TIRANË- Për ministren e Brendshme Albana Koçiu, e cila raportoi për herë të parë në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Shqipëria është një vend i sigurt, kjo sipas saj referuar raporteve ndërkombëtare.

Sipas ministres vendi mirëpriti 12 milionë turistë gjatë vitit, si dhe një numër në rritje të qytetarëve të huaj që zgjedhin të hapin biznese apo të blejnë prona në Shqipëri.

“Shqipëria është e vend i sigurt, ky është përshkrimi që i ka bërë vendit tonë udhërrëfyesi Lonly Planet. Në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare, në çdo përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, Shqipëria është vend i sigurt. Mjafton ti referohemi fakteve dhe shifrave. Vendi ynë mirëpriti 12 milionë turistë, si dhe qytetarë të huaj që hapin biznese apo blejnë prona këtu. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza”, tha Koçiu.

Në raportimin e saj, ministrja nënvizoi se numri i krimeve të rënda ka rënë ndjeshëm, me vetëm 29 vrasje me dashje në nëntëmujorin e parë të vitit, nga 41 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu, aksidentet e rënda rrugore janë reduktuar me 17% krahasuar me një vit më parë. Ministrja tha se kanë rritur ndjeshëm sigurinë duke arritur 95% zbulueshmëri për veprat penale.

“Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 95% zbulueshmëri për veprat penale. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më parë”, tha Koçiu.

Opozita ishte e interesuar për operacionet e Policisë së Shtetit, sidomos ato me SPAK, nëse janë dekonspiruar. Por Koçiu e kishte të thjeshtë përgjigjen, duke thënë se ka zero operacione të dekonspiruara.

"Nuk është regjistruar asnjë rast dekonspirimi. Në fushën e pastrimit të parave, është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të goditjeve. Paraja e krimit nuk është e lehtë për t’u gjurmuar, por falë mirë administrimit të agjencisë, një pjesë e këtyre pasurive është vënë në shërbim të komunitetit dhe çështjeve sociale", tha Koçiu.

Një prej betejave të para që ndërmori Koçiu pas marrjes së detyrës ishte ndalimi i monopatinave. Deputeti Erald Kapri akuzoi se përdoruesit e tyre u trajtuan si kriminelë, pa shkelur asnjë ligj.

"Ju nuk merreni me të fortët, po merreni me të dobëtit dhe merreni pikërisht me një shtresë të shoqërisë e cila e cila punon nga mëngjesi në darkë për t'ia dalë zonja ministre dhe ju ata i trajtuat si kriminelë edhe pse ata nuk kishin shkelur asnjë ligj", tha Kapri. 

"Monopatinat u pezulluan për shkak të aksidenteve dhe rrezikshmërisë që paraqesin. Mjetet e tilla janë ende të parregulluara në legjislacion. Ne po punojmë për rregullimet përkatëse dhe shumë shpejt do t’i paraqesim rregullat në komisione dhe në Kuvend, në mënyrë që përdorimi i tyre të jetë i normuar", tha Koçiu. 

Në Kuvend ministrja Koçiu u thirr për seancë dëgjimore nga opozita, e cila u rikthye bojkotin 24-orësh të punimeve të Kuvendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:02
3 vrasjet brenda një dite në tetor, Koçiu: Krime tragjike, autorët janë kapur! Nuk implikohet puna e Policisë së Shtetit

 

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu foli në komision edhe për 2 vrasjet e 29 tetorit brenda një dite, ku djali vrau babanë në Durrës, kolegu vrau picierin në Tiranë, si edhe vrasja e vizitorit në Berat. Koçiu tha se janë 3 krime tragjike, por nga të cilat nuk implikohet puna e Policisë së Shtetit.

