Anëtarët e KLD ndërkaq kanë rrëzuar propozimin e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për procedimin e një gjyqtari. Kreu i Drejtësisë propozoi transferimin e gjyqtarit E.P. në një gjykatë më të ulët, por KLD në mbledhjen e sotme e rrëzoi këtë propozim.
Në mbledhjen e sotme kanë nisur detyrën dy anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga Parlamenti, Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta. Shtylla dhe Kosta erdhën në këtë post pas shkarkimit të anëtarëve Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, të cilët u shkarkuan pasi u gjetën me shkelje nga komisioni hetimor parlamentar për KLD.
E teksa pritej që kreu i KLD-së, Bujar Nishani të respektonte procedurat siç ka ndodhur dhe më parë në pranimin e anëtarëve të rinj duke lejuar praninë e mediave, ndodhi krejt e kundërta, duke vazhduar që mbledhjet të bëhen me dyer të mbyllura.
Nishani: Do komunikoj me Qeverinë e Kuvendin për rritjen e pagave për gjykatësit
Presidenti Bujar Nishani tha se do të komunikojë me Qeverinë dhe Kuvendin për rritjen e pagave për gjykatësit e Shkallës së Parë dhe të Apelit.
“Kam bindjen më të palëkundur se në sistemin tonë gjyqësor ka një shumicë gjykatësish profesionistë dhe me integritet, gjykatës, që e kanë lidhur tërë jetën e tyre profesionale me këtë sistem, qytetarë të ndershëm të këtij vendi, që e duan emrin e mirë dhe besojnë në vlerat e trashëgimisë. Ne kemi një detyrë, por edhe një mundësi ta bëjmë këtë model dominues të sistemit. Ne çdo ditë flasim për rëndësinë jetike që ka sistemi i gjyqësorit. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë që në themel të sistemit janë vetë njerëzit, janë gjykatësit që i kthejnë ligjet, parimet, procedurat në një mekanizëm, që vepron. Dua të kujtoj këtu, mes të tjerash, një shembull pozitiv, që kemi në sistemin tonë gjyqësor, Gjykatën e Krimeve të Rënda, atë të Shkallës së Parë dhe të Apelit, një trupë gjyqësore, që ka aplikuar me profesionalizëm një politikë penale kurajoze ndaj individëve dhe grupeve me veprimtari të rëndë kriminale. Këta gjykatës, por edhe të gjithë të tjerët duhet të jenë të sigurt në parimin e vijueshmërisë së detyrës si një nga parimet bazë të pushtetit gjyqësor. Vlerësimi i kontributit të gjykatësve tanë, por edhe një formë e investimit në integritetin e tyre, kërkon një politikë pagash më të përmirësuar për ta. Personalisht do të jem në komunikim intensiv me Qeverinë dhe Kuvendin e Shqipërisë për të realizuar një nivel pagash më të lartë për gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit”, tha Nishani.
Ndërsa theksoi rëndësinë e rritjes së besimit në sistemin gjyqësor në vend, Kreu i Shtetit tha se do t’i kushtohet rëndësi figurës së gjykatësit dhe integritet moral e profesional të tij.
“Ana tjetër e medaljes, po aq e rëndësishme, është besimi i qytetarëve tek sistemi. Një numër jo i vogël praktikash të çështjeve gjyqësore, në shkelje të hapur të parimeve të dhënies së drejtësisë, në injorim të hapur të procedurave të parashikuara në ligj, të nëpërkëmbjes së solemnitetit dhe dinjitetit, që kërkon sistemi gjyqësor, apo edhe përfshirjes së drejtpërdrejtë në afera korrupsioni, kanë krijuar një klimë mosbesimi tek qytetarët ndaj sistemit të drejtësisë, por edhe një baltë të pamerituar ndaj figurës së gjykatësit. Ky është modeli dhe shembulli, që duhet ta kapsulojmë dhe të nxirret jashtë sistemit”, vijoi kreu i KLD.
KLD rrëzon propozimin e Naços për procedimin e një gjyqtari
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar propozimin e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për procedimin e një gjyqtari. Kreu i Drejtësisë propozoi transferimin e gjyqtarit E.P. në një gjykatë më të ulët, por KLD në mbledhjen e sotme e rrëzoi këtë propozim.
"Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi propozimin e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtarit E.P. Pas diskutimeve mes anëtarëve, bazuar në kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli vendosi: Të rrëzojë propozimin e parë të Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masën disiplinore transferim, për një periudhë 2 (dy) vjeçare, në një gjykatë të një niveli më të ulët për gjyqtarin E.P. Pas kësaj vendimmarrje, nuk u propozua asnjë masë tjetër disiplinore për gjyqtarin në fjalë", thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ndërkaq, KLD pas kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, ka vendosur të shtyjë për një kohë të shkurtër përcaktimin e vendeve vakante në dispozicion të magjistratëve që kanë përfunduar studimet për vitin akademik 2013 – 2014; ndërsa ka propozuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë, Klodiana Gjyzarin.
Këshilli vendosi edhe për çështje të tjera të parashikuara në rendin e ditës si: Miratimi i kërkesave të disa gjyqtarëve për mësimdhënie, delegimi i disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore në gjykata të tjera nga ato ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit etj.
Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 "Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve". Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 5 (pesë) gjyqtarët e mëposhtëm:
- Sokol Ibi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë;
- Sonjela Voskopi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;
- Niko Rapi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec;
- Admir Belishta, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;
- Valbon Çekrezi, Gjykata e Apelit Durrës;
Redaksia Online
(e.s/shqiparja.com)