Kjo është Zyli, një portret që zbërthen
jetën e karrierën e aktores së humorit

Kjo është Zyli, një portret që zbërthen<br />jetën e karrierën e aktores së humorit
Fillesat ne art, rolet e para, familja dhe humori që shoqëron çdo stacion të jetës së aktores dhe karriera me më shumë se 250 premiera...
 
1.
Zyliha Miloti është një aktore me një botë të pasur  shpirtërore, ku në interpretimet e saj rrjedh natyrshëm humori shkodran. Tabani i saj është  Estrada e Varietesë. Galerinë e personazheve që krijoi, veçanërisht në skeçet: “Familja Bush”, “Kunati i shokut Xhemal”, “Konstandini dhe Doruntina”, “Lulashi”, “Fotografia”,”Lokja” etj., mbetet zëmadhe  në skenën e humorit shqiptar. Befasimet  në krijimin e figurave që nuk i ngjajnë njëra - tjetrës, intuita, batutat të mbarsura me një frazeologji të trevës së Shkodrës, bukuria që përherë sfidon  moshën etj., bën që ta sjellë bukur dhe në mënyrë simpatike humorin në  skenë. Dhe magjia e saj qëndron te forca interpretative. Kjo është Zyli... e pse jo, një  Tinkë e humorit...
Zyli!.. Nuk i largohet traditës shkodrane, asaj të biçikletave. E, nga lagjja me traditë “Perash”, ku ajo banon, me biçikletë udhëton rrugëve të qytetit të saj të lindjes dhe... ndalet si zakonisht në portat e teatrit “Migjenit. Nuk troket... Hyn pa trokitur... Ajo... që pa i mbushur të 14-vjetave, kur ishte në klasën e 7-të u paraqit për herë të parë para publikut shkodran si një këngëtare e vogël por shumë e talentuar. Kënga do ta ndjekë pas... Por pas do ta ndjekin edhe rolet aktoriale... Në fillim dramatike, më pas do të qëndrojë në “ishullin” e saj të humorit. Ishte 20-vjeçe, kur “puthi” skenën e estradës profesioniste të teatrit “Migjeni”. Ishte viti 1967. Me rolet e saj: e paarritshme dhe modeste, fisnike dhe plot elegancë, komunikuese dhe me një mirësi qeshjeje, elegante dhe e bukur edhe sot e kësaj dite, plot sharm dhe pa teprime, energjike dhe sfiduese e moshës së saj, e freskët dhe me një humor që i del nga shpirti, “vajzë e re” e me njw fytyrë që nuk i gjen rrudha... Kjo është Zyli, me një kontribut prej më se 250 premierash shfaqjeje. Le të kujtojmë fillimisht disa komedi, si: “Surpriza”, “O vajzën, o komunën”, “Vëllai nga babai”, “Fejesë me internet”; të shfaqjeve: “Big brother 1”, “Big brodher 2”; te filmat: “Shoku ynë Tili” me rolin e nënës, “Dy herë mat” me rolin e gruas së drejtorit; të roleve, si: Hana, Rabija, Zadja, Luli, Lokja, Ana... etj., etj.
Zylit... seç i shkëlqejnë edhe ca çmime, edhe ca medalje, si këto që po përmend: “Gruaja e Vitit 2000 – 2001” nga Instituti i Biografive në Kembrixh të Anglisë, “Naim Frashëri i Artë”, “Mjeshtre e madhe e skenës”, “Ambasadore e Paqes”, etj.
 
zylia

  2.
Shenja zodiake e Zylit është Bricjapi. Ndonëse nga familja e saj dhe e burrit, as nga farë e fisi nuk kanë pasur e as nuk kanë ndonjërin kasap apo blektor.                 
  
