Këshilli i Ministrave botoi të plotë në faqen e saj zyrtare Kodin e Etikës për anëtarët e qeverisë. Kryefjalë e këtij kodi është marrëdhëniet me publikun, mediat dhe privimi që është vendosur ndaj ministrave në lidhje me deklaratat publike, ruajtjen e konfidencialitetit dhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me etikën e sjelljes së një zyrtari të lartë. Për më tepër që dhe komunikimi me mediat do të kalojë nëpër disa “stacione” për të marrë viston përfundimtare.

Asnjë ministër nuk ka të drejtë të deklarojë në publik votën kundër në qeveri, s’ka të drejtë të kërkojë apo të pranojë shpërblim apo premtim shpërblimi lidhur me vendime të marra gjatë ushtrimit të funksionit, ku eliminohet tërësisht ryshfeti dhe për më tepër nuk ka të drejtë të jetë pjesë e organizatave joqeveritare. Njëherësh ai nuk mund të marrë pjesë në mbledhje qeverie, nëse ka konflikt interesi për vendimin apo projektligjin që diskutohet dhe nuk mund të jetë pjesë e veprimtarisë private.

Ndërsa nuk mund të ngrejë as padi ndaj medias, pa marrë më parë pëlqimin e kryeministrit, i cili mund dhe të vendosë për qëndrimin ose jo në detyrë. Nga ana tjetër është përcaktuar se si merren dekoratat, dhuratat njëherësh dhe testimi i punës nga Komisioni i Etikës që ngrihet nga kryeministri. Më poshtë po publikojmë nenet kryesore:

“Këshilli i Ministrave ka të drejtë të kërkojë nga Komisioni i Etikës një opinion këshillimor lidhur me sjellje apo veprime të caktuara gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj”.

“Ministritë duhet të bëjnë publike, të paktën një herë në çdo tre muaj, të dhënat e hollësishme të takimeve të ministrave, që zhvillohen jashtë ministrisë me qytetarë apo organizata, vendase dhe të huaja”


Neni 4
1. Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të marrë pjesë  në shqyrtimin dhe vendimmarrjen e një çështjeje, nëse ka interes  personal ndaj saj ose, në çdo rast tjetër, kur vërtetohen arsye serioze njëanshmërie...
 
Neni 5
Anëtari i Këshillit të Ministrave, pas marrjes së vendimit duhet të shmangë në publik çdo shprehje mospajtimi dhe të mbrojë ose të përkrahë vendimet e arritura, si dhe duhet të ruajë konfidencialitetin e mendimeve, vlerësimeve të debateve e të raportimeve, të shprehura në Këshillin e Ministrave dhe komitetet ndërministrore, si dhe nëpërmjet korrespondencës.
 
Neni 6

Shqyrtimi kolegjial i çështjeve
Kur ndërmjet ministrive ka mosmarrëveshje, këto i referohen Kryeministrit vetëm pasi të jenë shteruar mjetet e tjera të zgjidhjes.
 
Neni 8
Deklaratat publike dhe dokumentet politike
Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të bëjë publike mendimet në lidhje me çështje, të cilat paraprakisht janë ose mund të jenë objekt i shqyrtimit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në mbledhjen e një komiteti ndërministror ose nga ndonjë organ tjetër në varësi të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 12

Veprimet e ndaluara
Anëtarit të Këshillit të Ministrave, në ushtrimin e veprimtarisë së tij, i ndalohet:
a. të kërkojë apo të pranojë shpërblim apo premtim shpërblimi lidhur me vendime të marra gjatë ushtrimit të  funksionit;
b. të fitojë ndonjë të drejtë apo të pranojë premtim për fitimin e saj, në rastet kur shkelet parimi i mosdiskriminimit;
c. të keqpërdorë autorizimet/delegimet të cilat rrjedhin nga ushtrimi i funksionit të tij publik;
ç. të kërkojë, të përvetësojë, të pranojë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, dhurata, sende me vlerë apo shërbime, në kompensim të votës së tij në vendimmarrjen kolegjiale apo në vendimmarrjen e tij individuale;
d. të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo organi për arsye të përfitimit material personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta;
dh. të premtojë punësim apo ndonjë të drejtë tjetër, në këmbim për dhuratë apo premtim dhurate;
e. të ndikojë në dhënien e pasurive apo të fondeve publike të tretëve, për interes personal;
ë. të shfrytëzojë për interes personal informacione të cilat ai i posedon për shkak të funksionit;
f. të ndikojë në vendimmarrjen e organeve legjislative, gjyqësore apo ekzekutive, duke shfrytëzuar postin e tyre me qëllim të përfitimit personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta;
g. të marrë vendime/të ndërmarrë veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i vijnë përshtat interesit të  tij personal, interesit të familjarëve të tij apo personave të lidhur me ta;
gj. të marrë vendime/të ndërmarrë veprime të cilat do të ndihmonin apo do të favorizonin interesin privat të ndonjë personi tjetër, në dëm të interesit publik.

