TIRANE - Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka dorëzuar në Prokurori dy kallëzime të tjera penale për ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, për çështje sekrete, pasi nuk bëhen publike detaje mbi shkaqet që çuan në ngritjen e këtyre padive. Megjithatë, sipas ministrisë së Mbrojtjes ish-drejtuesit e këtij dikasteri kanë përdorur Forcat e Armatosura në kundërshtim të hapur me misionin e tyre kushtetues. Detaje të tjera nuk bëhen me dije pasi konsiderohen nga Ministria e Mbrojtjes si informacion i klasifikuar.

Ndërkaq, po sot ministrja Kodheli i ka çuar letër kryeprokurorit Adriatik Llalla përmes së cilës i kërkon të nisë procesin hetimor ndaj akuzave të Partisë Demokratike se Forcat e Armatosura janë të përfshira në trafikun e drogës. Ministrja thekson në letrën drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, se kërkon reagim të menjëhershëm dhe prononcimin e Llallës për procesin hetimor, nisjen e të cilit Kodheli e konsideron domosdomshmëri.
 
“Me cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, po Ju dërgoj këtë letër përmes së cilës kërkoj reagimin Tuaj të menjëhershëm lidhur me deklaratat më të fundit të bëra publike nga subjekti politik “Partia Demokratike e Shqipërisë. Zoti Prokuror i Përgjithshëm, kërkoj prononcimin Tuaj nëse keni nisur apo jo hetim, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes të datës 11.04.2014 lidhur me këto akuza dhe në rast se jo, përsëris domosdoshmërinë e nisjes së një procesi hetimor”, thuhet në letrën që Kodheli i dërgon kryeprokurorit.

Letra vjen 3 ditë pas kallëzimit për deklaratat e ish-ministrit Arben Imami në Kuvend që pasuan deputetë dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike për përdorimin e infrastrukturës së NATO-s të Forcave tona të Armatosura për trafikun e drogës.

Ndërsa i menjëhershëm ishte dhe reagimi i Partisë Demokratike, ku përmes deputetit Flamur Noka, letra u gjykua si urdhër ndaj institucioneve të pavarura për të mbrojtur Forcat e Armatosura. Noka bëri të ditur se PD depozitoi në Kuvend kërkesën për seancë dëgjimore me ministren Kodheli në Komisionin e Sigurisë. "Ne disponojmë të dhëna që faktojnë keqpërdorimin e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës", -tha Noka.

Ndërsa për kryeparlamentarin Meta, pavarësisht ndryshimeve të forta politike që PD ka me mazhorancën, duhet ta përmbajnë këtë dallim dhe të kontribuojnë për sigurinë kombëtarë në vend. Lexoni më gjerësisht reagimet e Flamur Nokës dhe Ilir Metës për letrën që Ministrja i çoi Kryeprokurorit

"FORCAT E ARMATOSURA PO BEHEN "MISH PER TOP NGA PROPAGANDA ANTIQEVERITARE"
Ministrja Kodheli në letrën derjtuar Llallës, shpreh qëndrimin e saj se përmes akuzave të Partisë Demokratike kërkohet që Forcat e Armatosura të bëhen “mish për top nga propaganda antiqeveritare”.

“Zoti Prokuror i Përgjithshëm, siç jeni në dijeni, u bënë disa ditë që deputetë të kësaj force politike po hedhin baltë në drejtim të Forcave të Armatosura duke lëshuar akuza të rënda. Me këtë letër, përsëris shqetësimin tim lidhur me këto akuza përmes të cilave kërkohet që Forcat e Armatosura të bëhen “mish për top nga propaganda antiqeveritare”.

"SHQYRTO TE GJITHA DOSJET QE MINISTRIA E MROJTJES KA DEPOZITUAR NE PROKURORI"
Ministrja Kodheli në përfundim i kërkon kryeprokurorit të shqyrtojë të gjitha dosjet që Ministria e Mbrojtjes ka depozituar pranë organit hetimor, mes të cilave janë dy për ish-ministrin e Mbrotjes Arben Imami dhe një për ish kreun e SHIU-t, Ylli Zyla.

“Duke përfituar nga kjo letër, kërkoj shqyrtimin deri në fund dhe në detaj të të gjithë dosjeve që Ministria e Mbrojtjes ka depozituar pranë organit hetimor. Kam qënë dhe mbetem e bindur se shqyrtimi i tyre do t’i çlirojë Forcat e Armatosura nga barra e një të shkuare të dëmshme në drejtimin e saj dhe nga rreziku i përsëritjes në të ardhmen të keqpërdorimit të tyre”.

PDF/ LETRA E PLOTE E MINISTRES KODHELI DREJTUAR KRYEPROKURORIT LLALLA