Klosi: Shqipëria e rrezikuar nga
terrorizmi, organizim strukturave

Klosi: Shqipëria e rrezikuar nga<br />terrorizmi, organizim strukturave
Ish kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi, shprehet se Shqipëria është e rrezikuar nga sulmet terroriste, pas goditjes një ditë më parë në Bruksel, 5- muaj nga atentatet e Parisit me 130 të vdekur. I ftuar në studion e Report TV, Klosi tha se është papërgjegjshmëri të thuhet e kundërta në këtë situatë, apo të aludohet me shumicën myslimane në vend si faktor imun ndaj goditjes së terrorizmit. 

Sipas tij, terrorizmi ka vrarë edhe brenda xhamive të Irakut, çka do të thotë se ata nuk kanë faktor fetar në qëllimet e tyre.  
"Shqipëria është e rrezikuar. Ne kemi ushtarë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, në Irak, pra është e rrezikuar. Ata janë të interesuar të bëjnë bujë dhe këtë e bëjnë në vendet e mëdha, në aeroporte ku faktori i sigurisë kërkohet të jetë më i lartë dhe ata thonë se ne e thyejmë, jemi profesionistë. Mbase në Shqipëri kjo nuk jep efektin që bën në Paris. Por kjo nuk na bën të jemi të qetë, përsa kohë jemi pjesë e NATO-s", u shpreh Klosi.

Ai theksoi se për t'i paraprirë çfarëdolloj rreziku, Policia dhe Ushtria duhet të merren me këtë çështje. "Duhet një riorganizim i strukturave të Sigurisë që të jemi të përgatitur", tha ai.

Shqiptarët e kthyer nga ISIS, Klosi tha se duhen mbajtur në vëzhgim.

Ndërkaq, për ish kreun e SHIK, atentatet në Bruksel nuk erdhën se dështuan shërbimet e Inteligjencës belge. Sipas tij, sulmet terroriste janë të vështira të ndalen, përsa kohë mënyra e goditjes së tyre është e paparashikueshme si dhe janë të stërvitur e të edukuar për këtë punë.

Gjithashtu, ai thekson se NATO dhe BE, duhet të ndërmarrin sulme ushtarake në terren për të asgjësuar militantët e ISIS.
 
Pas këtyre sulmeve, mendoni se ka dështuar shërbimi i inteligjencës belge?
Nuk mendoj kështu. Këta janë individë që kanë pranuar të vetëflijohen. S'është aq e thjeshtë të merresh me këta. Se janë specialistë, të stërvitur, të edukuar për këtë punë. Edukimi i tyre fillon që fëmijë. Problemi është shumë i vështirë. Dhe s'mund të thuash se është defekt i vetëm shoqërive informative. është e gjithë Europa e infektuar në këtë problem. Franca i ka pranuar këta, i ka pranuar edhe Belgjika. Grupet terroriste nuk janë i gjithë komuniteti që ka ardhur nga Afrika Veriore dhe sot jetojnë në Belgjikë e Francë.
 
Këto sulm e erdhën 4 ditë pas arrestimit të kryeterrorist, trurit të ngjarjeve të Francës. Ishin menduar kohë më parë këto sulme? Se këto katër ditë u është gjetur një komunikim audio vëllezërve të atentatit...
Fakti që ishin disa shpërthime, 3-4, njëherazi, duket se ishte e organizuar. Ishte e tërë Europa në atë zonë, Brukseli ishte i mobilizuar. Pra, për 3-4 ditë është e pamundur, sepse kërkon kohë.
 
Pse vepruan kaq shpejt?
Ky duhet të ketë qenë plani, që ju kapet njërin prej nesh, por ne jemi gati të bëjmë edhe gjëra të tjera. Problemi i këtyre është të bëjnë efekt se ata janë, prandaj këta kanë ngritur në këmbë të gjithë Europën. U bënë pjesë e medias në të gjithë Europën, e në të gjithë Botën dhe duan të thonë mos kujtoni se ne nuk jemi, se ne mund të bëjmë dhe këtë. Dhe paralajmërimet e tyre janë se ne jemi sërish, e do të bëjmë të njëjtën gjë. Kërkojnë të bëjnë sa më shumë bujë. Ata shpresojnë se nëpërmjet këtyre gjërave do të fitojnë ndonjë gjë tjetër nga buja që duan, ndoshta i gënjen mendja se duan të nënshtrojnë një koalicion të madh si NATO.
 
Ç'mendim keni për këto metoda që po përdorin, bomba me gozhdë dhe vida? Armë zjarri nuk janë gjetur...
Unë e shikoj si fenomen. Një gjë e përbashkët e akteve terroriste, është të bëjnë sa më shumë efekt, se ne jemi të rëndësishëm. Pavarësisht se shumë prej tyre po arrestohen dhe po vriten. Ato bomba me gozhdë e copa xhami, janë pjesë e kësaj strategjie.
 
Nuk janë përgatitur për 3-4 ditë d.m.th?
Jo. Vende të tëra të BE kanë qenë në gjendje alarm. Si Gjermania, Franca, Belgjika gjithashtu. Por, përsëri ata ia dalin. U paraqitën si tre persona me valixhe, pra në dukje një gjë e zakonshme. Derisa duan të bëjnë atë që kanë planifikuar, ata janë njësoj si njerëzit e zakonshëm. Edhe pse ka kamera monitorimi gjithandej, sërish ata janë të përgatitur për këtë punë. Është një gjë e përgatitur, por unë them se problemet nuk janë vetëm policore, apo të shërbimeve. Të mos harrojmë se ISIS është mbështetur në fillim, por jo për këto qëllime, por gjatë "pranverës arabe", u bënë disa gabime, madje perëndimi i furnizoi edhe me armë. Është një dështim. U nis me vullnet të mirë, shpresë se në këto vende do të vinte një regjim demokratik, pa parashikuar deri në fund se çfarë mund të ndodhte më pas.
 
