Ministri i Turizmit Blendi Klosi ishte ditën e sotme në plazhin e Pishave të Buta në Golem ku u takua me strukturat përgjegjëse për menaxhimin e sezonit turistik 2019. Klosi tha se aksioni për sigurimin e zonave të lira në bregdet do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe se do të ketë ZERO tolerancë për bizneset që zënë këto hapsira.

Sipas tij, plazhe te tjera publike janë liruar edhe ne stacione te tjera plazhesh, qe mbulohen nga bashkia Kavajë, per te vijuar me realizimin e të njëjtit procesi edhe në plazhet. që mbulohen nga bashkia Durrës.

 “Jemi gjatë gjithë gjatësisë së bregdetit shqiptar nga kufiri më verior në Velipojë deri në Konispol poshtë në jug, nën drejtimin e prefektëve dhe patronazhimin e të gjithë kabinetit qeveritar për të zhvilluar një aksion të shpejtë gjatë këtij sezoni për të realizuar vendimin e Këshillit të Ministrave i cili në radhë të parë kërkon të sigurojë hapësirat publike të cilat nuk janë të uzurpuara nga privatët, nga vendosja e çadrave dhe nga vendosja e shezlonëve për të gjithë hapësirën e bregdetit dhe siç e shikoni këtu nën drejtimin e prefektes së Tiranës, dhe me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve që janë në këtë zonë për të realizuar këtë operacion, kemi një hapësirë të konsiderueshme, prej 2 mije metrash katrore, në një nga plazhet më të bukura te Golemit, qe tashmë i ofrohet publikut.

Tabelat e vendosura kudo në territorin e plazhit shqiptar tashmë janë hapësira për njerëzit e thjeshtë të cilët kanë mundësi të pushojnë të pashqetësuar nga operatorët privatë. Ne nuk jemi kundër biznesit privat, e nxisim që të realizojnë biznesin e tyre, të ofrojë cilësi shërbimi, akomodim dhe standard, por zbatimi i rregullave do të jetë i barabartë për të gjithë. Dhe kjo po zbatohet tashmë nën drejtimin e Task Forcës. Hapësirat publike për ato të cilët duan të pushojnë në këto hapësira, sigurimi maksimal i jetës së qytetarëve në këto stacione plazhi ku ka disa elementë të kësaj sigurie si në det dhe në ambientet ku realizohet ky aktivitet dhe e treta; pastërtia. Për të tre këta elementë ne do të kemi tolerancë 0 dhe sic e shikoni në të gjithë zonën e bregdetit ka tashmë Task Forca të cilat po punojnë për të realizuar me përpikëri secilën prej tyre.

Ky operacion do te vijoje gjate gjithë sezonit veror dhe forcat e rendit janë të porositura që të ruajnë këto hapësira për publikun dhe të menaxhojnë në mënyrë sa më të sigurt sezonin turistik. Jemi në një sezon që ka filluar i suksesshëm, kemi një rritje të numrit të turistëve të huaj edhe krahasuar me vjet, duhet që paralelisht me shtimin e  kapaciteteve akomoduese të kemi më shumë rregulla për menaxhimin e sektorit publik dhe menaxhimin e plazhit. Ndaj gjithmonë e më shumë po del detyra dhe AKB e ka marrë këtë detyrë për të krijuar një sistem më të përqendruar menaxhimi të hapësirave publike ne plazhe”, tha ministri Klosi.