrierën e Zakës.

Partia e Gjelbër fitoi zgjedhjet shtetërore më 8 mars me 30.2% të votave, duke mundur ngushtë CDU-në, që mori 29.7%. Të Gjelbrit dhe CDU-ja do të kenë nga 56 vende në parlament, çka e bën të mundur formimin e një koalicioni të ri.

Flavia Zaka është avokate, e specializuar në çështjet mjedisore dhe të drejtat e njeriut. Ajo ka lindur në Shqipëri dhe në moshën 12-vjeçare emigroi në Kanada. Karriera e saj përfshin punë për qeverinë dhe organizata joqeveritare, si dhe angazhim në projekte sociale, përfshirë iniciativat kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Çifti u martua në bashkinë e Tübingenit dy javë para zgjedhjeve, një ceremoni e mbajtur sekret për arsye sigurie. Flavia dhe Cem Özdemir jetojnë së bashku në Stuttgart që nga fundi i verës së vitit 2025. Ata u takuan në vitin 2023 gjatë një feste private, ku Flavia ishte e ftuar nga një mik i përbashkët dhe aty “ndizi shkëndija” mes tyre, sipas intervistës së Zakës për gazetën gjermane “Südkurier”.

Në Stuttgart, Flavia Zaka ka gjetur mundësi të zhvillojë interesat e saj kulturore dhe profesionale, duke përfshirë pjesëmarrjen në aktivitete kulturore dhe vlerësimin e letërsisë gjermane. Angazhimi shoqëror nuk i është i huaj; ajo ka punuar si menaxhere projekti kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe ka dhënë mësime vullnetare joge dhe drejtësie për studentët.

Nëse Cem Özdemir formon qeverinë, Flavia Zaka pritet të marrë rolin e Zonjes së Parë të shtetit, duke sjellë përvojën e saj profesionale dhe angazhimin shoqëror në një funksion institucional, dhe duke u bërë një figurë e njohur edhe për publikun shqiptar dhe diasporën.