 -E lexoni rubrikën: “Horoskopi”, në gazeta?
Përgjigje: Shenja ime është Bricjapi. Ndonëse nga familja ime dhe e burrit, as nga farë e fisi nuk kemi pasur e as kemi ndonjërin kasap a blektor.
Kaq shumë dua të di për shenjën time, sa jo vetëm që e kam mësuar përmendsh orën kur jepet në ekranin e vogël, por jam një amatore e rregullt e gazetave. Dua të di ç`thonë për shenjën time. Bile nganjëherë, kaq kureshtare jam, sa shfletoj edhe gazeta të vjetra. Nganjëherë kujtohem se iks gazetë e kam marrë në dorë disa herë... Nuk e di pse, por më pëlqen... Nganjëherë mendimet, ëndrrat e idetë më dalin me atë të horoskopit. Por fjalët e shprehjet e fundit më ngatërrojnë moshën. Janë për rininë! Hyjmë edhe ne  në “të moshuarit” rastësisht (qesh).

zylia

 -Aktori dhe fëmijëria - një binom me plot ëndrra dhe kujtime! Edhe pse në largësi kohore, malli “ndez” shumë dëshira të fshehura e kujtime të bukura...
Përgjigje: Fëmijëria  ka shumë kujtime. Është mosha e sinqertë. Vetë fëmijëria është një kujtim i bukur që mund të krahasohet me një lulebore, një yll, një qiell të kaltër, një zog në fluturim, një...E me që jam te fëmijëria, të voglës Zyli  i pëlqente të këndonte, të merrej me teatër, të lozte me kukulla, të bënte rete odash, të...gjithçka të bënte siç ëndërron një vajzë e vogël. Nga natyra kam qenë fëmijë i urtë. Më vonë më kanë thënë: ”Kurrë s`na ka marrë mendja, që ti një ditë do të bëhesh aktore!(?)”
Siç duket urtësia e shpesh vetmia paskan qenë dy rrugët për t`u bërë artiste. Ç`të them?!... Ndoshta ka qenë dhe vetë koha, për të qëndruar “kokëulur”, le pastaj të guxoje të thoje se dua të bëhem artiste, të dal në skenë para syve të njerëzve, etj. etj. Kjo, ndoshta ka qenë dhe arsyeja që si aktore kam shpërthyer vonë. Siç duket talenti paska qëndruar “besnik” në pasaportën time. Kam kujtuar se do të bëhem këngëtare, por, në fakt u bëra aktore.
-Aktore?! Po kur ?!..
Përgjigje: Që në moshën l3 vjeçare jam thirrur për të interpretuar si aktore e dramës në teatrin“Migjeni”. Ka qenë një rol vajze në dramën “Tepër sekret”, me regjisor Ndoc  Sheldinë. Më kujtohet se e shoqja e bep Shirokës, Beatriçja më ka rregullur bishtalecat dhe veshjen, sepse për moshën që kisha dukesha e rritur. Por vitet kalojnë. Një kontribut kam dhënë edhe  në grupin artistik amator të PAM-it. Edhe këtu m`u shfaqën ca  “shenja” të tjera të horoskopit (qesh), si: spikere, këngëtare, parodiste e interpretuese në skeçe të ndryshme.

zylia

- Si punoni për rolin tuaj? Një tregues është dhe përvoja skenike...                                        
Përgjigje : Në vitin l967 u bëra “profesioniste” në Estradën profesioniste të qytetit tim. U njoha me aktorë që kishin emër në skenë, si T. Banushi, H. Smaja, P. Preka, B. Pepa, G. Kruja, do të njihesha me të tjerë që  do të bënin emër, si Z. Deda, J. Shala, K. Biga, D. Xhai, E. Çinari, S. Ruçi. Më dukej sikur “përshëndtja” e “bisedoja” me galerinë e personazheve që kishin krijuar e që do të krijonin në skenën e teatrit të qytetit tim. E personazhe të rinj do t`i shtoheshin kësaj galerie, personazhe me humor, falë interpretimit tim!
Pas  31 vjet pune, mund të sjell detaje nga përvoja e punës sime. E lexoj materialin me kujdes. Kur është i bukur shihet qysh në leximin e parë. Ky ngacmim për mua është shumë i rëndësishëm, do të thoja jetik për materialin. Me shumë dashamirësi e nënvizoj, njëkohësisht dhe më vonë e pasuroj me batutat e mia. E theksoj dhe një herë, rëndësi ka të  “thërrasë” fabula. Domosdo interpretimi ka vlerën e vet të pamohueshme. Dua të veçantoj dhe diçka: ka pasur raste, kur autori ka pyetur: “Vallë, a është materiali im ky?!” Gjithësesi mendoj që aktori nuk është i interesuar të “prishë”, sepse është “buka” e tij.

