“Jo vetëm FA, por gjithë shqiptarët janë krenarë për ju. Jeni shembulli më i mirë për shoqërinë shqiptare. E mira dhe e keqja kanë shekuj që përplasen, dhe ne do të vazhdojmë të jemi në anën e të drejtës dhe të mirës”, tha ministrja Kodheli duke iu drejtuar pilotëve.
Nga Farka ministrja Kodheli shprehu bindjen se misioni i tyre, nuk duhet të frenohet nga keqbërësit siç i cilësoi ministria kultivuesit e drogës.
“Kur flas për sigurinë, të jeni të sigurtë që nuk mund të harroj pasigurinë që ju keni në aktivitetin tuaj të përditshëm, në pasigurinë që ju keni në përzgjedhjen e profesionit që keni bërë, që në fakt shpesh herë është një pasiguri që vjen nga keqbërësit dhe keqdashësit dhe shpresoj se nuk do të vijë asnjëherë nga përkujdesja që shteti ka.”- tha Kodheli.
Kodheli kerkoi angazhimin e tyre njëlloj si ne aksionin ne Lazarat
“Keni qenë pjesë e një aksioni që nuk bëhej prej vitesh, siç ishte ajo e ndërhyrjes në një zonë famëkeqe si ajo e Lazaratit dhe keni vazhduar këtë gjë duke qnë pjesë mbështetëse, serioze dhe e pazëvendësueshme e një aksioni tjetër, të një rrezikshmërie po të lartë sic ishte ndërhyrja e forcave policore, e policisë së shtetit në zonën e veriut të vendit.”- theksoi ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Fjala e plotë e ministres së mbrojtjes Mimi kodheli
E kam kërkuar këtë takim për t’iu falënderuar, për gjithçka keni bërë në mbështetje, nuk do të thosha të forcave policore, të Policisë së Shtetit, nuk do të thosha të Ministrisë së Mbrojtjes, sesa në mbështetje të asaj të së cilës ju punoni çdo ditë, që është siguria kombëtare, siguria e qytetarëve shqiptarë.
Kur flas për sigurinë, të jeni të sigurtë që nuk mund të harroj pasigurinë që ju keni në aktivitetin tuaj të përditshëm, në pasigurinë që ju keni në përzgjedhjen e profesionit që keni bërë.
Në fakt shpesh herë është një pasiguri që vjen nga keqbërësit dhe keqdashësit dhe shpresoj se nuk do të vijë asnjëherë nga përkujdesja që shteti ka për ju, që lidershipi ka për ju, për t’ju mbështetur ju me të gjitha kushtet për aq sa një vend i varfër si Shqipëria dhe një shtet relativisht i varfër si shteti jonë, ka mundësi.
A mund të bënim ne më shumë? Sigurisht që po, por kjo nuk ju ka ndaluar, nuk ju ka penguar që ta bëni detyrën ashtu siç duhet, madje të bëni shumë më tepër nga ç’ju kërkohet në këtë moment.
Siç ishte konkretisht mbështetja që i keni dhënë një aksioni apo disa aksioneve tejet të rëndësishme, jo vetëm për sigurinë e qytetarëve tanë, por të opinionit vendas dhe të huaj.
Keni qenë pjesë e një aksioni që nuk bëhej prej vitesh, siç ishte ajo e ndërhyrjes në një zonë famëkeqe si ajo e Lazaratit dhe keni vazhduar këtë gjë duke qenë pjesë mbështetëse, serioze dhe e pazëvendësueshme e një aksioni tjetër.
Të një rrezikshmërie po të lartë siç ishte ndërhyrja e forcave policore, e policisë së shtetit në zonën e veriut të vendit. e them me bindje dhe me zemër të hapur që jam absolutisht krenare për çfarë keni bërë.
Besoj se i tillë ndihet edhe shefi i shtabit dhe i tillë të ndihet edhe gjeneral Betoja, edhe komandanti i Farkës, dhe besoj se të gjithë ndihemi nga pak krenarë për atë që ju keni bërë.
Ju keni mbështetjen e të gjithë atyre njerëzve që i kanë pasur sytë nga ju, dhe që shikojnë tek ju shpresën që ne mund të bëjmë gjëra shumë më të mira nga çfarë kemi bërë madje dhe që Shqipërinë ta bëjmë më të mirë nga çfarë është.
Redaksia Online
(e.s/a.h/shqiptarja.com)