Mbrëmjen e se premtes, publiku durrsak pati mundësinë të ndiqte shfaqjen “Urlo Mediterraneo” (Klithma Mesdhetare). Ky produksion ndërthuri kërcimin bashkëkohor, muzikën dhe dramaturgjinë, për të sjellë në skenë dramën e emigracionit në Mesdhe dhe veçanërisht atë të shqiptarëve.

Programi përfshiu interpretimin e melodive arbëreshe “Në bri të një shatërvani”, “Luli zemra ime”, “Vallja e Pierut” dhe “Ishte një ditë e mojit t’majit”, të interpretuara nga Jusuf Beshiri & Osfa String Quartet, ndërsa në skenë performuan artistët e kompanisë italiane të vallëzimit bashkëkohor ITAI Compagnia Danza Contemporanea.

Shfaqja u drejtua nga regjisori dhe koreografi italian Lino Privitera, ndërsa dramaturgjia mbajti firmën e autores Lina Prosa, e njohur ndërkombëtarisht për veprat e saj mbi emigracionin dhe krizën humanitare në Mesdhe.

Vepra u frymëzua nga teksti i Prosa-s “Ritratto di naufrago numero zero”, duke sjellë në skenë historinë e një gruaje që përballet me pasojat tragjike të emigrimit dhe humbjes.