TIRANE- Reforma në Forcat Ushtarake do të bëhet. Këtë pohim e ka bërë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ditën e djeshme në Komisionin e Ligjeve. Pavarësisht se në rendin e ditës ishte parashikuar një miratim marrëveshjeje ndërmjet Forcave Ushtarake të Shqipërisë dhe atyre Turke, Kodheli theksoi edhe nevojën e një reforme në strukturat ushtarake të vendit. Madje, ajo doli edhe kundër Presidentit të Republikës i cili pak ditë më parë theksoi se reforma në FA nuk mund të bëhet pa u konsultuar me aleatët si edhe me Kuvendin.

Në kundërpërgjigjen e saj, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli theksoi se ajo është konsultuar me aleatët e Shqipërisë, kryesisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si edhe me partnerët e vendeve të Bashkimit Europiane që një vit më parë. “Aleatët janë konsultuar, madje Dokumenti i Rishikimit të Strategjisë së Mbrojtjes, është bërë nën asistencën e tyre dyvjeçare, në veçanti të SHBA. Parlamenti është konsultuar kur ky dokument ka dalë nga dora e forcave të armatosura një vit më parë, kur komisioni i sigurisë nuk lejohej të futej në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithsesi, për këtë janë konsultuar kryetari dhe nënkryetari i atëhershëm i komisionit të mbrojtjes”, deklaroi Kodheli.

Shkrimi u publikua sot (20.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)