Pas kotrollit të ushtruar në bashkinë Kavajë, janë konstatuar parregullsi në administrimin e vlerave monetare. Dëmi ekonomik në këtë bashki arrin në 24. 753 713 lekë. KLSH ka kallëzuar penalisht 6 punonjës së kësaj bashkie.
Ndërsa në bashkinë e Kuçovës, dëmi ekonomik shënon vlerën 5.823 874 lekë.
Gjithashtu, edhe në komunën Gjinar, në Elbasan, janë konstatuar shkleje të prokurimeve pulbike.
Për Komunën Levan, në Fier, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht 7 persona, pasi gjatë auditimit janë kosntatuar shkelje në shumën 8 868 913 lekë.
Ja auditimi i plotë i KLSH-së:
Mbi rezultatet e auditimit në Bashkitë Kavajë, Kuçovë, dhe në komunat Gjinar, Qarku Elbasan dhe Levan, Qarku Fier
4 kallzime penale ne Prokurori per 20 persona punonjës dhe ish-punonjës të këtyre bashkive dhe komunave
Në muajt mars-prill 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi materialet e auditimeve të ushtruara në Bashkitë Kavajë dhe Kuçovë, si dhe në komunat Gjinar dhe Levan, me objekt: “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare, për periudhën e veprimtarisë 01/01/2011 deri më 31/12/2012”.
Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Kavajë, të përfunduar në fund të muajit mars 2013, krahas punës së bërë, KLSH ka konstatuar dhe mjaft parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, si në drejtim të administrimit të vlerave materiale e monetare, në kryerjen e pagesave dhe në procedurat e prokurimit publik, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 24,753,713 lekë.
Kjo vlerë dëmi është konstatuar dhe evidentuar kryesisht në fushën e prokurimit publik, shkaktuar nga:
1. Skualifikimi i operatorëve ekonomikë që kanë paraqitur ofertë më të ulët në vlerën 12,788,587 lekë, në kundërshtim me kërkesat specifike të tenderave përkatës dhe përcaktimet e parashikuara në nenin 1 të ligjit nr. 9643, datë 20/11/2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar.
2. Rritja padrejtësisht e fondit limit, në tenderin me objekt "Rikonstruksion dhe ngritje kati i godinës së bashkisë”, në vlerën 2,241,505 lekë, në papajtueshmëri me analizat teknike për punimet e ndërtesave të Manualit 2 të miratuar me VKM nr. 708, datë 12.10.2011 "Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe të analizave teknike të tyre".
3. Kryerja e pagesave për punime të pakryera për disa sipërmarrës punimesh në vlerën 3,044,171 lekë.
4. Ndryshimi i çmimeve të shërbimit të pastrimit në vlerën 2,154,620 lekë përfituar më tepër nga operatori ekonomik që ka kryer këtë shërbim dhe pagesa e situacioneve të shërbimit të pastrimit në vlerën 591,793 lekë, pa kryer volume pune; veprime këto të papajtueshme me kriteret e përcaktuara në VKM nr. 319, datë 21.6.1994 "Për prokurimin me sipërmarrje të shërbimeve publike të pastrimit dhe grumbullimit të mbeturinave" dhe në kontratën bazë të lidhur.
5. Pagesa më tepër e një subjekti privat në vlerën 3,186,760 lekë, si pasojë e përfshirjes dhe llogaritjes së t.v.sh.-së mbi vlerën e makinerive, pajisjeve dhe inventarit ekonomik, në papajtueshmëri me kërkesat e Udhëzimit të KM nr. 2, datë 08.05.2003 "Për klasifikimin dhe strukturën e kostos së punimeve të ndërtimit".
Për rrjedhojë, KLSH, bazuar në nenin 281 të ligjit nr. 7905 datë 21.03.1995 "Kodi i Procedurës Penale i RSH" i ndryshuar, ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për 6 persona punonjës të Bashkisë Kavajë, në cilësinë e Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, për konsumim të veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, neni 258 i Kodit Penal, pasi kanë s’kualifikuar padrejtësisht operatorët ekonomikë në 8 tendera me ofertë më të ulët, duke i shkaktuar një dëm ekonomik Bashkisë në vlerën 12,788,587 lekë, në kundërshtim me përcaktimet e parashikuara në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 "Për prokurimin publik", i ndryshuar.
Për përmirësimin e gjendjes dhe mënjanimin e parregullsive dhe shkeljeve financiare në të ardhmen, KLSH ka rekomanduar marrjen e 8 masave organizative; dhënien e masave administrative gjoba të niveleve të ndryshme, si dhe fillimin e procedurave për dhënien e masës "Largim nga shërbimi civil" për 6 punonjës të Bashkisë, si Kryetari i komisionit të vlerësimit të ofertave dhe 5 anëtarë të tij; "Zgjidhje të kontratës së punës" për Kryeinspektorin e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Kavajë, etj.
Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Kuçovë të përfunduar në 15/ditorin e parë të muajit mars 2013, KLSH ka konstatuar mjaft të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit si në drejtim të administrimit material e monetar ashtu dhe në drejtim të prokurimeve publike dhe kontrollit të territorit të cilat kanë sjellë për pasojë një dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë në shumën 5,823,874 lekë, nga të cilat 2,803,111 lekë në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave për punë publike, 1,538,918 lekë në fushën e administrimit material e financiar dhe 1,481,845 lekë në fushën e urbanistikës.
