“E zezë” mund të konsiderohet pa mëdyshje e marta e 28 tetorit të një dite më parë. Tre shqiptarë humbën jetën në tre vrasje të veçanta me thikë, të tria ngjarjet me një emërues të përbashkët, për shkak të një fjale goje.

Berat, një prej monumenteve më të vizituar të trashëgimisë kulturore shqiptare, kalaja, u kthye në skenë krimi. Një banor i zonës, që fitonte para duke shëtitur turistët me kalë, i paregjistruar dhe licencuar nga autoritetet për shërbimet turistike, goditi për vdekje me thikë vizitorin nga Tirana vetëm sepse ky i fundit preku kalin. Kristo Mema, 63 vjeç, i njohur edhe si Kontandin Hoxha, tregoi për hetuesit se konflikti nisi pas një paralajmërimi që i bëri viktimës.

“I thashë mos e prek kalin se është i acaruar sot dhe mund të reagojë keq, por ai më shau dhe ofendoi. Humba kontrollin, mora thikën që e mbaja në samarin e kalit dhe e godita në gjaknxehtësi”, ka dëshmuar Mema.

Ngjarja e rëndë ndodhi në oborrin e kalasë, në sytë e familjarëve të viktimës dhe turistëve të tjerë. Mema nuk kishte leje për të shëtitur turistët me kalë në atë zonë, megjithëse aktivitetin e ushtronte prej kohësh. Mema është autor i një vrasjeje në vitin 1993, pasi goditi me thikë fqinjin e tij për motive banale, krim për të cilin nuk kreu asnjë ditë burg pasi u largua drejt Greqisë për 25 vjet, duke ndërruar identitetin dhe u kthye vetëm pasi ndjekja penale ishte parashkruar.

Tiranë, sherri midis kolegëve të një restoranti përfundoi me vdekjen e njërit prej tyre. Autori, Filip Shehu, prej 3 muajsh punonte si ndihmës picier dhe ku ishte vartës i Indrit Ismaillarit, viktimë në ngjarje. 43-vjeçari Shehu deklaroi se është ndier i fyer dhe i poshtëruar publikisht me fjalë të rënda para kolegëve, për një proshutë pice.

“Jam ndjerë i ngacmuar gjatë gjithë kohës dhe nuk duroja më. Kishim debate të vazhdueshme për punën, por ai më ngacmonte shpesh. Viktima më tha mos merr këtë proshutë të hapur që është në frigorifer, por merr proshutë të re. Ai shkoi të merrte proshutën e re dhe aty nisëm të ziheshim. Më shau me fjalë të rënda dhe aty nuk durova”, ka dëshmuar Shehu.

Nga këqyrja e pamjeve të sigurisë rezulton se autori merr një thikë kuzhine dhe e godet tre herë, një herë në qafë dhe dy herë në bark. Punonjësit e tjerë të restorantit, deklaruan se Shehu ishte person i mbyllur dhe i ftohtë në komunikim, që rrallë fliste me të tjerët.

Durrës, Marjan Kodheli, që vrau babanë Pjetër, pretendon se me të ka pasur konflikte të vazhdueshme që kur ishte kthyer nga emigrimi. Ai tregoi se humbi durimin gjatë kohës që po hanin drekë dhe e qëlloi.

“Po hanim drekë dhe papritur babai mu hodh me nerva në debat. Nuk më linte të haja i qetë. Nuk e kujtoj mirë pse ndodhi, por kemi pasur konflikte të vazhdueshme që prej se jam kthyer nga Greqia, disa muaj më parë”, ka dëshmuar Kodheli.

Blutë kanë dyshime se i riu vuan nga probleme të shëndetit mendor, por pa kartelë mjekësore. Prokuroria pritet të kërkojë në vijim ekzaminim të plotë mendor.