Klevis Elmazaj, një yll i ri i
baletit po shkëlqen në Europë

Klevis Elmazaj, një yll i ri i<br />baletit po shkëlqen në Europë
TIRANE- Ishte vetëm katër vjeç, kur jepte spektakël në shtëpinë e tij për mysafirët duke e ngjitur trupin lart, ndërsa i kthyer me kokën poshtë trupin e mbante të mbështetur vetëm mbi njërën pëllëmbë të dorës. Babai i tij ishte punëtor i thjeshtë që siguronte të ardhurat e domosdoshme familjes, ndërsa nëna përkujdesej për fëmijët dhe “digjej” nga dëshira që ata të bënin universitetin, gjë që vet asaj në diktaturë i ishte ndaluar për arsye të biografisë politike.

Kur Klevis Elmazaj ishte vetëm 5 vjeç, familja e tij shpërngulet nga qyteti i Beratit dhe emigron në Itali. Intuita, nënës së tij Kozetës, i thoshte se bëhej fjalë për një talent të lindur. Sa u vendos në tokën italiane e çon Klevisin në dorën e profesorëve më të mirë të baletit. Prindërit nuk kursyen mundin e tyre për të paguar shkollat e balerinit të ardhshëm, Klevis Elmazaj, ndërsa mësuesit, profesorët i jepnin kurajo se një ditë ai do të arrinte shumë larg.



Dhe ja dita erdhi; në skenën e baletit botëror do të lindte një yll tjetër shqiptar, krahas atyre që kanë bërë emër të madh më parë si Enio Peçi, IIir Shaqiri, Kledi Kadiu, Ambeta Torimani, etj. Klevis Elmazaj sapo ka mbushur 22 vjeç dhe ka krijuar edhe një trupë koreografike. “E kam bërë me një balerin anglez Jamie Neale dhe ka pasur shumë sukses në Londër”, thotë Elmazaj.

Shfaqja është kërcyer në shumë teatro të mirënjohur të Londrës, aty ku Klevisi përfundoi edhe studimet për balerin-koreograf. Me këtë koreografi ai ka fituar çmimin e 3-të në Spanjë në një kompeticion Europian të një viti më parë, që quhet “Burgos/New York Choreografic competition”. Ndërsa për 2015-n atë e kanë ftuar të kërcejë në 20 teatre të Spanjës për një tur që do ta filloj në datën 28 Prill.
 

 
Klevis, kam vënë re emrin tuaj dhe kolegut anglez ....që kishit krijuar një trupë koregrafike. Më bëri përshtypje mosha juaj tepër e re që ju po bëni koreografi...!
 
-Unë vetë jam balerin dhe koreograf. Për këtë jam diplomuar në shkollën e baletit anglez “Rambert School of Ballet and Contemporary Dance”. Me koreografin anglez Jamie Neale kemi ngritur një kompani baleti të qjuajtur ELM.NEA ENSEMBLE. Por aktiviteti ynë shtrihet në shumë drejtime. Neve na thërrasin edhe kompani të tjera për të krijuar balete me ta. Më 25 Janar 2014 unë isha i ftuar në Poloni për të dhënë mësim atje për një javë. Pasi arrita diplomimin me rezulate të larta, kam kërcyer rreth e rrotull Anglisë me një kompanji të quajtur "Moving Vision Company" me drejtorin Ross McKim.

Por ju u formuat si balerin në Itali, apo jo. Si nisi karriera juaj në Itali?
 
-Po, në Itali. Unë kam studiuar edhe me balerinin e madh Ilir Shaqiri këtu në Itali. Ai ka qenë mësuesi im i baletit për ca kohë dhe kam mësuar shumë nga ai. Baletin e kam ëndërruar që fëmijë. Kam qenë gjithmonë një fëmijë i lëvizur dhe muzika bënte shumë efekt tek unë që i vogël. Kur isha 4 vjeç mami kërkoi të më fuste në një shkollë kërcimi, duke parë që isha shumë i tërhequr nga muzika dhe lëvizjet. Kërkoi në Berat, por në atë kohë nuk kishte shumë mundësi të mëdha për të filluar një gjë të tillë, se nuk ekzistonin shkolla baleti, por ishte vetëm Pallati i Kulturës dhe atje nuk pranonin fëmijë aq të vegjël.

Mbeti një ëndërr deri sa emigruam në Itali, ku mundësitë ishin më të mëdha. Në moshën 5-vjeçare fillova studimet në një shkollë të baletit klasik në qytetin ku unë jetoj. Ky është fillimi i ëndrrës time për të kërcyer. Kurse nga mosha 10-11-vjeçare, fillova të ushtrohesha për konkurrime të mëdha në Itali. Merrja pjesë nëpër konkurse dhe fitoja çmimet e larta, vendet e para, por nisa të kërceja edhe në teatre të rëndësishme. Duke jetuar emocionet e skenës, fillova të dashuroja artin e baletit klasik.

Kuptova se përmes baletit arrija të shprehja ndjenjat e mia, emocionet që kisha brenda, që nuk i shprehja dot me fjalë. Në studion e baletit dhe në skenë ndjeja një liri që më bëri të kuptojë se ky ishte ambjenti, aty ndihesha vetvetja. Qëllimi i jetës sime u bë që të bëhesha një balerin profesionist dhe të shkoja të studioja në “Royal Ballet” të Londrës.

