TIRANE-Debati për Teatrin Kombëtar ka ndezur skenën e politikës shqiptare. Në kuvend vijon seanca ku opozita kundërshton miratimin e projektligjit, ndërsa jashtë tij protesta e artistëve dhe shoqërisë civile. Për të hedhur më shumë dritë mbi pretendimet e opozitës ishte i ftuar në Report Tv, në emisionin ’45 MINUTA’ të Denis Mingës deputeti i LSI, Nasip Naço. Ai sqaroi disa nga rezervat ligjore të opozitës, ndërsa i bëri thirrje shumicës që të mos e votonte ligjin.
Në relacion nuk del e qartë se kush e ka kërkuar, bashkia, qeveria apo Fusha sh.p.k. Te shkëmbimi i pronës ka një tjetër problem, nuk sqarohet sa metër do të zhvillohet, për të ditur dhe bërë transparente? Dalka një bamirës që ne fitojmë dhe ky humbka?! A ka bërë kjo shoqëri objekte të njëjta brenda dhe jashtë vendit? A kemi një CV të kësaj firme? A ka kontrata që i ka zbatuar?
Ka mungesë gare dhe konkurrence, prandaj unë dyshoj se ka korrupsion. Projekt-kontrata duhet të kalojë në këshillin e ministrave, nuk e njeh kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, që ministrat të komunikojnë direkt nga marrëveshja me kuvendin. Ka një shpejtësi marramendëse sa më parë, pasi duket se interesat qenkan kaq të mëdha.
Në kemi një front opozitar, ka parti dhe qëndrime të ndryshme që merren në emër të grupit. Ne duhet të jemi të pranishëm në komisione të debatojmë. Nuk e ndjej veten vasal të dikujt, kemi qëndrime të ndryshme dhe sigurisht që secili mbron interesat e veta. Duhet të jemi në seancë për të sensibilizuar shoqërinë civile. Nëse ligji kalon, do i bëjmë thirrje shoqërisë që të reagojë publikisht, e dyta do të reagojmë në parlament brenda etikës dhe moralit, pjesë tjetër është Presidenti, këto janë mjetet demokratike.
Nasip Naço
Më pas Naço u ndal te zgjedhjet e ardhshme lokale dhe një koalicion i mundshëm me PD. Shqiptarja.com shkruante sot se edhe pse PD dhe LSI i bashkon e njëjta kauzë sa i takon çështjes së teatrit, negociatave dhe luftë politike kundër qeverisë ‘Rama 2’, dy partitë kryesore në opozitë, nuk kanë ende një koordinim sa i takon zgjedhjeve të ardhshme. Nasip Naço theksoi se LSI ka nisur konsultat me komunitetin për emrat e kandidatëve. E ndërsa nuk pranoi që të fliste për Tiranën, duke u ndalur në Berat ku është zgjedhur deputet, Naço tha se së paku LSI kërkon të ketë kandidatë të paktën në 3 bashki nga 5 që ka qarku.
Jemi dy parti dhe filozofi të ndryshme, lidershipi ynë pritet që të provohet në zgjedhjet e ardhshme. Koalicioni? Ne mund të jemi në koalicion, por jemi në garë me njëri tjetrin se kush do të marrë votat se janë politike. Zgjedhjet janë jo pak larg, sot kemi emergjenca të tjera, qytetarët dhe ambasadorët kanë ikur me pushime dhe kalohen ligjet në tre javët e fundit prandaj përqendrimi duhet të jetë i madh. LSI do të ketë kandidatët e vetë në 61 bashki, ne jemi ambicioz, nuk na pëlqen vendi i tretë sot. Ne jemi të bindur për qarkun e Beratit të kemi 5 kandidatë në emër të LSI. Figurat? Nuk besoj që emrat do të gjenden në kryesi, kemi filluar konsultat me anëtarë dhe simpatizantë për të evidentuar kandidatët më potencialë, të kenë mbështetjen e komunitetit. Rëndësi ka që të kemi kandidatë dhe nëse do të kemi koalicion me PD. Po marr Skraparin, kryetari ka disa palë zgjedhje që është nga LSI, kemi qenë përballë PS dhe PD dhe kemi fituar. Nëse PD mund të ketë kandidat më të mirë jemi të hapur, ne kemi kandidatë potencialë. Tirana? Unë jam lojtar i vogël. Në qarkun e Beratit, në 5 bashki, 3 administrohen nga LSI
Nasip Naço