Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Klos të Matit. Një shtetas 66-vjeçar, teksa ka tentuar të kalojë lumin Mat, është marrë nga rrjedha e fortë e ujit.

Trupi i pajetë i Xhemal Zhukut është gjetur disa kilometra më larg, pa shenja jete, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Në kërkime kanë marrë pjesë shërbimet e Policisë, familjarët dhe banorë të zonës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

Njoftimi i policisë: 

-Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:00, është marrë informacion se shtetasi Xh.Zh., banues në fshatin Fshat, bashkia Klos, kishte humbur kontaktet me familjen e tij. 

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me familjarët, kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij.

Si rezultat, mëngjesin e sotëm, në rrjedhën e lumit Mat, në fshatin Fshat, u gjet trupi i pajetë i shtetasit Xh.Zh., 66 vjeç. Nga veprimet paraprake të kryera,  dyshohet se 66-vjeçari, gjatë tentativës për të kaluar lumin, është marrë nga rrjedha e tij dhe për pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.