​Nga foltoret e tij live, Sali Berisha ka marrë sërish përsipër të bëjë gjykatësin e moralit mediatik në Shqipëri. Ai u lëshua me gjuhë të shthurur ndaj një televizioni kombëtar dhe pronares së tij, duke e etiketuar si “mafia e fjalës së lirë” dhe duke folur për “miliona të grabitura mediatike me Ramën që përdoren për mashtrim”.

Në veshët e një publiku që nuk vuan nga amnesia kolektive, ky fjalor nuk prodhon më habi. Ndoshta, thjesht një buzëqeshje të hidhur ironie. Kur hap gojën Saliu për “media të kapura” dhe “mashtrim”, pyetja e parë që lind natyrshëm është: Kush po flet? Kampioni i pacipërisë në mashtrim dhe xhelati historik i lirisë së fjalës në Shqipëri, sot ka veshur mantelin e predikuesit.

Trau në syrin e predikuesit

Përpara se të bëjë skanerin e mediave të tjera, Berisha do të bënte mirë t’u shpjegonte shqiptarëve se me çfarë parash, me çfarë burimesh dhe nën çfarë interesash funksionon perandoria e tij mediatike.

Berisha flet për korrupsion të Ramës në media, por nuk ka nevojë për imagjinatë të madhe për të kuptuar se ku investohen paratë e korrupsionit të tij, të mbledhura gjatë viteve të pushtetit, paratë e aferave që sot janë nën hetim apo të shpallura “non-grata” ndërkombëtarisht.

Me to është ngritur një infrastrukturë e pastër e mashtrimit mediatik, një fabrikë sulmesh të përditshme, e mishëruar në një platformë që funksionon si mburojë familjare dhe politike. Ky është syri që nuk e sheh traun te vetja.

Të akuzosh të tjerët për mashtrim, ndërsa menaxhon vetë një makineri të tillë të propagandës dhe fabrikimit mediatik me standard militant kafeneje, është kulmi i cinizmit politik.

Historik i përgjakur

​Nëse ka një politikan në historinë post-komuniste të Shqipërisë që nuk ka asnjë të drejtë morale të shqiptojë fjalën “media”, ai është Sali Berisha. Memoria e gazetarisë shqiptare mban ende shenjat e dhunës së pushtetit të tij. Rikujtesa historike është një detyrim. E ka nisur dhunën që në vitet ’90  kur gazetarët rriheshin rrugëve nga SHIK-u famëkeq, vetëm pse guxonin të shkruanin kundër regjimit të autokratit të ri.

Djegia e një redaksie gazete në 1997 është ngjarje e paprecedentë në Europën Lindore. Jo vetëm redaksia e gazetës më të madhe të kohës u dogj dhe u shkrumbua, por një gazetar i ndodhur brenda u linçua me pasoja të përjetshme. Dhjetëra të tjerë në vite janë përndjekur, kërcënuar dhe rrahur. Jo më kot mediat perëndimore e kanë quajtur qeverisjen e tij, regjim gangsterësh dhe armik të medias.

Ky është historiku real i Saliut mediatik. Censurë e egër, dhunë fizike dhe eliminim i zërave kritikë. Ky njeri sot kërkon të djegë besueshmërinë e mediave me fjalë, duke përdorur të njëjtën metodë, fyerjen dhe denigrimin personal të kujtdo që nuk i nënshtrohet.

Linçimi i grave, gjuha e dëshpërimit

Por, në arsenalin e tij të sulmeve, ka një pikë ku zbret në nivelin më të ulët njerëzor. Linçimi i egër dhe sistematik i grave. Kur i drejtohet Vjollca Hoxhës, pronares së Top Channel, me etiketime si “kumarxheshë”, Berisha prek pikërisht kufirin që nuk duhet kaluar kurrë ndaj një gruaje dhe një nëne që prej vitesh drejton me sukses një nga investimet më të mëdha mediatike në Shqipëri.

Një sipërmarrëse në vorbullën e egër të biznesit dhe jetës publike në Shqipëri mund të përballet me kritika apo dritëhije, por të sulmohet me një fjalor të tillë fyes e rrugaçëror është thjesht dëshmi e një dëshpërimi biologjik e politik.

Kjo sjellje, në fakt, nuk është një aksident retorik. Është fytyra e vërtetë e një lideri që përgjatë gjithë karrierës së tij politike është sjellë si palaço me dinjitetin personal të grave, vajzave dhe nënave të kundërshtarëve të tij, duke shpërfaqur një mentalitet të prapambetur, patriarkal dhe primitiv.

Në arsenalin e sulmeve të tij pa fund, ky është një tjetër moment ku politika rrëzohet dhe mbetet vetëm degradimi moral. Kur ky lloj degradimi vjen nga një njeri që me profesion është mjek, nga dikush që ka bërë betimin për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin njerëzor, kjo gjuhë bëhet thjesht e pështirë.

​Kampioni i mashtrimit publik

Sa i përket akuzës për “mashtrim”, Berisha mbetet padyshim kampioni i padiskutueshëm në këtë disiplinë. Një lider politik që ka ndërtuar karrierën e tij mbi gënjeshtrën, nuk mund të jetë kurrë etaloni i së vërtetës.

Mbi të gjitha, ky që akuzon sot pronarët e mediave se bëjnë korrupsion me Edi Ramën, harron se është vetë bashkëpunëtori dhe përfituesi kryesor i kësaj makinerie pushteti. Ky është teatri i madh i hipokrizisë shqiptare. Ditën lëshohen mallkime e dënesa nga dritaret dhe foltoret, ndërsa natën firmohen lejet, licencat dhe statuset e investitorëve strategjikë për bizneset e lidhura direkt me familjen e tij.

Ata jetojnë në një simbiozë të plotë e të llumtë me Ramën. Janë armiq publikë për konsum të militantëve, por ortakë të palëkundur kur vjen puna te ndarja e tortës së pasurisë kombëtare dhe mbrojtja e interesave të ngushta oligarkike.

Në këtë kontekst sulmet e tij të fundit ndaj mediave nuk janë asgjë më shumë se një përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur gjallë këtë narrativë lufte. Kur nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti institucional dhe kur pesha e të kaluarës rëndon mbi supe, zgjidhja e vetme që i mbetet është shkolla e përhershme e baltës.

Shqipëria e vitit 2026 nuk është më ajo e vitit 1997. Publiku mund të jetë kritik ndaj medias, dhe ka plot arsye për të qenë, por kurrë nuk do të pranojë që leksionet e lirisë së shtypit dhe të ndershmërisë t’i marrë nga njeriu që lirinë e medias e ka shtypur me zjarr dhe me leva.