Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të duhet të rimarrë në shqyrtim një kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedimin disiplinor të prokurores së Korçës Anjeza Kalanxhi. Gjykata Administrative ka rrëzuar të martën, vendimin e KLP-së e cila kishte refuzuar që prokurores t’i jepej masa e “vërejtjes publike”, ndonëse ajo, për të kundërshtuar një vendim të Apelit të juridiksionit të Përgjithshëm, nuk kishte pritur ecurinë ligjore të rastit për ankimim nga ana e kolegëve të saj në Gjykatën e Lartë, por i ishte drejtuar me një letër, duke i bashkangjitur dhe aktet hetimore, disa institucioneve të Drejtësisë, madje dhe ambasadës amerikane.

“Kemi raste ku prokurorët e shkallës së parë ankohen për vendime të Apelit. Kemi arritur në një pikë, ku prokurorët vendosin në diskutim atë që vendos Apeli. Bëjnë letër, i drejtohen institucioneve e ambasadave ku ngrenë çështje që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e gjykatave të Apelit. Është e papranueshme e pa konceptueshme”.

Kjo deklaratë e bërë nga prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, në Komisionin e Ligjeve më 14 tetor të vitit të kaluar, mbështetej në të paktën 1 rast konkret, atë të prokurores së Korçës Anjeza Kalanxhi, e cila kishte habitur jo pak, disa prej institucioneve të Drejtësisë.

Një vendim i Apelit të juridiksionit të Përgjithshëm, që ndryshonte nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, masën për një të pandehur, në një proces në shkallë të parë, ku ajo mbronte akuzën, kishte shkaktuar një reagim të pazakontë të Kalanxhit, përtej dhe çdo procedure ligjore.

Ndonëse një prokurore pranë një gjykate të shkallës së Parë, ajo kishte sulmuar vendimin e Apelit si “të paprecedentë, haptazi abuzive dhe të pambështetur në ligj e në prova”, një vlerësim që në fakt i takonte kolegëve të saj të Apelit, të cilët kishin dhe tagrin që nëse do të vlerësonin të tillë ta çonin çështjen në Gjykatën e Lartë.

Kalanxhi i ishte drejtuar me një shkresë zyrtare Prokurorit të Përgjithshëm, Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë e deri dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarit të Apelit. Përveç faktit që kishte anashkaluar titullarin e Prokurorisë së Korçës, duke e nënshkruar vetë shkresën, ajo i kishte bashkangjitur ankesës së saj dhe të gjithë dosjen me fashikujt e akteve hetimore, mbi 20 të tilla.

Por ankimi në ILD, i ka kushtuar prokurores Kalanxhi. Inspektori i Lartë, jo vetëm që refuzoi ankimimin e saj, por dhe nisi një hetim disiplinor me iniciativë, në përfundim të të cilit vlerësoi se prokurorja kishte kryer disa shkelje, që nga nënshkrimi i shkresave pa patur kompetencën për këtë, te nxjerrja e akteve hetimore, publikimi i të cilave mbart rrezikun e pasojave në dëm të hetimit e për pasojë humbjen e besimit të publikut te funksioni i organit të akuzës.

Megjithatë, duke marrë në konsideratë që bëhej fjalë për një prokurore të re, me dy vjet eksperiencë në detyrë e që kryente një shkelje për herë të parë, ILD kërkoi si masë disiplinore për të vetëm “vërejtje publike”.

Por për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, asnjë nga veprimet e prokurores Kalanxhi nuk përbënte shkelje. Në fakt anëtarët e Këshillit ishin ndarë në numër të barabartë votash, 5 me 5 në vendimmarrjen për këtë çështje, dhe ajo që ka bërë diferencën, ka qenë qëndrimi i kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani, vota e së cilës ka një peshë specifike, në rastet kur ka një barazim mes anëtarëve. E duke qenë se ajo ishte rreshtuar në mbrojtje të prokurores Kalanxhi, edhe vendimi përfundimtar i Këshillit mbeti i tillë. Por ILD, nuk u pajtua me qëndrimin e KLP-së dhe e çoi çështjen në Gjykatën Administrative, e cila dy ditë më parë e rrëzoi vendimin e marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Pritet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i mëtejshëm, nëse Këshilli, pavarësisht një vendimi të marrë falë një mekanizmi zhbllokues, do ta ankimojë në Apel, apo do të rishqyrtojë kërkesën e ILD-së për masën disiplinore ndaj prokurores së Korçës.