Kodi i punës, paga e siguruar dhe detyrimet e punëdhësit ndaj punonjësit

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë për Kodin e Punës. Profesor Kepi ka shpjeguar me hollësi përfitimet dhe detyrimet që ka një i punësuar nga Kodi i Punës. Ai ka shpjeguar se çfarë është Kodi i Punës, duke u futur më tej në detaje të tij duke u dhënë përgjigje pyetjeve si: Cilat janë dokumentet që duhet të paraqesë një person kur punësohet? Sa është orari i punës? Sa është paga mbi të cilën punonjësi do të sigurohet? Po kur një punonjës punon jashtë orarit të punës, si paguhet? Sa ditë është leja e zakonshme e detyrueshme? Cilat janë masat administrative? Më pas Fadil Kepi u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Çfarë duhet të dimë për Kodin e Punës? Çfarë është Kodi i Punës? Cilat janë dokumentet që duhet të paraqesë një person kur punësohet? Sa është orari i punës? Sa është paga mbi të cilën punonjësi do të sigurohet? Po kur një punonjës punon jashtë orarit të punës, si paguhet? Sa ditë është leja e zakonshme e detyrueshme? Cilat janë masat administrative?

Sipas Kodit të Punës, të gjitha qendrat e punës shtetërore dhe private, pra punëdhënësit, janë të detyruar që të bëjnë një kontratë pune me punëmarrësit. Në kontratën e punës duhet që të shënohen detyrimisht: data e nënshkrimit të kontratës, orari i punës, orari i fillimit të punës, sa orë duhet të punojë punëmarrësi gjatë muajit, cila është paga bruto mbi të cilën do të paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore, por me të cilën do të paguhen edhe punëmarrësi, sa janë orët që mund të punojë jashtë orarit punëmarrësi, kush ka të drejtë të punojë jashtë orarit dhe kush përjashtohet, sa paguhet punëmarrësi kur punon jashtë orarit të punës. Gjithashtu përcaktohet edhe leja e zakonshme, sa duhet të jetë ajo. Po leje suplementare për ngjarjet që mund t’i ndodhin njeriut gjatë jetës. Po të drejtë leje pa rrogë, a ka të drejtë punëmarrësi që të marrë? Pastaj përcaktohen edhe masat administrative, si edhe kur shlyhet masa administrative.

Siç e theksuam edhe në fillim, për të filluar punë, punonjësi duhet të paraqesë kartën e identitetit, dokumentin që vërteton se çfarë arsimi ka mbaruar, dokumentin që vërteton profesionin që ai ka. Në kontratën e punës do të shënohet se kur fillon puna, sa orë duhet të punojë, data e fillimit edhe orët sipas turneve. Gjithashtu do të shënohet sa është paga mujore, leja e zakonshme etj.

Paga minimale e detyrueshme për të gjithë punonjësit, pavarësisht se ku punojnë, në sektor shtetëror apo në sektor privat, sipas vendimit të qeverisë nga data 1 janar 2019, nuk mund të jetë më pak se 26.000 lekë të rinj në muaj dhe kontributet e sigurimeve shoqërore do të paguhen mbi këtë pagë. Kjo pagë i përket 174 orëve punë në muaj.

Po kur qendra e punës ka nevojë që punonjësi të punojë jashtë orarit?

Sipas Kodit të Punës, gjatë vitit, qendra e punës ka të drejtë që t’u propozojë punonjësve që të punojnë jashtë orarit të tyre të punës. Por, brenda orarit të punës nuk mund të punohet më shumë se 48 orë në javë dhe jashtë orarit të punës nuk mund të punohet më shumë se 48 orë në javë.

Sa paguhen orët jashtë orarit të punës?

Orët jashtë orarit të punës, kur punohet në ditët e zakonshme, por kur punohet edhe në ditët e pushimit dhe në ditët e festave zyrtare, nuk mund të paguhen më pak 25% të rrogës, më shumë sesa orët e zakonshme. Në qoftë se punohet jashtë orarit edhe në ditët e festave zyrtare, kur puna është pa ndërprerje, siç është puna në mjekësi apo në polici etj., atëherë orët jashtë orarit të punës në ditët e festave zyrtare dhe në ditët e pushimit nuk  mund të jenë më pak se 50% e pagës.

Qendra e punës duhet që t’i pajisë punonjësit me librezën e punës dhe me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Qendra e punës është e detyruar që të marrë masat për sigurimin e shëndetit të punonjësve në punë. Ajo duhet që t’u sigurojë atyre të gjitha kushtet e duhura higjieno-sanitare.

Qendra e punës është e detyruar që grave shtatzëna, çdo 3 orë, t’u japë 30 minuta pushim. Gratë shtatzëna nuk mund të punojnë jashtë orarit të caktuar të punës. Gjithashtu jashtë orarit të punës nuk mund të punojnë gratë me fëmijë deri në 1 vjeç, si edhe personat me aftësi të kufizuara.