 -Kur interpretoni, ju “ndrisin” sytë. Veçori aktoriale apo..?
Përgjigje: Kur interpretoj nuk i dalloj amatorët nga profesionistët. S`i kam dalluar kurrë. Si personazhit, ashtu edhe partnerit unë nuk i bëj hile...

-Si e “fotografojnë” vitet aktorin, e konkretisht Zylin?
Pergjigje: Mbaj mend veten, kur kam hyrë për herë të parë në estradë. Isha 20 vjeçe. Po tani, pas 30 vjetësh?..Ndryshimi shihet... Bashkë me të shihen edhe rolet. Nuk mund të luaj më 20 vjeçaren. Rolet kalojnë sipas moshës. Megjithatë, edhe në këtë moshë që jam, në shfaqjen e parafundit, publiku ka  qeshur dhe njëkohësisht është befasuar, kur kam dalë me minifund. Një  interpretim të tillë donte personazhi. Të “urdhëron”. Kjo tregon se Zyli ka kohë të lërë skenën. Ka edhe disa vjet...

 - Aktori nuk luan vetëm në skenë. Ka partnerë...
 Përgjigje: Po. Rolet më të bukura, më të realizuara i  kam me Taano Banushin, Paulin Prekën, Zef Dedën, pastaj edhe me aktorë të tjerë. S`mund të harroj paroditë me Tanon, apo skeçet  “Beqoja në spital”, “Fotografia”; me Paulin Prekën në skeçet “Lokja”, “Dy anë të një medaljeje”; me Zef Dedën në skeçet: “Kunati i shokut Xhemal”, “Konstandini dhe Doruntina” etj. etj.
           
Mjafton të kujtoj Tano Banushin. Me ta marrë materialin, ka ditur ta diskutojë atë, ka pasur aftësinë të dijë se “ku i dhemb e ku i djeg” si i thonë një fjale të urtë popullore, pa folur për interpretimin e shkëlqyer e të paarritshëm të tij.

zylia

-Në galerinë e personazheve që keni interpretuar veçohen shumë figura nënash, të cilat nuk i ngjajnë njëra - tjetrës...
Përgjije: Të faleminderit! Tani të vijmë te skeçi  “Lokja” (sipas motiveve të dramës “Toka jonë” të K. Jakovës).
 Nuk kam ndjerë aspak vështirësi në realizimin e figurës së Lokes, e kam fjalën për të folurën dialektore të saj. Mbase ka ndikuar që jam nënë, mbase turnetë që bënim herë pas here në Malësi, ku kam patur fatin të njoh shumë figura grash, të njoh detaje nga jeta e tyre, psikologji e natyra të ndryshme. Të gjitha këto më ndihmuan që të ndërtoj një Loke me brumë të dramës “Toka jonë”, por e veshur me dukuri, mendëai, fjalor të një kohe të re, që në ndërgjegjen e saj krijon përplasje, kontraston, e për rrjedhojë “lulëzojnë” situata e efekte komike.
Te një komedi muzikore e titulluar “Çështje familjare” e F. Krajës, interpretova figurën e një nuseje, siç i themi nga Shkodra, xhadë. Siç duket ishte edhe tema, e cila zgjoi interes për publikun e pranishëm, pa ishin edhe marrëdhëniet vjehërr - nuse, përmes një dialogu përgjithësisht poetik e detajeve të gjetura, që krijonin një humor të këndshëm. Jashtë skenës, në publik, pati shumë diskutime e pëshpërima. Në mes tyre, pati edhe ndonjë zë gruaje të moshuar që foli: “E mjera vjehërr që të paska!” Siç duket me rolin kisha qëlluar në shenjë. Ndërsa në jetë kam qenë nuse e mirë për vjehrrën.

