AUSTRI – Shqipëria do të bashkëpunojë në fushën e auditimit me një nga institucionet ndërkombëtare më në zë në botë në këtë fushë, me Gjykatën e Audituesve të Austrisë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka njoftuar se sot, në Vjenë të Austrisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me homologun e tij, Presidentin e Gjykatës së Audituesve të Austrisë dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshem i INTOSAI, Dr. Josef Moser.

Ky dokument konsiderohet me shumë vlera për KLSH-në, pasi institucioni i auditimit të Austrisë, krahas traditave audituese 250 vjeçare është ndër institucionet më moderne dhe profesionale në Evropë dhe Presidenti i tij dr. Josef Moser përfaqëson një nga figurat më të njohura në komunitetin e auditimit suprem në botë.

Nëpërmjet mbështetjes së parashikuar në marrëveshje, KLSH dhe Gjykata e Audituesve të Austrisë do të shkëmbejnë eksperiencë në veprimtarinë e tyre audituese, përmes vizitave të punës, trajnime për audituesit shqiptarë, mundësisë për auditime të përbashkëta, etj.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)