Prokuroria italiane ka kërkuar 24 vite burg për Moreno Violetton, 45 vjeç, i akuzuar për vrasjen e shqiptarit Fatos Cenaj, 59 vjeç, ish-punonjës sigurie, i cili u ekzekutua me armë zjarri në qershor të vitit 2025 në Fontaniva, në provincën e Padovës.
Kërkesa u paraqit të hënën, më 9 nëntor 2026, nga prokurorja Maria Ignazia D’Arpa. Violetto, i cili ka pranuar autorësinë e krimit, akuzohet për vrasje me dashje.
Ngjarja ndodhi më 8 qershor 2025, kur Cenaj u qëllua me armë në kokë, ndërsa po lëvizte me biçikletë. Sipas hetuesve të Karabinierëve, autori dyshohet se e qëlloi shqiptarin nga një distancë e afërt. Shkak për krimin dyshohet të kenë qenë konfliktet e vazhdueshme mes fqinjëve.
Pas vrasjes, 45-vjeçari italian dyshohet se u përpoq të pengonte zbardhjen e ngjarjes, duke u maskuar dhe duke ndërhyrë në oraret e regjistruara nga kamerat e sigurisë në banesën e tij, me qëllim krijimin e një alibie.
Violetto u arrestua në dhjetor të vitit 2025, disa muaj pas ngjarjes.










Komente
Komento