TIRANË - Sot pasdite, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli priti ministrin e Mbrojtjes së Greqisë, Dimitrios Avramopoulos, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Biseda e saj u përqendrua në disa aspekte kryesore si: Edukimi i fëmijëve të emigrantëve shqiptare ne Greqi në shqip, toponimet, si dhe integrimi i Shqipërisë në BE. Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Dimitrios Avramopoulos, ka falenderuar ministren Kodheli për pritjen që i rezervoi dhe nënvizoi  mbështetjen e plotë të qeverisë greke për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ministrja Kodheli theksoi gjatë takimit se, "për ne është e rëndësishme që të instensifikojmë marrëdhëniet mes dy vendeve tona si fqinjë, por edhe si vende që kemi shumë të përbashkëta. Të zgjidhim ato çështje ende të pazgjidhura mes nesh dhe të shohim përpara për një të ardhme më të sigurtë", - është shprehur ndër të tjera, Kodheli. Më tej, në fjalën e saj, ministrja vlerësoi lart vizitën që Presidenti Papulias po bën në Shqipëri dhe mesazhin që ai dha për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy shteteve tona.

Në vijim, ministrja jone e Mbrojtjes u ndal në tre momente të rëndësishme në bisedën me homologun e saj grek. Ajo kërkoi që qeveria e Athinës të krijojë lehtësira më të mëdha për emigrantët shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj. “Dua të theksoj se edukimi është çështje bazike për mua. Ndaj duhet një vëmendje e veçantë për edukimin e fëmijëve të emigrantëve edhe në gjuhën shqipe”.

Ajo vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë që Shqiperia dhe Greqia kanë si dy vende anëtarë të NATO-s në projekte dhe bashkëpunime të përbashkëta në fushën e sigurisë. Në këtë kuadër, ministria Kodheli kërkoi mbështetjen e Greqisë në perspektivën europiane të Shqiperisë. Një çështje tjetër e rëndësishme gjatë takimit ishte edhe ajo e toponimeve, për të cilën ministria Kodheli mori garancinë e Avramopoulos se po punohet për zgjidhjen e saj sa më shpejt dhe në mënyrë përfundimtare.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Dimitrios Avramopoulos, ka falenderuar ministren Kodheli për pritjen që i rezervoi dhe nënvizoi  mbështetjen e plotë të qeverisë greke për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Ne kemi qënë mbështetësi juaj për anëtarësimin në NATO. Ne do të vazhdojmë të ju mbështesim edhe në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ne nuk mund ta imagjinojmë BE-në pa vende si Shqipëria. Të punojmë së bashku si dy popuj në Ballkan dhe të bëjmë të mundur që të çballkanizojmë Ballkanin e ta bëjmë pjesë të Europës”- është shprehur ministri grek Avramopoulos.

Më tej, ai theksoi se dy vendet tona duhet të punojnë së bashku si dy shtete progresiste në rajon dhe sepse ata kanë çfarë t’i ofrojnë njëri- tjetrit, duke nisur që nga energjia elektrike, arsimi dhe turizmi. Avramopoulos ftoi ministren Kodheli për një vizitë në Athinë për të diskutuar mbi projektet e përbashkëta mes dy vendeve tona në fushën e mbrojtjes. Përsa i përket kësaj çështje të dy ministrat ranë dakort për ngritjen e një grupi pune, i cili do të përgatisë axhendën e takimit me projekte konkrete. Në përfundim të takimit, të dy ministrat theksuan rëndësinë e ecjes përpara të marrëdhënieve si dy vende aleatë dhe fqinjë në të mirë të të dy popujve tanë.

kodheli avramopulos
(Në foto: Mimi Kodheli dhe Dimitris Avramopulos gjatë takimit në MM). 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)