KLSH padit 4 zyrtarë të Ministrisë
së Punës për dëm 23 milionë lekë

KLSH padit 4 zyrtarë të Ministrisë<br />së Punës për dëm 23 milionë lekë
TIRANE- Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori Drejtorin e Kabinetit të Ministrisë së Punës dhe 3 zyrtarë të tjerë, pasi konstatoi parregullsi, shkelje ligjore dhe procedurale në menaxhimin e aseteve dhe fondeve buxhetore të këtij institucioni.
 
Pas autidimit të kryer në këtë ministri, KLSH ka konstatuar se dëmi i shkaktuar nga këto shkelje ligjore llogaritet në 23,728,976 lekë.
 
“KLSH ka bërë katër kallëzime penale në Prokurori me shkresat Nr. 1240/29, Nr. 1240/30, Nr.1240/31 dhe Nr.1240/32, datë 31.05.2013 për veprat penale, "Shpërdorim i detyrës", "Falsifikimit të dokumenteve", "Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën", "Shkeljes së Barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike" për çështje dhe drejtues përgjegjës, ndër të cilët Drejtori i Kabinetit të Ministrit K. B., Këshilltari i Kabinetit të Ministrit Th. K. dhe Drejtore e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse F. B.”- thuhet në njoftimin e KLSH-së.
 
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë kontrollit u konstatuan shumë parregullsi, shkelje ligjore dhe procedurale në menaxhimin e aseteve të ministrisë dhe në drejtim të menaxhimit të fondeve buxhetore, shkelje në blerjen e pajisjeve, organizimin e aktiviteteve, shpenzime të padrejta për shërbime jashtë shtetit, parregullsi në drejtim të organizimit dhe funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror.
 
Gjatë këtij auditimi u konstatuan:
 
1. Blerje e pajisjeve për sallën e mbledhjeve në shumën 1,846,800 lekë, duke mos justifikuar dhe pasur argumente mbi domosdoshmërinë e këtij shpenzimi, për më tepër kur ky shpenzim ishte kryer në fund të vitit 2007. Po ashtu, rezultuan shkelje e kompetencave në procesin e blerjes; përdorimi i fondeve të institucioneve vartëse, pa i transferuar ato sipas përcaktimeve në ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008 "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë; delegimi i procedurave të prokurimit të fondeve të ministrisë, kompetencë e ministrit, institucioneve vartëse, duke copëtuar në këtë mënyrë fondet buxhetore dhe vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 "Për prokurimin publik", të ndryshuar.
 
2. Caktimi i Drejtorit të Kabinetit të Ministrit në mjaft raste si Kryetar i komisioneve të eventeve sociale apo të komisioneve të prokurimit të fondeve, në kundërshtim me funksionet e përcaktuara në Rregulloren e Brendshme të Ministrisë të miratuar me urdhrin e Ministrit nr. 1360, datë 15.06.2010 për detyrat që kryen Drejtori i Kabinetit të Ministrit, apo dhe me funksionet klasike të Drejtorit të Kabinetit të Ministrit në çdo qeveri, dhe konkretisht:
2.a. Ne organizimin e aktivitetit “Prezantimi i mekanizmit kombëtar te referimit te rasteve te viktimave te dhunës ne familje”, kane rezultuar shkelje dhe parregullsi ligjore dhe mungese te konkurrencës, pasi subjektet konkurrues kane qene ne kushtet e konfliktit te interesave, duke shmangur konkurrimin e ndershëm te ofertuesve, me dem ekonomik per Shtetin ne vlerën 1,526.000 Leke.
2.b. Ne organizimin e ngjarjes sociale “Bota femërore, një sfidë me shumë gra në vendim-marrje”, janë paguar shpenzime të pajustifikuara për dekorin e aktivitetit për 7 dite ne vlerën 417.426 Leke.
 
3. Shpenzime të padrejta për shërbime jashtë shtetit në vlerën 10,613 Euro dhe pagesa të tjera të kryera padrejtësisht për Këshilltarin e Ministrit për punë fiktive. Shpenzimet në euro përfaqësojnë rastet kur pala pritëse mbulonte shpenzimet totale ose të pjesshme, ndërsa në urdhrat e shërbimit të firmosura nga Ministri, përcaktohej që edhe Ministria të mbulonte shpenzimet e shërbimit, si dhe raste të shpenzimeve fiktive për pritje- përcjellje të delegacioneve të huaja ose jo, pa dokumente argumentuese dhe justifikuese bashkëlidhur, në kundërshtim flagrant me moralin dhe kërkesat e ligjit. Këshilltari i Ministrit, për periudhën objekt auditimi, gusht 2011 deri më 31 dhjetor 2012, ka rezultuar se ka qenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për 270 ditë, nga të cilat 160 ditë pune të paguara dhe të pajustifikuara dhe ku përgjegjësia direkt për këtë rëndon mbi Drejtorin e Kabinetit të Ministrit.
 
 
4. Parregullsi në drejtim të organizimit dhe funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror(SHSSH), lidhur me nxjerrjen e urdhrave për "revokimin e akteve administrative" të Drejtorit të Përgjithshëm të SHSSH, në kundërshtim me nenin 22 dhe 23 të Ligjit nr. 90, datë 27.9.2012 "Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore", Ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005 "Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore" me ndryshime dhe VKM-së nr. 542, datë 27.7.2005 me ndryshime, duke u bërë pengesë në funksionimin e administratës së SHSSH.
 
5. Moszbatimi nga Titullari dhe strukturat përgjegjëse i rekomandimeve të lëna në auditimet e mëparshme të kryera nga KLSH dhe Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion i Këshillit të Ministrave, për marrjen e masave organizative, shpërblim dëmi dhe masa disiplinore.
 
Për sa më sipër, KLSH ka bërë katër kallëzime penale në Prokurori me shkresat Nr. 1240/29, Nr. 1240/30, Nr.1240/31 dhe Nr.1240/32, datë 31.05.2013 për veprat penale, "Shpërdorim i detyrës", "Falsifikimit të dokumenteve", "Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën", "Shkeljes së Barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike" për çështje dhe drejtues përgjegjës, ndër të cilët Drejtori i Kabinetit të Ministrit K. B., Këshilltari i Kabinetit të Ministrit Th. K. dhe Drejtore e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse F. B.
 
Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka propozuar 2 rekomandime për ndryshim në legjislacionin në fuqi; 40 masa organizative; 25 masa për shpërblim dëmi në vlerën 23,728,976 lekë dhe 10,613 Euro; 4 masa administrative, 3 masa “Zgjidhje e kontratës së punësimit” për Drejtorin e Kabinetit, Këshilltarin e Ministrit dhe Përgjegjësin e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse; 3 masa “Largim nga shërbimi civil” për Drejtoren e Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse, Drejtorin e Përgjithshëm të Politikave, 1 masë “Kalim në një detyrë të një niveli apo klase më të ulët për një periudhë deri në një vit” për Drejtorin e Politikave të Inspektimit në Punë dhe Drejtorin e Shërbimeve të Brendshme;; 4 masa “Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë për një periudhë deri në 2 vjet” për ish Sekretarin e Përgjithshëm, Përgjegjësin e Sektorit të Shërbimeve të Financës dhe Përgjegjësen e Sektorit të Drejtorisë së Integrimit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Lutfi Dervishi: Skënderbeu, Ismail Beu dhe Edibeu

Lutfi Dervishi: Skënderbeu, Ismail Beu dhe Edibeu