Një grup protestuesish janë mbledhur sërish sot rreth orës 11:00 para Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit, kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Ata kërkojnë largimin e Ramës nga pushteti, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Dje pati përçarje mes organizatorëve të protestës, ku u njoftuan orare të ndryshme për studentët, për të dalë në tubim.

Pas dështimit të mbledhjes së protestuesve në orën 10:00 të mëngjesit, në orën 14:00 u mblodh vetëm një grup i vogël protestuesish para Ministrisë së Arsimit, të cilët më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

Pas qëndrimit për gati dy orë te Rruga e Durrësit dhe me një pjesëmarrje të ulët, një grup të rinjsh të maskuar tentuan të krijonin incidente duke djegur disa kosha mbeturinash.

Edhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit ata i vunë flakën një peme, ndërsa nuk pati përplasje me policinë. Dy prej protestuesve, një prej tyre grua, ranë në prangat e Policisë për aktet e dhunës në tubimin e djeshëm.