Mendoni se duhet zgjidhur në origjinë?
Ka një zgjidhje afatgjatë dhe një zgjidhje afatshkurtër. Mobilizimi, ushtria e policia, është zgjidhja afatshkurtër. NATO-s i ka mbetur vetëm një "armik" i madh, që konsiderohet Rusia, tjetër s'ka. Terrorizmi konsiderohet sot kërcënimi më i madh. Më i rrezikshëm është paniku që përhapet, frika, mosbesimi që krijohet se shteti s'është në gjendje të mbrojë jetën e fëmijëve në shkollë etj. Problemet afatgjata janë të politikës. Duhet tjetër politikë. Kjo është një luftë ideologjike dhe këto janë më të vështirat, nuk është aq e lehtë. Duhet të rritet mobilizimi, serioziteti i politikës europiane e botërore. Politika ka pjesën kryesore të luftës afatgjatë që duhet të bëjë. ISIS duhet zhdukur nga forcat tokësore, që sot të gjithë hezitojnë. Nuk e di a janë realisht përfaqësues të ISIS këta që organizojnë sulmet, por janë të frymëzuar nga ISIS. Sa më shpejt duhet eliminuar kjo qendër që i frymëzon.
 
Po deklaratat e Obamës për aktin terrorist, kryeministri francez ka deklaruar se jemi në luftë...
Europa po merret këtë kohë me dyndjen e emigracionit. Kjo po ve në pikëpyetje bazat e BE. Probleme vërtetë shumë të mëdha edhe për menaxhimin teknik të krizës. Edhe kjo zgjidhjen e ka në origjinë, atje ku është krijuar. Europa e BE duhet të investojnë për të ndaluar luftën dhe faza e dytë, duhet një plan "Marshall" në mënyrë që këto vende të kthehen në kushte normale jetese. Zgjidhja e vërtetë që duhet të jepte BE, një strategji se si do të zgjidhen të dy këto probleme.
 
Autorët, kamikazët, nuk ishin të panjohur për Belgjikën. Turqia është shprehur se njëri prej tyre, u deportua ndërsa u lirua në Belgjikë...
Këto janë vende me demokraci të zhvilluar. Avokati atje është shumë i fortë dhe pa prova nuk mund të mbahet kush. Sigurisht që edhe shërbimet nuk janë të pagabueshme, por këta njerëz, do të përfitojnë edhe demokracia. Një sistem gjyqësor që kërkon vërtetë prova të forta, ka bërë këtë. Belgjika është sot qendër tradicionale e shumë komuniteteve, sepse mesa duket sistemi demokratik është më tolerant. Më vjen mirë që për këtë problem, ushtria po futet gjithnjë e më shumë. Kjo është një gjë e mirë.
 
Pas Brukselit, a është e rrezikuar Shqipëria nga sulmet terroriste?
Do ishte papërgjegjshmëri të thuhej "Jo" në këtë situatë, apo se jemi në shumicë myslimanë. Terrorizmi ka vrarë në Irak, në xhami kur po faleshin myslimanë të pafajshëm. Për mua terrorizmi nuk ka faktor fetar, por përdoret, është sebepi, jo bërthama e terrorizmit. Shqipëria është e rrezikuar. Kemi  ushtarë në Afganistan, në Irak, pra është e rrezikuar. Ata janë të interesuar të bëjë bujë dhe këtë e bëjnë në vendet e mëdha,  në aeroporte ku faktori i sigurisë kërkohet të jetë më i lartë dhe ata thonë se ne e thyejmë, jemi profesionistë. Mbase në Shqipëri kjo nuk jep efektin që bën në Paris. Por kjo nuk na bën të jemi të qetë, përsa kohë jemi pjesë e NATO-s. Policia dhe Ushtria duhet të merren me këtë çështje, duhet një riorganizim i strukturave të sigurisë që të jemi të përgatitur dhe të mos jemi nesër të papërgatitur. Përgatitja nuk është kurrë e tepërt, duhet ta ndjejmë veten më të sigurt. Hyrja e të huajve në Shqipëri nuk është e vogël. Edhe njerëzit duhet të bëhen më të përgjegjshëm, nëse dikush sheh diçka të dyshimtë, sikur njëherë të kontribuojë. Edhe opozita në këto situata duhet të jetë më e përgjegjshme, sepse duhet mbështetur policia, media duhet të jetë më e përgjegjshme, edhe pse në shumë raste mund të mos dalë gjë.
 
Shqiptarët që luftojnë për ISIS, sa të rrezikshëm janë?
Ata njerëz që kanë qenë andej, për shkak të indoktrinimit që kanë marrë, duhen mbajtur në vëzhgim. Dhe duhet treguar kujdes. Kam dëgjuar se shumë prej tyre kanë ikur dhe janë kthyer në Shqipëri, sepse nuk e kanë përballuar atë që kanë parë atje. Por gjithsesi këtu nuk është ambienti që ata të bëhen efektivë. 

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Në dokumentet e vetë Ministrisë së Mbrojtjes, që në shkurt 2002, doli në ballë të mashtrimeve për datën e çlirimit, 28 nëntori ‘44, figuron si datë e çlirimit të Shqipërisë'/ Polemika e historianit të njohur

'Në dokumentet e vetë Ministrisë së Mbrojtjes, që në shkurt 2002, doli në ballë të mashtrimeve për datën e çlirimit, 28 nëntori ‘44, figuron si datë e çlirimit të Shqipërisë'/ Polemika e historianit të njohur