Në Ditën e Rinisë, ministri i Turizmit Blendi Klosi mori pjesë në Panairin e parë të Sporteve të Aventurës, ku dha një lajm të mirë që përfshin edhe këtë kategori.

Në fjalën e tij, Klosi bëri me dije se vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë paketën e parë turistike, e cila sipas tij do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve.

“Viti 2018 do të shquhet si viti që përfshin për herë të parë paketën e plotë turistike. Shqipëria e bukur nuk duhet të jetë në syrin e turistëve e pistë, ashtu siç kemi dëgjuar”, ka deklaruar Klosi.

Ministri theksoi se, në kuadër të paketës do të krijohen grupe profesionale shpëtimi, të cilat do të kujdesen për jetën e çdo turisti që vjen në vendin tonë.

Një tjetër premtim i tij ishte ndërtimi i kurorave të gjelbra, që parashikon mbjelljen e 20 milionë pemëve.

Sipas Klosit, turistët e huaj janë të lodhur duke pritur në radhë për të parë antikitetet e Romës apo bukuritë e Parisit dhe Londrës, “ndaj ne i ftojmë këta turistë të vijnë të shikojnë Shqipërinë e Nën Terezës”, tha ai.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com