Shkeljet kryesore me pasojë dëm ekonomik janë:
1. Në prokurimet:
a) preventivimi dhe situacionimi më tepër në shumën 12,600 lekë;
b) likuidimi i zërave të punimeve për punë të pa kryer në shumën 950,329 lekë;
c) mospagesa e penaliteteve në shumën 1,421,962 lekë, për punimet e pa kryera;
d) shtimi i vlerës në faturat e blerjeve mbi çmimet e ofertuara në shumën 458,413 lekë;
e) pagesat jo të rregullta për blerjet me vlerë të vogël, në shumën 132,850 lekë,
f) mosarkëtimi i "sigurimit të kontratës" në shumën prej 170,000 lekë, për moszbatim të detyrimit kontraktor.
2. Mosarkëtimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe financimit të studimeve urbanistike për lejet e ndërtimit, në vlerën 1,481,845 lekë.
3. Pagesa më tepër e pagave në vlerën 534,506 lekë nga 6 punonjës,
4. Përfitimi padrejtësisht i pagesës për ditë mbledhje në shumën 121,500 lekë, nga 5 anëtarë të KRRT të Bashkisë Kuçovë, etj.
Për shkeljet e mësipërme dhe dëmin ekonomik të shkaktuar, KLSH ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për “Shpërdorim detyre”, neni 248 i Kodit Penal, për Drejtorin e Ndërmarrjes Komunale dhe Përgjegjësen e Financës, si dhe Drejtorin e Shërbimeve të Transportit të Bashkisë Kuçovë.
Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka rekomanduar 8 masa organizative; 12 masa për shpërblim dëmi në shumën 5,823,874 lekë dhe 27 masa disiplinore, nga të cilat 1 masë
“Largim nga shërbimi civil” për Drejtorin e Shërbimeve të Transportit; 3 masa “Zgjidhje të kontratës së punës” për Drejtorin Ndërmarrjes Komunale, Përgjegjësen e Financës dhe Specialistin e Investimeve, 18 masa “Vërejtje me paralajmërim”, dhe 5 masa “Vërejtje me shkrim”.
Gjatë auditimit në Komunën Gjinar, Qarku Elbasan, të përfunduar në ditët e para të muajit prill 2013, KLSH ka konstatuar shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e prokurimit publik. Më konkretisht, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në shqyrtimin e ofertave, shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës në tenderin elektronik me objekt: "Ndërtim ujësjellësi Garxhe-Pashtresh-Xibër-Kafer-Valesh-Gjinar-Elbasan", kanë shkelur barazinë e pjesëmarrësve në tender, pasi kanë skualifikuar një operator ekonomik privat me vlerë më të ulët në shumën 11,839,512 lekë, në kundërshtim me legjislacionin e prokurimeve publike në fuqi dhe me kërkesat e veçanta të kualifikimit të miratuara nga autoriteti kontraktor.
Për këtë, KLSH ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan për 4 punonjës të kësaj komune në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarit të këtij Komisioni, përkatësisht të Shefit të Sektorit të Financës, Përgjegjësit të Sektorit të Urbanistikës dhe Përgjegjësit të Sektorit të Ndihmë Ekonomike, si dhe të Kryetarit të Komunës në cilësinë e Titullarit të Autoritetit kontraktor, pasi me veprimet e tyre i kanë shkaktuar buxhetit të komunës një dëm ekonomik në vlerën 11,839,512 lekë.
Gjatë auditimit në Komunën Levan, Qarku Fier, të përfunduar në ditët e para të muajit prill 2013, krahas punës së bërë, KLSH ka konstatuar parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore në:
1. Administrimin e aseteve të komunës, si toka; sidomos miratimin e dhënies së lejeve të ndërtimit për objekte biznesi në tokë arë; dhënien me qira të tokës bujqësore të pandara në zbatim të ligjit etj.
2. Dhënien me qira të sipërfaqeve të tokave bujqësore, në papajtueshmëri me VKM nr. 531, datë 21.8.1998 "Për tokat bujqësore të pandara", i ndryshuar.
3. Kryerjen e pagesave të paargumentuara dhe me dokumentacion të paplotë;
4. Kryesisht në procedurat e prokurimit publik sipas kërkesave të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 "Për Rregullat e Prokurimit Publik", i ndryshuar.
Si pasojë e këtyre shkeljeve, buxhetit të Komunës i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 8,868,913 lekë.
Për shkeljet e mësipërme dhe dëmin ekonomik të shkaktuar, KLSH, bazuar në ligjin nr. 7905 datë 21.03.1995 "Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë" i ndryshuar, neni 678 e vijues të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, i ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 "Për urbanistikën", i ndryshuar me ligjin nr. 10078, datë 16.02.2009, neni 50/1, ka dërguar kallëzim penal në organet e prokurorisë për 7 persona, përkatësisht ish-Kryetarin e Komunës në cilësinë e Kryetarit të Bordit të Dhënies me Qira të Tokave Bujqësore të Pandara për 22 raste të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara dhe miratimin e dhënies të 17 leje ndërtimi për objekte biznesi në tokë arë; ish Sekretarin e KRRT të Komunës,; ish-Përgjegjësin e Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Inspektorin e Zyrës së Shërbimeve dhe tre anëtarë të Bordit, lidhur me marrjen e vendimeve për dhënien me qira të tokës bujqësore të pandarë.
Për përmirësiminm e gjendjes, KLSH ka rekomanduar 11 masa organizative; 6 masa për shpërblim dëmi në vlerën 8,868,913 lekë dhe 8 masa disiplinore për punonjës të Komunës, nga të cilat: 1 masë “Zgjidhje e kontratës së punës” për Inspektorin e Zyrës së Shërbimeve dhe 7 masa “Vërejtje me paralajmërim për zgjidhej të kontratës së punës”, për Përgjegjësin e Zyrës së Financës, Përgjegjësin e Zyrës së Taksave dhe Tarifave Vendore, juristin e Komunës etj.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)