/ATSH/- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ishte e ftuar sot në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temë: "Transformimi i Madh: 25 vjet përvoja shqiptare e tranzicionit dhe demokratizimit", në kuadër të "Ditëve të studimeve shqiptare" të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës.
Në këtë konferencë merrin pjesë studiues të huaj të cilët kanë objekt dhe fokus të studimeve të tyre ose punimeve të tyre doktorale Shqipërinë, pedagogë shqiptarë që punojnë në universitetet perëndimore dhe që kanë Shqipërinë si objekt të tyre të studimeve, doktorantë të huaj që kanë një temë të tyre për Shqipërinë, doktorantë shqiptarë të cilët ndodhen në universitetet perëndimore,  doktorantë të UET etj.
Në fjalën e saj, Kodheli tha se Shqipëria duhet marrë si një shembull më shumë se pozitiv në rajon, pasi në një panoramë të përgjithshme, vendi ynë ka dalë nga krizat e viteve '90, me një nivel të rafinuar demokracie, i paprekur nga konfliktet etnike, nacionaliste apo fetare, gjatë tranzicionit të gjatë nëpër të cilin Shqipëria kalon kemi parë që disa sisteme, në vend që të ngriheshin duke funksionuar sipas një modeli perëndimor, ose degraduan rëndë, ose u karaketerizuan nga një kalbëzim sistematik, akoma pa u ndërtuar mirë.
Sipas saj, me sisteme si ai i drejtësisë apo i shtetit të së drejtës, me trashëgiminë kulturore apo pasuritë tona nën e mbi tokë, jo vetem që u abuzua, por kjo u justifikua si një gjë e bërë në emër të tranzicionit, të shkeljes në rrugë të paditur e shpesh herë në emër të disa fjalëve inflacioniste si: demokraci, popull, liri etj.
"Çdo njëri prej nesh duhet të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë dhe pjesën e vet të detyrimeve. Të asaj që shkoi dhe të asaj që vjen. Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veç asaj të të bërit shtet, të largimit një orë e më parë nga rruga e gjatë e tranzicionit, për t'u bërë një vend i drejtë, normal, i begatë e i mirëqënë dhe po ashtu i sigurtë", deklaroi Kodheli.
Në këtë frymë, shtoi Ministrja, "reforma vazhdon të mbetet një fjalë kyçe, pa të cilën nuk do mund të shkojmë shumë larg. Por të mos harrojmë se një reformë e shtyrë në kohë bën më dëm se një reformë e pa nisur. Pasi çdo gjë që i lemë pasardhësit dhe shoqërisë është një akumulim që kërkon kosto gjithmonë e më të larta".