 -Ju kujtohet se, për interpretimet me nivel në zhanrin e humorit, jeni nderuar me çmimin “Çajupi”?
 Përgjigje : E kujtoj pas l3 vjetësh.

-Po titullin “Artiste e Merituar”?
Përgjigje : Si s’e kujtoj. Kishte ll0 vjetorin Banda muzikore e Shkodrës. Për anëtarët e kësaj  bande muzikore, nuk u dha as një çmim, as një dekoratë! Çuditërisht unë dhe Paulin Preka u nderuam me titullin: “Artist i Merituar”, ndonëse nuk i kishim rënë asnjë vegle muzikore, e nuk kishim marrë pjesë qoftë edhe një ditë në provat e bandës.

-Po në ekran e keni parë veten?
Përgjigje: Ndoshta angazhimi me skenën, ka bërë që me filmin të “mbaj” distancë. Oferta kam pasur, por realisht interpretimi në filma është me të numëruar gishtrinjtë e dorës. Megjithatë kujtoj: “Dy herë mat”, “Shoku ynë, Tili”, “Pak fresk, sonte!” (ky film televiziv) etj.

-Thatë pak më parë: “angazhimi me skenën”. Si ta kuptojmë?
Përgjigje : Unë e dashuroj profesionin tim. Nuk mendoj të shkëputem shpejt nga skena. I kam dhënë jetën time. Mjafton të përmend një fakt: pak kohë më parë isha te vajza në Gjermani. Menduan disa të afërm të mi, se nuk do të kthehesha. Në fakt u ktheva. Profesioni është shkaku kryesor që më ka detyruar të kthehem. E përsëris: e dua  shumë, s`mund të rri pa të!
                                   
3. Një kartolinë, në formë kujtimi para 13 vjetësh... (përsëri një intervistë...)
Aktorja e estradës së Shkodrës, Zyliha Miloti ishte përsëri një befasim edhe në Festivalin “Apollon 2006” që u zhvillua në Fier. Për rolin e Gjylit dhe për aktrimin më të mirë, ajo u nderua nga juria me çmimin e dytë.
Të mësuar me rolet e saj në një shfaqje estrade, kësaj radhe aktorja erdhi ndryshe, do të thonim disi jashtë “formatit” të zakonshëm dhe traditor. Erdhi me një rol sa komik aq dhe dramatik në dramën “Një histori e thjeshtë”. Autori dhe regjisori i kësaj pjese Edmond Mhilli i besoj rolin e protogonistes.
Lidhur me karakterin e Gjylit që krijoi artistja Miloti, që në këtë festival ishte surprizë dhe befasim, zhvilluam një bisedë me regjisorin e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Edmond Mhilli...
 
-Në punën tuaj si regjisor keni bashkëpunuar edhe me aktoren Zyliha Miloti. Cili është vlerësimi për të?

*Me aktoren Zyliha Miloti, Artiste e Merituar, kam filluar bashkëpunimin që kur u emërova në Estradën e Shkodrës, në vitin 1976.
Në të gjitha premierat që kam vënë, me Zylin bashkëpunimi ka qenë i frytshëm. Ka qenë një aktore e dashur, e imja, në kuptim profesional. Në asnjë punë prej këtyre viteve, nuk mund të them që gjatë procesit krijues të kem pasur keqkuptime. Përkundrazi, Zyli, edhe kur kishte ndonjë gjë që nuk bindej, heshtëte, gjykonte… e më pas…, shumë më pas diskutonte. Sepse raportet me regjisorin i shikonte si gjë të shenjtë. Dhe kurrë në punën e saj s’e ka prishur këtë shenjtëri. Këto cilësi i ka pasur edhe Artisti i Popullit, Tano Banushi.
Zyli përherë ka qenë një aktore me kërkesa kryesore të mjeshtërisë së aktorit. Ajo ka punuar me regjisorë si Paulin Sekuj, Gjergj Vlashi..., dhe pastaj shumë vite me mua (që vazhdon ende) dhe mbart përvojat e tyre.
Nga natyra është një aktore këmbëngulëse, nuk diskutohet e talentuar, e me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme artistike. Janë pikërisht këto cilësi të vyera të saj, të cilat më ngacmuan dhe më bindën përfundimisht që unë ti besoj rolin e Gjylit tek drama-komedi „Një histori e thjeshtë“, ku unë isha autor e regjisor. Zylit ia dhashë të lexojë veprën. Të nesërmen erdhi me lot në sy. Ishte entuziaste për rolin dhe shprehu gatishmërinë për ta interpretuar.
 
