TIRANE  - Abuzimi me detyrën, moszbardhja e vendimeve dhe pengesa në dhënien e drejtësisë për qytetarët kanë bindur Këshillin e Lartë të Drejtësisë të shkarkojnë Xheladin Karkinin gjykatësin e Elbasanit. Karkini është shkarkimi i dytë nga KLD brenda tre muajve, ku më parë për abuzim me detyrën KLD shkarkoi Neritan Tabaku i cili tani përballet me drejtësinë për moszbardhjen e vendimit ndaj Ilir Xhakes.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vendosi me unanimitet në mbledhjen plenare të miratojë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Z. Xheladin Karkini.

Gjatë shqyrtimit të rastit në fjalë Presidenti i Republikës dhe anëtarët e Këshillit e konsideruan të papranueshme ekzistencën e rasteve të tilla, ku vetë gjyqtarët bëhen pengesë në dhënien e drejtësisë për qytetarët.

Shkarkimi i gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Z. Xheladin Karkini është rasti i dytë në një hark kohor prej 3 muajsh, pas shkarkimit të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Z. Neritan Tabaku në mbledhjen plenare të datës 07.12.2012.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të një anëtari të tij, vendosi me unanimitet inspektimin në një kohë sa më të shpejtë nga Inspektorati i KLD-së të Kryetarëve të Gjykatave në të gjithë vendin për mënyrën e hedhjes së shortit për përcaktimin e trupës së gjyqtarëve.

Ndërkaq pas diskutimeve të disa anëtarëve të tij, Këshilli vendosi miratimin me unanimitet datat 25 dhe 26 mars për zhvillimin e testimit për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Administrativë të Shkallës së Parë dhe të Apelit.

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhanë mesazhin se publikimi i pyetjeve të testimit në faqen zyrtare të KLD-së, duhet të bëhet në mënyrë që procesi të jetë transparent dhe i besueshëm.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)