Liderët Evropianë vendosën të trefishojnë financimin e operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit të barkave të emigrantëve të paligjshëm në Mesdhe. Vendimi për kalimin e një fondi prej 120 milion euro për operacionin Triton erdhi pas bisedimeve në samitin emergjent në Bruksel mbi krizën e emigrantëve një ditë më parë.

Bashkimi Evropian do të shikojë mbi mënyra për të kapur dhe shkatërruar barkat e trafikantëve të qenieve njerëzore si dhe do të vendosë zyrtarë të emigracionit në vende që nuk janë pjesë e BE-së. Disa shtete anëtare të BE-së kanë premtuar më shumë anije dhe mjete të tjera shpëtimi. Samiti emergjent erdhi pas mbytjes së më shumë se 750 personave në një varkë që udhëtonte në mënyrë të paligjshme nga Libia drejt brigjeve italiane të dielën. 

Shefja e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini njoftoi për nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për një operacion të dytë Pesd, megjithatë ende është e paqartë situata e emigrantëve në ardhje dhe strehimi i atyre që kanë mbërritur në vendet e BE-së. Sipas burimeve nga Këshilli i Evropës Mogherini duhet më parë të marrë aprovimin e OKB-së për këtë plan, ndaj do të marrë pjesë të martën në Neë York e në Ëashington për të diskutuar mbi ndërmarrjen e operacionit Pesd kundër skafistëve.

Presidenti Francez Francois Hollande deklaroi se Franca dhe Britania si anëtare të Këshillit të Sigurisë së OKB-së do të propozojnë një zgjidhje për të cilën do kenë dhe mbështetjen e OKB-së. Ndërkohë qeveria e Tripolit, një prej atyre që veprojnë në vend dhe që nuk njihet nga Bashkimi Evropian, ka kundërshtuar fort idenë e bombardimeve të bazave të skafistëve. Kritik ndaj këtij operacioni të mundshëm sulmi është dhe presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz i cili këkron një “operacion të policisë ndërkombëtare në bashkëpunim me vendet e përfshira në trafikun e emigrantëve”. Parashikohet që Tunizia, Egjipti, Sudani, Mali e Niger, mes të tjerësh të ndihmojnë në monitorimin dhe kontrollimin e kufijve për të reduktuar veprimtarinë e trafikantëve. 

Bisedimet mes liderëve të BE-së për një sërë masash veprimi patën mbështetjen dhe solidaritetin e të gjithë të pranishmëve. Megjithatë Kancelarja Gjermane Angela Merkel tha se në samit nuk u vendos për asnjë shifër zyrtare mbi pritjen që BE mund t’u bëjë refugjatëve, megjithëse është diskutuar mes 5 deri në 10 mijë persona.


(Gre.M/Shqiptarja.com)