-Tani të vijmë te shfaqja teatrore „Një histori e thjeshtë“. Aktorja Zyliha Miloti nuk mbart më role në shfaqje estrade siç jemi mësuar ta shikojmë, por përballet me një rol drame, sa serioz aq dhe komik. Pse i gjithë ky besim?
*Te karakteri i Gjylit kam pasur parasysh të nxjerr një grua shkodrane me karakteristikat tipike të mjedisit të saj. Ndoshta dhe mund t’i afrohet, ndoshta dhe t’i bjerë për shtat aktores, kjo nuk ka asgjë për t’u çuditur. Por unë isha i bindur që Zyli do ta realizonte këtë rol, megjithëse ishte shumë e vështirë. Se një aktor estrade del rreth 10 minuta në skenë. Po të interpretojë në një komedi me një akt, mund të dalë në skenë një me çerek ore, e në këtë 15 minutësh ka apo s’ka 8 minuta në skenë. Kurse në rastin konkret kishim të bënim me një grua, me Gjylin, që si personazh e fillon dhe e mbaron veprën. Rrjedhimisht ka ndenjur 2 orë pa tetë minuta në skenë, pra, me një ngarkesë e me një procedim artistik të këtij karakteri.              
Kur Zyli-Gjyl doli në skenë, miqtë e mi regjisorë mu shprehën: „Mondi, fillimisht kur doli Zyli e filloi interpretimin në rolin dramatik... sikur... s’patëm besim dhe thamë... „...dicka Mondit do t’i ketë ndodhur...“ Pastaj, nga skena në skenë, Zyli na befasoi në krijimin e këtij karakteri, që vërtet ishte një mrekulli“.
 
-Si bashkëjetojë Zyli te Gjyli dhe Gjyli te Zyli?
 *Vepra është e ndërtuar në dy plane: komik dhe dramatik. Kalimet nga njëri plan në tjetrin dhe anasjelltas, Zyli-Gjyl, Gjyli-Zyl i bënte me një natyrshmëri dhe ndjeshmëri të admirueshme profesionale. Si protogoniste e shfaqjes ajo luajti dramën e Gjylit, me një besueshmëri, zhdërvjelltësi dhe nivel.
Kam një detaj, që lëviz në gjithë veprën. Është një shprehje tipike shkodrane: „U thasha si thahet fiku“. E kam përdor edhe për kalimin nga plani dramatik në planin komik dhe anasjelltas. Zyli-Gjyl, që edhe këtë detaj nuk e anashkalon, por e vlerëson me një lojë që të mahnit.
 
-Tani që shfaqja ka mbaruar, ky „besim“ është justifikuar artistikisht nga aktorja Zyliha Miloti?
*Po. E kam pasur bindje (në kuptimin profesional) që këtë rol do ta realizonte. E kjo ka qenë vazhdë e atij serioziteti që Zyli ka punuar vite të tëra  me mua, si dhe me regjisorë të tjerë. Të qenurit aktore e këtyre dy planeve e ka pasur dhe më parë. Cilësitë e saj aktoreske dhe përvoja i kanë dhënë personalitetit të saj artistik një dimension të ri vlerësimi.

