BRDO (SLLOVENI) – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka marrë pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes, SHBA-Karta e Adriatikut (A 5) në kuadër të Ministerialit Gjithëpërfshirës të Rajonit 2013 (Comprehensive Regional Ministerial), që po zhvillohet në Brdo në Slloveni.
 
Në këtë takim një rëndësi e veçantë iu kushtua rolit të Shqipërisë, Kroacisë dhe SHBA-së, si vende anëtare të NATO-s, në mbështetjen që po i japin vendeve të tjera pjesëmarrëse në këtë iniciativë në procesin e integrimit në NATO apo struktura të tjera rajonale.
 
KODHELI: SHQIPËRIA DO TË VIJOJË TË KONTRIBUOJË NË AFGANISTAN
Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli gjatë fjalës së saj u shpreh se, Shqipëria prej një kohe të gjatë është e angazhuar në Afganistan dhe do të vazhdojë të kontribuojë duke bashkëpunuar ngushtë me vendet e tjera, për të mbështetur akoma më shumë qeverinë afgane në forcimin e sigurisë dhe rimëkëmbjen e institucioneve. Znj. Kodheli garantoi se Shqipëria do të jetë pjesë e nismave të ndërmarra nga A5 për të ndihmuar Afganistani në fushat e këshillimit ushtarak, policinë ushtarake, si dhe trajtimin mjekësore. Gjithashtu ministrja Kodheli diskutoi në lidhje me projektet e ndërmarra në kuadër të kësaj iniciative si mekanizim praktik i bashkëpunimit rajonal.

KODHELI: BASHKËPUNIMI RAJONAL DREJT KONCEPTIT “SMART DEFENCE”
Në vijim të fjalës së saj, ministrja Kodheli ka theksuar se, bashkëpunimi rajonal duhet të orientohet në konceptin e “Smart Defence”, si dhe në përdorimin e aseteve të përbashkëta të mbrojtjes në rast nevoje. Me këtë rast, ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë ka ofruar kontributin e saj në bashkëpunimin rajonal dhe ka ftuar vendet anëtare të A5, por dhe vende të tjera të rajonit, të ndjekin kurse në Qendrën e Gjuhëve të Huaja apo Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Shqipëri, duke nënvizuar se numri i pjesëmarrëseve ndërkombëtar në këtë kurs për vitin 2013 është rritur ndjeshëm. Në vijim, ministrja Kodheli i cilësoi stërvitjet e përbashkëta, si një mjet i mirë për të rritur e forcuar më tej bashkëpunimin ushtarak në rajon e më gjerë, duke përmendur sidomos stërvitjen e përbashkët të organizuar në vendin tonë në vitin 2013. Ministrja deklaroi më tej se, Shqipëria po përgatitet të organizojë përsëri këtë stërvitje dhe për vitin 2015, në të cilën janë ftuar të marrin pjesë vendet e A 5, por dhe vende të tjera.
 
SHQIPËRIA NË 2014 MERR PRESIDENCËN E A5 SHBA-KARTA E ADRIATIKUT
Shqipëria në vitin 2014 do të marrë Presidencën e Iniciativës së A 5 SHBA- Karta e Adriatikut. Është hera e parë që Presidenca merret për një periudhë 1-vjeçare, pasi deri më tani ndahej ndërmjet shteteve çdo 6 muaj.

kodheli
 (Në foto: Ministrat e Mbrojtjes së A5 pas takimit në Brdo. E treta në rreshtin e parë djathtas edhe Mimi Kodheli).

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)