Si është jeta e një fëmije kur shkon me familjen në emigracion, për ty si ka qenë konkretisht?
 
-Emigracioni për një familje nuk është asnjëherë një gjë e lehtë, ka shumë vështirësi. Ne si fëmijë s’e patëm të lehtë të ambjentohen me një kulturë dhe gjuhë të huaj, por as prindërit e mi nuk e patën të lehtë. Ata derdhnin shumë mund e djersë për të sjellë të ardhura dhe ushqim në shtëpi. Por ka qenë fati im që kam pasur një familje që bëri shumë sakrifica dhe më ka mbështetur gjithmonë, duke mos e lejuar që ne si fëmijë emigrantësh të ndiheshim ndryshe nga fëmijët e tjerë në Itali.
 


Cili ka qenë njeriu që të ka frymëzuar më shumë drejt suksesit….?
 
-Çdo njeri qqë ka marrë pjesë dhe më ka ndihmuar në realizimin e kësaj ëndrre, ka qenë i rëndësishëm për mua. Por një ndryshim të madh të vizionit tim për botën e baletit e ka bërë balerini dhe maestri shqiptar Ilir Shaqiri. Ai ishte i pari që më hapi sytë në një botë profesionistësh, pa harruar edhe prindërit e mi që me sakrificat që bënin për mua, më frymëzonin që të arrija sa më lart.


Shkollimi yt ka nisur në Itali e pastaj në Angli, e ti je përballur me plot sfida, apo jo?
 
-Sfidat mbasi i ke superuar të duken gjithmonë të lehta. Nga një qytet i vogël i Italisë, siç është Belletri (pranë Romës), të arrish të studiosh dhe të kërcesh në Londër në Angli është një rrugë që kërkon sakrifica dhe patjetër sfida. Nuk është e lehtë për një 17-vjeçar të ikësh e të jetosh i vetëm në një qytet të ri, por kjo sakrificë të mëson shumë dhe arrin të njohësh veten tënde 100%.

Të jepet edhe një liri që duhet të jesh shumë i fortë të mos e shpërdorosh e duhet të sakrifikosh shoqërinë, argëtimet dhe ta shpenzosh në studio kohën duke punuar dhe u përmirësuar çdo ditë. Une ia kam dedikuar kohën time 90% baletit. Isha i inspiruar të që të arrija legjendat e baletit, që ishin shembujt e mi. Kisha uri për të mësuar. Dhe kjo është një gjë e rëndësisshme që të ndihmon të kalosh sfidat, të ecësh përpara.
 
 
Jemi kurioz të dimë pak edhe për profesorët e tu të baletit, çfarë ke mësuar prej tyre?
 
-Gjatë këtij udhëtimi kam studiuar me shumë profesorë italianë dhe gjithmonë sa më të mirë. Secili prej tyre ka besuar shumë te mua, dhe unë i kam dhënë gjithmonë një arsye për të besuar tek mua. Pata fatin qjë u njoha me Ilir Shaqirin dhe nënën e tij Desin (Mukades Erebara Shaqiri) dhe studiova në shkollën e tij në Romë. Atje kalova në një nivel tjetër studimi, ku Iliri me pasionin e tij dhe eksperiencën e rrallë më ka hapur sytë në botën e baletit e profesionalizmit dhe nëna e tij Desi, një mjeshtre e jashtëzakonshme më ka mësuar perfeksionin në teknikën time.

Duke nisur punën me Ilirin në Itali për balet mësova edhe mënyrat sesi të komportohesha me njerëz profesionalë. Pastaj shkova në një shkollë në Forli, "Ateneo Danza", ku kisha fituar një bursë studimi për një vit. Atje studjova me Stefania Sansavini dhe Cinzia Maestri.

Ato ishin jashtëzakonisht të mira dhe më kanë formuar teknikën klasike dhe teknikën e Jazz-it modern. Ishin ato që më kanë dhënë mundësinë të bëja provimin dhe audicionin për shkollat më prestigjoze në Angli dhe në Europë. Atëherë kalova audicionin për të hyrë tek "Rambert School of Ballet and Contemporary Dance” në Londër, shkolla prestigjoze ku kam studiuar 3 vjet, qjë që është plot me mësues fantastikë me eksperiencë botërore. Emra të mëdhenj si Ross Mckim, Stephen Sheriff, Ayumi Hikasa, janë ata që më kanë dhënë anën profesionale të një balerini 20-vjeçar.


Ke ikur që në moshën 5-vjeçare, çfarë mendon se të mungon nga Shqipëria, nga vendlindja jote?
 
-Në momentin që mua më duartrokisin në skenën e baletit të Europës si në Spanjë, Angli, Gjermani, Itali, ëndërroj të kem duartrokitjet dhe admirimin e bashkatdhetarëve të mi në vendlindjen time në Shqipëri. Dua që artin tim ta vë në shërbim të popullit tim një dite, sepse në çdo koreografi timen që tani unë mundohem të vë një pjesë Shqipërie. Ja në tuneun e prillit ne kemi një pjesë me valle popullore shqiptare dhe paraqesim motive të kulturës shqiptare dhe angleze, dy gjëra që ne i kemi brenda në gjakun tonë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

1/3
  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Pasojat që la pas uragani 'Helene' në SHBA, 64 persona humbën jetën, miliona shtëpi pa energji elektrike

Pasojat që la pas uragani 'Helene' në SHBA, 64 persona humbën jetën, miliona shtëpi pa energji elektrike