Kujtoj që në momente të lirshme të punës i thoja: “Zyl, do të befasosh spektatorin”. Dhe kjo e vërtetë doli... Sepse shquhej nga një punë këmbëngulëse profesionale. Qëndiste çdo fjalë. Kurrë në prova (edhe pse e lodhur) nuk më tha: “a të pushoj pak!”. Magjia e interpretimit ishte e tillë sa ajo arriti të bëhej njësh me rolin, të mishërohej në karakterin e personazhit Gjyl. Realimi që i bëri kësaj figure ishte i tillë, sa Gjyli do të mbetet padyshim në fondin e teatrit kombëtar, figurë e krijuar nga mjeshtria e interpretimit të artistes Zyliha Miloti.

zylia
 
4. Ç’thonë për Zylin...
 
Shkrimtari dhe dramatugu Fadil Kraja: “Në çdo teatër shkojnë dhe vijnë shumë aktorë, regjisorë, autorë apo skenografë... Shumica dërmuese e tyre, me kalimin e kohës harrohen, fshihen nga kujtesa, sepse nuk lënë gjurmë. Të pakët, shumë të pakët janë ata që kujtohen dhe i qëndrojnë kohës dhe ndërtojnë apo shkruajnë historinë e çdo teatri, kudo që interpretojnë. Në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, Zyliha Miloti është një aktore e tillë, pjesë e rëndësishme në historinë e këtij teatri gjurmëlënës. Aktore potente, me një pathos të lakmueshëm, me individualitet, me sharm... jo vetëm në shtratin e humorit e të satirës ku shkëlqen, gjithashtu, mjeshtërisht. Talente të tillë si Zyli janë fat për një teatër, sepse vijnë rrallë. Ata nuk kanë moshë. Në kujtesën e spektatorit ata mbeten të rinj e të freskët përjetësisht.”
 
Regjisori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu: “Zyliha Miloti, mendoj se, është ndër aktoret më të mirat të humorit shqiptar në përgjithësi, jo vetëm në interpretimin e karaktereve, por njëkohësisht në improvizimin dhe theksin e batutës humoristike me një plastikë të përsosur dhe mbi të gjitha me një lirshmëri në lëvizjet në skenë. Kam patur fatin që ajo ka interpretuar në filmin tim “Dy herë mat”, duke i shtuar vlerat e autorit dhe regjisorit. Janë talente që rrallë i vijnë skenës dhe filmit shqiptar”.
 
Studiuesi dhe kritiku Prof. Josif Papagjoni: “... paraqitet si një nga aktoret më të suksesshme të Estradës Profesioniste të Shkodrës për rreth 40 vjet (vazhdon edhe sot e kësaj dite). Ka luajtur shumë role në gjedhet e shkurtra të humorit, si komedi me një dhe disa akte, skeçe, dialogë, monologë, parodi, kuplete etj. Ishte plot hir në skenë, me një prani aktoriale që imponohej gjithandej, me zë të plotë e të bukur. Shfrytëzonte me sens e maturi nëndialektin e të folmes së trevës së Shkodrës, pa e bjerrur atë në një zhargon të rëndë e të pakomunikueshëm, përkundrazi duke e selitur e duke i dhënë një tingëllim poetik e plot muzikalitet. Krijoi figura grash prepotente e zotëruese ndaj burrave, llafazane apo të llastuara, sikundër edhe femra snobe, malësore disa naive apo “burrnesha”, zyrtare e intelektuale të kohës etj. Në aktrimin e saj këqyren më pak elementet e groteskut, duke qenë më aktive ato të një humori me theksa realistë e sjellje sa më pranë modeleve jetësore. Ishte partnere e parapëlqyer e aktorit të mirënjohur Tano Banushi, sikurse edhe e Zef Dedës, me të cilët ka luajtur shumë pjesë të shkurtra për estradë (“Fotografi”, “Në spital”, “Kunati i shokut Xhemal”, “Truall i zënë”, “Toka jonë” etj.) në vitin 2006 luajti rolin e Gjylit në pjesën “Një histori e thjeshtë” të Edmond Mëhillit në teatrin “Migjeni”, me të cilin fitori çmimin si “Aktorja më e mirë” në festivalin e aktrimit “Apollon 2006”. Loja e saj u shqua për finesë, elegancë, skrupulozitet e vërtetësi deri në hollësitë psikofizike, me një përshtatshmëri të rrallë dhe me shkapërcime të natyrshme, si të pandjeshme, nga tragjikja te komikja dhe anasjelltas, duke krijuar figurën e një nëne të dhimbsur e plot mall për birin emigrant.”
 