Neni 13
Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet të përdorë pasuritë publike që i janë vënë në dispozicion për ushtrimin e funksionit, për interesa privatë dhe/ose politike.

 
Neni 14
Publiciteti i veprave publike
Veprat publike dhe çdo produkt i veprimtarisë qeveritare, që realizohet me fonde publike, mund të përdoren për publicitet dhe në reklamat e qeverisë, por nuk duhet të prezantohen si meritë e një apo disa partive politike.
 
Neni 15/Intervistat dhe fjalimet
1. Në mënyrë që të garantohet bashkërendimi i efektshëm i punës së kabinetit qeveritar, për përmbajtje dhe kohën e të gjitha prononcimeve madhore, fjalimeve, deklaratave për shtyp e nismave të reja duhet, për sa është e mundur, të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave.
2. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të bëjë kujdes që deklaratat e tij të përputhen me programin dhe qëndrimet politike të qeverisë. Ai duhet të tregojë kujdes të veçantë gjatë trajtimit të tematikave, të cilat hyjnë te përgjegjësitë dhe kompetencat e ministrive të tjera. Në një rast të tillë, përpara se të prononcohet, ai duhet të informohet dhe të sqarojë çështjen me ministrin përkatës.
 
Neni 16/Botimet në media
Anëtari i Këshillit të Ministrave mund të botojë mendime, komente, opinione në media të ndryshme, por me kusht që përmbajtja e tyre të mos bjerë ndesh me parimin e besueshmërisë e solidarësisë. Shpërblimet për këto botime u kalojnë organizatave sociale apo institucioneve që merren me zhvillimin e programeve të ndihmës dhe përkrahjes ose institucioneve të ndryshme arsimore.
 
Neni 17/Pagesa për fjalimet dhe artikujt në media
Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet të pranojë asnjë formë pagese për fjalimet, komentet ose artikujt e natyrës zyrtare apo që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë apo përvojën e tij si anëtar i qeverisë, që botohen në media të ndryshme.
 
Neni 18/Librat autobiografikë
Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet, që, ndërsa është në detyrë, të shkruajë dhe të botojë një libër për përvojën e tij ministrore apo të hyjë në çfarëdo marrëveshje për të botuar kujtimet e tij pas largimit nga pozicioni i tij ministror.
 
Neni 19
Aktet kundrejt medias
Anëtari i Këshillit të Ministrave ndalohet të ngrejë një padi civile dhe/ose të bëjë një kallëzim penal kundrejt një medieje të caktuar apo përfaqësuesit të saj pa marrë më përpara miratimin e Kryeministrit ose të Këshillit të Ministrave.

Neni 24
Përpara fillimit të një procedimi apo procesi ligjor, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të përfshirë personalisht/privatisht me këto të fundit, duhet të konsultohen me këshilltarët e tyre ligjorë, në mënyrë që të udhëzohen për të shmangur çfarëdo lloj forme të ndërhyrjes, përfshirë edhe atë të presionit politik, në trajtimin e çështjes, që mund të vijë si pasojë e postit që ata mbajnë.