“3 vrasje në ditë, janë tre krime tragjikë, që nuk janë vrasje mafioze. Janë të pashmangshme nga puna që bën përditë policia e shtetit. Nuk besoj se ka ndonjë vend të botës ku polici rri në kuzhinë për të parandaluar që djali të godasë me thikë babanë, apo brenda në kuzhinën e restorantit për të parandaluar picerin të godasë më thikë kuzhinierin, janë ngjarje tragjike, por për të cilat nuk implikohet puna e policisë së shtetit, autorët janë kapur menjëherë”, tha Koçiu.

Ora 11:54
Policia e Shtetit dekonspiron operacionet e SPAK? Koçiu: Zero raste

 

Ministrja Albana Koçiu iu përgjigj pyetjeve në komision mbi deklaratat se Policia e Shtetit dekonspiron operacionet e SPAK. Koçiu tha se nuk ka në Policinë e Shtetit asnjë rast të dekonspiruar.

“Sa i përket SPAK dhe Policisë së Shtetit, nuk është regjistruar asnjë rast dekonspirimi, këto janë të dhëna që vijnë nga Policia”, tha Koçiu.

Ora 11:22
Ndalimi i monopatinave/ Koçiu: 1 mijë aksidente të raportuara në Polici gjatë këtij viti, rrezik për qytetarët! Do sjellim rregullat e reja

 

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu thotë se monopatinat janë rrezik për të gjithë qytetarët. Vetëm gjatë këtij viti, Koçiu tha se monopatinat kanë qenë shkaktare të 1 mijë aksidenteve, të dhëna këto që janë të raportuara në Policinë e Shtetit, pasi ministrja theksoi se jo të gjithë ata që përfshihen në aksidente me monopatinë e raportojnë në Polici.

“Sa i përket sigurisë rrugore, në nëntëmujorin e parë të këtij viti është vërejtur një trend ulës. Në vitin 2024 u regjistruan 155 jetë të humbura nga aksidentet rrugore, ndërsa këtë vit kemi një ulje me 17%. Për monopatinat elektrike, janë regjistruar mbi 1 mijë aksidente gjatë nëntëmujorit. Monopatinat janë rrezik për të gjithë qytetarët, ndërhymë duke i pezulluar dhe duke na dhënë mundësinë që të ndërtojmë bazë ligjore ku të qartësohet mënyra se si këto mjete duhet të lëvizin dhe qarkullojnë, duke patur parasysh standardet e sigurisë qe duhet të respektohen”, tha Koçiu në komision.  

Më tej, Koçiu tha se së shpejt në komisione do të sjellin rregullat e reja për përdorimin e tyre që më pas do kalojnë edhe në Kuvend për tu futur në fuqi.

“Monopatinat u pezulluan për shkak të aksidenteve dhe rrezikshmërisë që paraqesin. Mjetet e tilla janë ende të parregulluara në legjislacion. Disa vende i kanë pezulluar deri në hartimin e një kuadri të plotë ligjor. Ne po punojmë për rregullimet përkatëse dhe shumë shpejt do t’i paraqesim rregullat në komisione dhe në Kuvend, në mënyrë që përdorimi i tyre të jetë i normuar”, vijoi Koçiu.

Ora 11:20
Koçiu: Shqipëria progres në luftën kundër krimit të organizuar, SPAK sekuestroi e konfiskoi pasuri me vlerë 65.5 mln euro

 

Ministrja Albana Koçiu thotë se Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar. Ajo përmend edhe punën e SPAK, duke thënë se ka sekuestruar e konfiskuar pasuri me vlerë 65.5 mln euro.

“Sa i përket krimit të organizuar, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm, raporti i KE për këtë vit vlerëson se vendi ka përforcuar kapacitetet e strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 65.5 mln euro të konfiskuara dhe sekuestruara nga SPAK, kjo pasuri rikthehet në buxhetin e shtetit dhe vihet në shërbim të qytetarit, kemi bërë progres me kohën kur ne një vit mbyllej me jo më shumë se vetëm disa mln euro pasuri të sekuestruara”, tha Koçiu.