TIRANE - Debatet nuk munguan as dje në Komisionin e Ligjeve, ku deputetët e PD dhe PS u përplasën lidhur  me draftin e propozuar nga ministri i Drejtësisë Eduard Halimi për disa ndryshime në Kodin Civil dhe atë të Procedurës Civile. Ndonëse pas më shumë se 4 orë debatesh, PD dhe PS miratuan me konsensus ndryshimet në Kodin Civil dhe në Kodin e Procedurave Civile.

Paketa e ndryshimeve në këto dy kode u rikthye për diskutim pas një kërkese të opozitës, përfaqësuesit e së cilës dje kanë qenë të pranishëm në mbledhje ndonëse në mbledhjen e mëparshme bojkotuan të merrnin pjesë. Disa prej ndryshimeve të këtij kodi vijnë në ndihmë të sistemit bankar në Shqipëri, pasi tentojnë që të përmirësojnë procedurën për ekzekutimin e kolateralit nga bankat përmes përmbaruesve privatë.

Nëse më parë duheshin tre muaj për ekzekutimin e kolateralit me ndryshimet e propozuara kjo kryhet për 15 ditë. Ndërkaq pasuria e bllokuar nga banka ndaj personit që nuk ka mundësi të paguajë më kredinë, tani nuk do të shitet më me 75% të vlerës, por me 50% të saj.

Gjithsesi kanë mbetur disa pika për t’u diskutuar në lidhje me titujt ekzekutiv, për të cilën do të vendosin kryetarët e grupeve. Sipas tij, ky ndryshim që pritet të ndodhë në Kodin Civil do të bëjë të mundur eliminimin e procedurave gjyqësore për çështjet e trashëgimisë, ndërsa do të ulë ndjeshëm kostot për qytetarët.

DRAFTI

Një ndryshim i rëndësishëm i cili pritet të ndodhë në Kodin Civil është edhe ngushtimi i trupave të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, nga pesë, në tre gjyqtarë. Në lidhje me këtë ndryshim, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, deklaroi se për çështjet të cilat kanë vlerë të ulët monetare do të aktivizohen trupa gjyqësore me tre gjyqtarë.

Sipas tij, ky ndryshim i rëndësishëm që pritet të ndodhë, do t`i shërbejë qëllimit për të rritur efiçencën në sistemin gjyqësor. Në kuadër të këtij ndryshimi është edhe pakësimi i çështjeve të cilat do të shkojnë për t’u shqyrtuar nga ana e Gjykatës së Lartë.

Përpos kalimit të trashëgimisë nga gjykatat tek noterët, si dhe shkurtimit të trupave gjyqësore, në ndryshimet e hartuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë parashikohet lehtësimi i procedurave për urdhrat e ekzekutimit, krijimi i një portali unik për aksesin online në hipotekë, regjistrin e përmbaruesve, etj.

Po ashtu, një tjetër pjesë e rëndësishme e ndryshimeve është edhe nisma për dixhitalizimin e sistemit gjyqësor, e cila është përmendur si përparësi nga ana e qeverisë shqiptare.

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 09.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)