Kodheli prezanton komandantin e ri të Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani

/ATSH/-  Ministrja e Mbrojtjes,  Mimi Kodheli prezantoi sot komandantin e ri të Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, i cili pason në këtë detyrë gjeneralmajor Zyber Dushku.
Gjatë ceremonisë, Kodheli theksoi se "sot hapet një faqe e re në karrierën e gjeneral brigade Nazmi Cahani. Kam dy vjet që e njoh gjeneral brigade Nazmiun dhe që në ditët e para të punës me të, kam gjetur një bashkëpunëtor të aftë e serioz, të gatshëm për të gjetur zgjidhje të vlefshme në çdo situate".
Ministrja Kodheli i ka uruar gjeneral brigade Cahanit punë të mbarë dhe suksese të mëtejshme.
Komandanti në largim i FT, gjeneralmajor Zyber Dushku,  u shpreh se "ushtarë, nënoficerë, oficerë dhe civilë të Forcës Tokësore kudo që jeni, në Tiranë, Shkodër, Berat, në Afganistanin e largët, në fushat e stërvitjes në Gjermani apo të sapokthyer nga Sardenja si pjesmarrës në stërvitjen "Trident Juncture" të NATO-s, keni vlerësimin dhe mirënjohjen time më të thellë për kontributin dhe punën tuaj të vyer në shërbim të atdheut".
Ndërsa komandanti i ri i FT, gjeneral brigade Nazmi Cahani tha se "kjo detyrë mbart me vete një përgjegjësi të madhe për shkak të rolit kryesor që ka kjo Forcë në përmbushje të misionit kushtetues të FA, por edhe për shkak të detyrimeve që kemi si anëtarë të NATO-s dhe unë do të mund ta përmbush me sukses këtë detyrë me të gjithë ju. Të gjithë ne duhet të veprojmë si një ekip, ku ka vetëm një rregull, secili kryen detyrën e tij në fushën e tij të përgjegjësisë".
 Aktivitet është mbyllur me një ceremonial ushtarak, ku shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo i dorëzoi Flamurin e Forcës Tokësore komandantit të ri, gjeneral brigade Nazmi Cahani.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në ish-uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh