KLD kundër Naços e Çomos:
Po bëjnë presion politik

TIRANE- Këshilli i Lartë i Drejtësisë 24 orë pas debateve në mbledhjen për emërimet e 13 gjyqtarëve, ka nxjerrë zëdhënësin Elis Kuçi, për t’ju përgjigjur deklaratave të Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço dhe përfaqësuesit të Parlamentit në KLD, Sokol Çomo

"Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh keqardhje të thellë dhe njëkohësisht zhgënjim për qëndrimin në seancën e djeshëm plenare të përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse, të cilët largimin e tyre aspak serioz dhe dinjitoz nga mbledhja e Këshillit, nën petkun e transparencës dhe mbrojtjes së ligjshmrisë, ushtruan "de fakto" një presion të paprecedentë antiligjor ndaj anëtarëve të KLD dhe të gjithë trupës gjyqësore.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë çmon se përfaqësuesit e maxhorancës u larguan nga mbledhja për të krijuar një situatë penguese. Këshilli i Lartë i Drejtësisë deklaron se ka qenë transparent dhe se janë ndërtuar standarde për vlerësimin e gjykatësve dhe për emërimin e tyre.”- tha Kuçi

Zëdhënësi ka shfrytëzuar momentin e dhënies së statusit të vëndet kandidat duke shtuar se do të informonte të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Europian për incidentin dhe presionin politik që sipas tij po ushtrohet ndaj KLD

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë i bën thirrje të gjithë partnerëve Tanë ndërkombëtarë dhe në mënyrë të vecantë Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, që të ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në këtë institucion, dhe garanton ata dhe të gjithë trupën gjyqësore, se KLD nuk do të lejojë intimidimin nga presione të karakterit politik!”- shtoi ai.

Ministri Naço dhe përfaqësuesi i Parlamentit, Sokol Çomo pas largimit nga mbledhja e djeshme , deklaruan se bojkotuan momentin e plotësimit të vëndeve vakante në gjyqësor për të mos u bër pjesë e qokave të KLD-së me këto emërime. 

Sipas Naços prej muajsh KLD-ja dëshmon mungesë efiçenc edhe se e braktisi mbledhje sepse nuk mund të pranonte të ishte pjesë e një farse të tillë që bie në kundërshtim me ligjin dhe praktikën që ky këshill duhet të zbatojë. Më herët ministri Naço kishte propozuar që në këto poste të emëroheshin magjistratët e rinj të cilët janë të papërfolur për aferat korruptive në gjyqësor. Sipas tij këtyre magjistratëve po u mohohet një e drejtë, pasi ata duhet të emërohen sikurse parashikon ligji.


DEKLARATA E PLOTE E ZEDHENESIT TE KLD-se
Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh keqardhje të thellë dhe njëkohësisht zhgënjim për qëndrimin në seancën e djeshëm plenare të përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse, të cilët largimin e tyre aspak serioz dhe dinjitoz nga mbledhja e Këshillit, nën petkun e transparencës dhe mbrojtjes së ligjshmrisë, ushtruan "de fakto" një presion të paprecedentë antiligjor ndaj anëtarëve të KLD dhe të gjithë trupës gjyqësore.

Largimi i paralajmëruar, menjëherë pas fillimit të seancës së djeshme plenare, dëshmoi se këta anëtarë të Këshillit nuk kanë aspak qëllim të kontribuojnë për përmirësimin e sistemit gjyqësor!


Ata që prej kohësh propagandojnë publikisht nevojën për plotësimin e vendeve vakant në gjykata, bojkotuan seancën e parashikuar për këtë gjë ende pa filluar diskutimi! Ata që prej kohësh propagandojnë domosdoshmërinë për vlerësimin e karrierës së gjyqtarëve, bojkotuan seancën ku u vlerësua karriera për 43 gjyqtarë! Ata që prej kohësh flasin për eficencë në sistem, krijojnë qëllimisht situata penguese në emërimet e gjyqtarëve! Ata që prej kohësh flasin pa bërë asgjë, largohen kur vjen koha e veprimit! Ata që prej kohësh propagandojnë se janë në mbrojtje të ligjshmërisë, shkelën dje, publikisht, detyrimin e tyre kushtetues për të dhënë kontributin konstruktiv në tryezën e Këshillit.


Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në pak më shumë se një vit, ka ndërtuar standartet mbi të cilat është bazuar çdo promovim në vlerësimin profesional të mbi 235 gjyqtarëve. Për herë të parë po krijohet lista e renditjes së gjyqtarëve bazuar në pikëzimin profesionel të tyre, në kontrast të plotë me përvojën shumëvjecare të mëparshme, kur në promovimin e gjyqtarëve prevalonin vetëm konsideratat subjektive. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, prej mbi një viti, nëpërmjet zhvillimit të 22 mbledhjeve plenare ka përballuar një punë kolosale, duke pasur një ndër prioritet e tij, transparencën, transparencën, transparencën totale, ndaj publikut dhe ndaj trupës gjyqësore.
Ne nuk mendojmë se transparenca konsiston në njoftimet e procedimeve disiplinore në media dhe jo në rrugë zyrtare, sic ligji e kërkon! Ne nuk mendojmë se kërkesa e bërë në kundërshtim me praktikën e mirë, për emërimin në gjykatën e Tiranës të 12 studentëve magjistratë të cilët sapo kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës, duke shpërfillur ata gjyqtarë që prej vitesh e vitesh kontribuojnë në sistem, përbën reformë!


Të gjendur pa asnjë argument ligjor përfaqësuesit e mazhorancës qeverisëse në Këshill, përdorën terma poshtërues për Këshillin dhe gjyqtarët që prej vitesh japin çdo ditë drejtësi në gjykatat e vendit. Ky veprim është një ndërhyrje e drejtëpërdrejtë e qëllimplotë, në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor nga qeveria! Është një revansh i pastër politik ndaj Këshilit të Lartë të Drejtësisë, ndaj sistemit të drejtësisë, me të vetmin qëllim: nënshtrimin për të përfituar!


Këshilli i Lartë i Drejtësisë i bën thirrje të gjithë partnerëve Tanë ndërkombëtarë dhe në mënyrë të vecantë Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, që të ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në këtë institucion, dhe garanton ata dhe të gjithë trupën gjyqësore, se KLD nuk do të lejojë intimidimin nga presione të karakterit politik!

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i vendosur të vazhdojë përpjekjet e tij për konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe mirëpret çdo sygjerim për përmirësimin e standarteve përmes zgjidhjeve konkrete dhe jo ngritjes së pengesave artificiale.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Vendosi eksploziv  në një hotel në Theth, 39-vjeçari: Urdhrin e mora nga burgu

Vendosi eksploziv në një hotel në Theth, 39-vjeçari: Urdhrin e mora nga burgu