Zv.kryeministrja Albana Koçiu e ka cilësuar alarmin e rremë për bombë në shkollën "Emin Duraku" në Tiranë, për të cilin u arrestua Mandi Jatagani, si një "çmenduri të mirëfilltë kriminale", duke theksuar se një akt i tillë nuk mund të anashkalohet.
Sipas Koçiut, një alarm i rremë në ditën e parë të mësimit, kur oborret e shkollave janë të mbushura me fëmijë, nuk është një test për Policinë e Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme.
"Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur, nuk është një test cinik për reflekset e Policisë së Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme e një mendjeje të papjekur, por një çmenduri e mirëfilltë kriminale. Këtyre që ndosin protestën, që e ngatërrojnë lirinë me anarkinë e mendjeve të tyre të boshatisura, duke e kthyer hapësirën tonë publike në një fushë eksperimentesh të dështuara, ligji duhet t'u tregojë shumë shpejt se Shqipëria nuk është një teatër ku mund të luajnë falas dramat e tyre të sëmura", u shpreh Koçiu.
Në përfundim të reagimit, ajo theksoi se refuzimi i këtyre sjelljeve duhet të jetë një qëndrim i të gjithë shoqërisë.
Mandi Jatagani u arrestua sot pasi ngriti një alarm të rremë për bombë në shkollën "Emin Duraku" në Tiranë. Pas verifikimeve të kryera nga njësia antieksploziv, rezultoi se nuk kishte asnjë rrezik real, ndërsa ndaj tij u ngritën akuzat për "Njoftim të rremë në organet e rendit" dhe "Përhapje të informatave të rreme që ngjallin panik".
Lajmi kryesor:
Protestuesi përhap panik për terrorizëm në shkollën 'Emin Duraku' në Tiranë, vihet në pranga! I shoqëruar disa herë edhe për thirrje për dhunë, Koçiu: Ligji duhet të veprojë shpejt (VIDEO)









