TIRANË - Shkarkohet nga detyra, Ylli Zyla, i cili mbante postin e Komandantit të Policisë Ushtarake, pasi u dorëhoq nga kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë në datën 4 korrik të vitit 2012, pas skandalit të zbuluar nga shqiptarja.com ku gruaja e Zylës ishte e përfshirë në trafik armësh. “Vendimi për shkarkimin e Kolonelit Ylli Zyla, është marrë gjatë ditës së djeshme nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli”, thanë për A1 Report, burime nga ministria.

Partia Socaliste e akuzoi Zylën se ishte personi që kishte përgjuar deputetët e opozitës së atëhershme, me aparatura të blera jashtë vendit. Emri i Ylli Zylës, doli edhe në trafikun e armëve, një skandal i zbuluar nga gazeta Shqiptarja.com.

Më konkretisht e përfshirë ishte bashkëshortja e ish-kreut të Shërbimit Informativ Ushtarak Shqiptar, e cila ishte është bashkëaksionere me disa tregtarë të licensuar për eksport armatimi në Shqipëri, duke shkelur në mënyrë të hapur ligjin "Për konfliktin e Interesit".

Liljana Zyla që prej vitit 2008 ishte bashkëaksionare në kompaninë "Wind Sun Water Initiative" (WSWI) sëbashku me shtetasit Lorenc Goça dhe Andrzej Izdebeski (shtetas polak) të cilët në të njëjtën ditë që kanë themeluar kompaninë me gruan e shefit të SHIU-t kanë krijuar edhe dy kompani të tjera në Tiranë me objekt aktiviteti tregtinë e materialeve ushtarake dhe armatimit.

Pas shkrimeve në Shqiptarja.com, Ylli Zyla dha dorëheqjen nga posti i kreut të SHIU.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)