Kodheli: PD do të gjejë qenin
e ngordhur, Ndoka: Transparencë

Kodheli: PD do të gjejë qenin<br />e ngordhur, Ndoka: Transparencë
TIRANE - Vendimi i KQZ për hapjen e kutive dhe rinumërimin e fletëve të votimit në të gjithë qarkun e Lezhës dhe të 15 qendrave të votimit në qarkun e Shkodrës shihet në këndvështrime të ndryshme nga mazhoranca dhe opozita e re.

Anëtarja e kryesisë së PS, njëherësh dhe kryesuese e listës së deputetëve të PS në qarkun e Lezhës, Mimi Kodheli thotë se PD po gërmon thjeshtë për të gjetur probleme aty ku nuk ka dhe s’ka për të gjetur asgjë, por i gjithë ky veprim vjen për shkak të problemeve të brendshme që ekzistojnë në gjirin e PD, e cila ditën e hënë ka zgjedhjet për kryetarin e saj, për të pasuar liderin historik Berisha i cili pas humbjes së 23 qershorit dha dorëheqjen nga të gjitha postet drejtuese në PD.

“Ajo që mund të them për këtë vendim është fakti se PD po gërmon, por do të gjejë vetëm “qenin e ngordhur”. Kjo është vetëm një përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e mëdha që kanë me zgjedhjet brenda tyre”, deklaroi dje në linje telefonike për gazetën “Shqiptarja.com”, Kodheli.

Duke paralajmëruar se rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit në qarkun e Lezhës do të jetë vetëm në përputhje me votën e qytetarëve të cilët kanë përcaktuar qartë fituesit dhe në këtë qark, që janë socialistët dhe progresistët. Po nuk ka të njejtin mendim ish-aleati i Ramës në koalicionin opozitar, demokristiani Nard Ndoka, i cili ishte i katërti në listën e kandidatëve të PD në qarkun e Shkodrës dhe aktualisht është deputet në Kuvend.

Ai thotë se socialistët për 3 vite me radhë, bashkë me demokristianët në opozitë kërkuan hapjen e kutive, ndërkohë që tashmë janë kundër. “Transparenca është një detyrim ligjor tashmë i sanksionuar në Kodin Zgjedhor. Në opozitë, PS sëbashku me ne luftoi tre vjet për hapjen e kutive, tani të heshtë tre ditë sa të hapen kutitë”, deklaroi për gazetën kreu i PDK, Ndoka.

Për të cilin socialistët e kanë mendjen më shumë të fitorja edhe në kurriz të procesit e aleatëve se sa tek standardet e këtij procesi zgjedhor. “PS nuk kërkon standarde për zgjedhjet por fitore me çdo kusht, qoftë kjo dhe në dëm të procesit, të aleatëve apo transparencës. Standardet duhet të jenë fjala e përbashkët për të gjithë”, ka nënvizuar Ndoka duke i bërë thirrje mazhorancës së re që të bashkohet me qëndrimin e së djathtës për transparencën e zgjedhjeve në qarkun e Shkodrës por dhe në qarkun e Lezhës apo ku të ketë kërkesë për një gjë të tillë.

Ndoka nuk ka munguar të rikujtojë tërë “sagën” e PS dhe të kreut të opozitës së atëhershme Edi Rama për hapjen e kutive, pas akuzave për vjedhjen e votave nga nga Berisha, në zgjedhjet parlamentare 2009, por që Berisha nuk pranoi kurrsesi ta kryejë një veprim të tillë me argumentin se kishin vendosur gjykatat për një gjë të tillë.

Pavarësisht se vetëm dy vite më vonë, në zgjedhjet për pushtetin vendor dhe konkretisht në bashkinë e Tiranës, KQZ hapi kutitë në disa qendra votimi, duke përmbysur në tavolinë rezultatin në favor të kandidatit të PD Lulzim Basha. Ndonëse Rama kishte fituar me 10 vota, duke bërë që zgjedhjet e 8 majit 2011 të merren si precedent të shkatërrimit të procesit dhe nga ndërkombëtarët.

Debati për mandatet në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës ka lindur pas pretendimeve të PD dhe të PR për këto dy qarqe, duke kërkuar rinumërim, nën akuzën se i janë vjedhur zgjedhjet. KQZ ka vendosur dje që të hapen të gjitha kutitë në qarkun Lezhë dhe kutitë në 18 qendra votimi në qarkun Shkodër, çka ka sjellë dhe kundërshtimin e PS dhe aleatëve të saj se Berisha po përpiqet të shkatërrojë procesin zgjedhor me këto pretendime absurde.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë