KLSH: OST e Albpetrol, dëm
buxhetit me 6.7 mld lekë

KLSH: OST e Albpetrol, dëm <br />buxhetit me 6.7 mld lekë
TIRANË – Në Komisioni i Ekonomisë nisi debati për raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2011-të. Kryetari Bujar Leskaj,tha se ky institucion ka konstatuar se shtetit i është shkaktuar një dëm financiar prej 6.7 mld lekësh nga institucione të ndryshme.
“Dëmi është konstatuar në fushën e prokurimeve pagave dhe shpenzimeve. Dëmi më i madh është shkaktuar nga OST dhe Albpetrol ”, tha Leskaj, i cili drejton KLSH prej pak muajsh. Ai tha se rrezikshmëri të lartë paraqesin shkeljet dhe abuzimet në koncensione, prokurorimet publike, projektet e transportit, etj.
Duke u ndalur te shkeljet e konstatuara nga KLSH dhe referimet që i janë bërë prokurorisë, Leskaj i konsideroi të zbehta marrëdhëniet me organin e akuzës. Sipas Leskajt vetëm 10% e rasteve që janë referuar nga KLSH, janë ndjekur më tej nga Prokuroria.


SHKELJET
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë gjithë vitit që lamë pas, janë kryer 152 kontrolle në institucione të ndryshme, nga ku dhe janë vënë re shkeljet ekonomike dhe ligjore që janë kryer. Ashtu si dhe në vitet e shkuara, degët e doganave dhe ato të tatimeve janë ndër më problematiket. Në 9 nga 17 degë doganore, është arritur të gjendet një dëm prej 184 milionë lekë të reja, shumë që sipas KLSH-së ka ardhur si pasojë e detyrimeve të papaguara apo moszhdoganime.

TATIMET
Abuzime janë regjistruar dhe në degët e tatimeve të disa qyteteve, apo komunave në shumën totale prej 49 milion lekë. Këto shkeljet janë dhe më të shumta në numër krahasuar me doganat, pasi KLSH raporton për mos vjelje të taksave vendore, gabime në llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat, mos pagesë e TVSH-së dhe shkelje të tjera.

MASAT
Për dëmin total prej mbi 6.7 miliardë lekësh, inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë kërkuar dhe rekomanduar 720 masa disiplinore, prej të cilave 59 janë largim nga puna dhe 125 masa administrative me penalizim financiar. Kontrolli i Lartë i Shtetit vë në dukej se janë zbatuar vetëm 536 nga 720 masa të propozuara.

LEGALIZIMET
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit flitet edhe për procesin e legalizimeve, nga ku konstatohet se janë më pak se 4 % personat që kanë marrë titujt e pronësisë në kuadër të procesit të legalizimeve. KLSH ka kryer kontrolle në Agjencinë e Legalizimit në qarqet Tiranë, Durrës dhe Fier, për periudhën nga 1 janari 2009 deri më 30 prill 2011. Nga kontrollet rezultoi se nga 270 000 aplikime për legalizim, 240 000 prej tyre kanë paguar tarifën e shërbimit, nga të cilat vetëm 8712 dosje ose 4 për qind janë dërguar në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t për miratim leje legalizimi dhe për 7039 prej tyre, është kryer ky proces. Sipas KLSH-së, ky fakt tregon për një nivel të ulët performance. Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë dy kallëzime penale për shpërdorim detyre, ka rekomanduar masa administrative dhe disiplinore, si dhe ka kërkuar dëmshpërblimin e një shume prej 42.7 milionë lekësh.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Propozimi i Ramës për ligjin e ri për emigrantët në Britani, Spahiu: I vështirë, por nëse realizohet do ishte gjë e bukur dhe mbështetje

Propozimi i Ramës për ligjin e ri për emigrantët në Britani, Spahiu: I vështirë, por nëse realizohet do ishte gjë e bukur dhe mbështetje