Besnik Çinari, aktor, një nga partnerët më të spikatur të Zylit: “Zyliha Miloti është një ndër aktoret e shquara në të gjitha kohërat në Shqipëri. Është fat i madh për mua me interpretu në skenë krah saj, këtu e 32 vjet më parë, e fat më i madh që rreth 20-vjet (e vazhdon...) të jesh si një partner.”
 
Fatbardh Smaja, regjisor: “Është një aktore e kompletuar. Ajo interpreton në mënyrë të jashtëzakonshme. Gjithmonë ka pasur diçka të veçantë në ndërtimin e figurave artistike në botën e personazhit. Gjithmonë përpiqet të shpërndajë mirësi në grup. Dëgjon me shumë vëmendje dhe përpikëmëri kërkesa e regjisorit.”
 
Bujar Qamili, Mjeshtër i madh i këngës popullore shkodrane: “Zyliha Miloti është një aktore e shkëlqyer e humorit dhe e komedisë, që rrallë mund t’i vijë teatrit “Migjeni”. Një emër shumë i madh dhe i pëlqyeshëm në çdo shtëpi shkodrane dhe shqiptare. Emri i Zyliha Milotit është sinonim i teatrit “Migjeni”. Pa Zylin nuk mund të bëhet humor në skenë. Zyli me madhështinë e saj vazhdon të ecë me biçikletë nëpër Shkodër dhe, shpesh qytetarët e shikojnë dhe thonë: ‘Si s’po din m’u plakë Zyli!’ Zyli është  dhe do të mbetet ikonë e humorit shqiptar. Është kënaqësi e madhe për këdo, kur është ballë për ballë, sidomos kur pin një kafe me Zylin.”
 
zylia

5.
Zyli e do shumë qytetin e saj Shkodrën që u lind më 11.01.1946. I rrezaton ky emër teksa shumë herë e përmend. I rrezaton: në sy, në shpirt, në lëvizjet dhe në rrëfimin e herëpashershëm të saj...
Shpesh... kur largohet, dëshiron të kthehet sa më shpejt. Në këtë “ikje...” teksa shikon kalanë, i kujtohen vargjet e Mjedës-shkodran dhe sytë i mbushen me lot. “Unë e du  Shkodrën, - thotë Zyli, - e du shumë, aq shumë sa ‘inshallah ktu du me më dalë shpirti’!
Dhe... Zyli shpesh... ‘largohet’... Se era e mallit për të bijën, Aidën, atje në Gjermani ku shkon ‘t’ia puthë sytë” e bën pakëz nostalgjike por edhe optimiste. Sepse atje e presin një mbesë dhe një nip që ia freskojnë më tepër jetën. Gjyshes (që ngjan si një përrallë e bukur) i falin fëmijërinë e tyre. Është Lulebora që ëndërron të bëhet balerinë dhe Driloni që ëndërron të bëhet këngëtar (edhe pse dita-ditës ata po rriten dhe hedhin shtat...)
Zyli... kjo aktore fjalëpake dhe e bukur, e magjishme; e nget biçikletën nëpër Shkodër si një vajzë e re. Dhe Shkodra këtë mrekulli e mrekullon duke e fiksuar në celuloidin e saj të kujtesës.
 
 Shkodër, shkurt 2017

zylia

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Raportimi i një krimi në shtëpinë e të moshuarve dhe rrëfimi i një infermiereje për azilin......

Raportimi i një krimi në shtëpinë e të moshuarve dhe rrëfimi i një infermiereje për azilin......