Neni 26
Kufizimet për anëtarin e Këshillit të Ministrave
Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet:
a. të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese në organizata fitimprurëse dhe jofitimprurëse, sindikata ose organizata profesionale dhe çdo organizatë tjetër, përjashtuar organizatat politike dhe shtetërore në rastet kur një pozicion i tillë diktohet për shkak të funksionit;
b. të anëtarësohet apo të mbështetë organizata joqeveritare, objektivat e të cilave bien ndesh me politikat e qeverisë, duke krijuar kështu një konflikt interesi;
c. të pranojë, si rregull, ftesa për të vepruar si përkrahës apo t’u ofrojë mbështetje grupeve apo organizatave të varura, tërësisht a pjesërisht, nga fondet publike;
ç. të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, si dhe profesione të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a”, të këtij neni, si dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
d. të zotërojë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.

Neni 27
Ushtrimi i veprimtarive të tjera
1. Anëtari i Këshillit të Ministrave, i zgjedhur si përfaqësues i partisë politike, e ruan të drejtën e ushtrimit të funksionit në parti, nëse me ligj të veçantë nuk parashikohet ndryshe.
2. Anëtari i Këshillit të Ministrave, gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, mund:
a) të kryejë pa shpërblim veprimtari në fushën e shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe në ato të natyrës humanitare;
b) të realizojë fitime, në bazë të të drejtave të autorit, patentave dhe të drejtave të ngjashme.

 
Neni 28
Dekoratat e huaja
Pranimi i dekoratave nga një shtet tjetër mund të bëhet vetëm pasi të jetë marrë më parë miratimi nga Kryeministri, si dhe të jetë njoftuar paraprakisht Ministria e Punëve të Jashtme.

Neni 29
Dhuratat, favoret, premtimet dhe trajtimet preferenciale
1. Është e ndaluar që një anëtar i Këshillit të Ministrave të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen, për shkak të pozicionit të tij, nga një person, fizik ose juridik, privat.
Dhuratat, që i jepen anëtarit të Këshillit të Ministrave, në ushtrim të funksionit të tij ministror, kalojnë në pronësi të shtetit. Përjashtohen nga ky rregull dhuratat me karakter simbolik.
 
Neni 35
Përdorimi i makinave zyrtare
1. Ndalohet përdorimi i automjeteve zyrtare për qëllime private, përveç rastit kur kjo lidhet me sigurinë personale dhe të familjes së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Në këtë rast, kostot e përdorimit të automjetit paguhen nga anëtari i Këshillit të Ministrave.
2. Kur është e mundur ministrat nxiten që të përdorin transportin publik.
 
Neni 37
Kufizimet e zyrtarit pas largimit nga ushtrimi i funksionit publik
1. Anëtari i Këshillit të Ministrave, të cilit i përfundon mandati, përfshirë edhe ai i deputetit, nuk ka të drejtë për 1 (një) vit të emërohet në pozita drejtuese apo të përfshihet në kontrollin e shoqërive tregtare, publike apo private, nëse gjatë periudhës 2 (dy)- vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik, ka qenë drejtpërdrejt i implikuar me veprimtarinë tregtare të këtyre shoqërive.
 
Neni 40
Masat disiplinore
1. Anëtari i Këshillit të Ministrave qëndron në detyrë për aq kohë sa gëzon besimin e Kryeministrit. Ky i fundit vlerëson standardet e sjelljes që pritet të mbahen nga ana e ministrit dhe vendos për masat, që do të ndërmerren në rast të thyerjes së këtyre standardeve.
2. Komisioni i Etikës, pasi del në përfundimin se kemi të bëjmë me një thyerje të Kodit Etik Ministror, ia bën atë me dije Kryeministrit nëpërmjet një akti me shkrim. Në këtë rast, masat disiplinore që mund të japë Kryeministri janë:
a. vërejtje;
b. paralajmërim për shkarkim nga detyra;
c. fillimin e procedurave për shkarkim nga detyra.
3. Përveç shkeljeve veçanërisht të rënda, Kryeministri, përpara fillimit të procdurës së shkarkimit nga detyra, mund të lejojë anëtarin e Këshillit të Ministrave të japë dorëheqjen.

Neni 41
Komisioni i Etikës ngrihet me urdhër të Kryeministrit. Në urdhër përcaktohen përbërja dhe organizimi i Komisionit të Etikës.


Shkrimi u publikua sot (19.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)