LEZHË - Deputetja Mimi Kodheli dhe Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj kanë zhvilluar një takim me studentë dhe të rinj nga qarku i Lezhës, ku kanë bërë një ekspoze të plotë të asaj se çfarë parashikon programi socialist, si një përpjekje për t’i thënë gjërat thjesht e për t’u marrë me probleme reale të të rinjve.

Deputetja Mimi Kodheli duke marrë fjalën në takim ka nënvizuar vështirësitë që hasin sot të rinjtë në rrugën e tyre për një arsimim cilësor dhe më pas për një punësim dinjitoz. “Në momentin që shteti bëhet një mur pengese, ose indiferent në rastin më të mirë, atëherë këtu ka një problem shumë të madh. Ju ktheheni në të rinj me një diplomë në xhep, por që nuk ka treg, ndaj nuk vlen asnjë lek, për fat të keq në shumicën e rasteve. Ju ktheheni në njerëz që jeni fokusuar të studioni për një profesion dhe merrni një profesion tjetër rrugës, sepse nuk e shikoni mundësinë e aplikimit të atij profesioni të cilit i jeni dedikuar dhe për të cilin studioni”.

Erion Veliaj nga ana e tij ka theksuar: “Imagjinoni sa më e bukur do të ishte politika sikur politika të merrej me këtë çështje dhe të mos ishin partitë agjencitë kryesore të punësimit, po të ishin këto shkolla profesionale, të ishte tregu i lirë, ku njerëzve nuk u shkon xhandarmëria financiare, por kur njerëzit thonë: Nëse kjo qeveri më mbështet që të marr njerëz në punë dhe më ul taksat se këta njerëz janë të rinj të talentuar, kjo është qeveria që funksionon për mua.

Kështu që, do t’ju kërkoja ta personalizonit vetë fushatën edhe nga ana praktike. Pavarësisht, se çfarë studioni shkenca sociale, politike, ekonomike, duhet t’i bëni pyetjen vetes: Çfarë do të ndodhë nesër, çfarë do të ndodhë kur të mbaroj shkollën? Nëse nuk e keni mbiemrin Berisha çfarë do të ndodhë, e dini? Në qoftë se nuk jeni dhëndri i Jozefina Topallit çfarë do të ndodhi nesër, e dini? Ne besojmë te merita. Unë jam djali i asnjë emri dhe mbiemri të njohur. Në qoftë se kërkon mund të gjesh vetëm njërin nga prindërit e mi, tjetrin nuk e kam fare. Kështu që, PS e ka të provuar që është e vetmja forcë politike që nuk të pyet i kujt je, sa lekë ke në xhep dhe çfarë tesere ke”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com