Kur leja e zakonshme bie në ditë feste zyrtare, atëherë ajo shtyhet. Në rast se gjatë lejes së zakonshme personi sëmuret apo shtrohet në spital, dhe trajtohet me raport mjekësor, atëherë leja e zakonshme shtyhet. Lejet e zakonshme që nuk janë marrë, jepen deri në 3 vite, por nuk lejohet që në vend të lejes, punonjësi të paguhet me rrogë. Leja e zakonshme mund të paguhet me rrogë vetëm kur punonjësi del në pension.

Flas nga Tirana. Kam punuar në hekurudhë dhe pensioni më ka dalë i ulët, 150.000 lekë të vjetër në muaj. Kam 30 vite punë dhe jam 66 vjeç.

Zotëria ka dalë në pension vitin e kaluar, pra në vitin 2018. Në vitin 2018, për të marrë pension të plotë duheshin 36 vite e 4 muaj punë e siguruar. Zotëria tha që ka 30 vite punë, si rrjedhim ai nuk ka marrë pension të plotë pleqërie. Vlera e pensionit llogaritet mbi pagën mesatare bruto të gjithë periudhës së siguruar. Megjithatë, ai ka të drejtë që me librezën e pensionit t’i bëjë një ankesë me shkrim komisionit të ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës. Nëse zotëria sërish nuk do të bindet nga përgjigjja që do të marrë prej komisionit të ankimit, atëherë duhet të takojë Drejtorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, i cili pret çdo ditë të mërkurë.

Flas nga Maliqi. Jam 53 vjeçe. Burri më ka vdekur para 3 vitesh. Jam invalide por nuk marr pension invaliditeti, sepse nuk kam qenë e siguruar. Burri merrte pension të plotë. A më takon që të marr gjysmën e pensionit të tij? Në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Maliq më thanë që e përfitoj nëse nuk kam tokë.

Agjencia e Sigurimeve Shoqërore në Maliq nuk cakton pensione, por vetëm pranon dokumentet. Pensionet i cakton Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Korçë. Kur vdes burri, gruaja merr gjysmën e pensionit, por kur mbush moshën 55 vjeçe, ose edhe në moshë më të re kur ka fëmijë nën 8 vjeç. Gjithashtu përfiton gjysmën e pensionit të burrit edhe nën moshën 55 vjeçe kur gruaja është invalide. Invaliditetin e përcakton Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Zonja është 53 vjeçe dhe derisa të mbushë moshën 55 vjeçe dhe të përfitojë nga pensioni i burrit, ose duhet që të marrë ndihmë ekonomike, nëse i plotëson kushtet, ose duhet të punojë. Kur të mbushë 55 vjeç, nëse zonja nuk ka tokë në pronësi të saj, nëse është pa punë, nëse nuk është punëdhënëse, i takon që të marrë gjysmën e pensionit të burrit.

Flas nga Tirana. Jam 66 vjeç dhe kam dalë në pension para një viti. Marr pension të plotë pleqërie edhe pension si ushtarak. Gjithsej kam pasur 42 vite e 6 muaj. Nga këto, 22 vite kam punuar në Policinë e Shtetit, prandaj marr edhe pension suplementar. Në krahasim me kolegët e tjerë, pensioni im është më i ulët. Marr si pension pleqërie 283.000 lekë të vjetër në muaj, ndërsa pension suplementar marr 107.000 lekë të vjetër në muaj.

Pra zotëria ka marrë në vitin 2018, 39.000 lekë të rinj gjithsej në muaj për të dy pensionet. Ndërsa në vitin 2019 ky pension është rritur, pasi janë rritur koeficentët dhe zotëria merr 40.100 lekë të rinj në muaj. Ligji thotë që vitin e kaluar, pra në vitin 2018, për të marrë pension të plotë pleqërie duheshin 36 vite e 4 muaj punë të siguruar. Zotëria ka pasur gjithsej 42 vite e 6 muaj punë, pra rreth 17% më shumë periudhë pune. Dhe ligji thotë që sa më shumë vite pune të ketë personi, aq më i lartë i del pensioni. Por zotëria nuk është i bindur për vlerën e pensionit që merr. Atëherë ai ka të drejtë që t’i bëjë një ankesë me shkrim komisionit të ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës. Kërkesën do ta bëjë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore ku ka dorëzuar dokumentet për të dalë në pension. Në qoftë se zotëria përsëri nuk do të bindet nga përgjigjja zyrtare e komisionit të ankimit, atëherë ka të drejtë që t’i bëjë një ankesë tjetër Komisionit Qendror të Ankimit, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Atje ka një sektor të veçantë që merret me pensionet suplementare. Gjithashtu edhe komisionet e ankimit përbëhen nga specialistë me përvojë.

Në adresën tonë në Facebook ka ardhur një mesazh, ku shkruhet: “Jam një qytetar nga Burreli, por me banim në Durrës. Vuaj nga një sëmundje kronike që prej 10 vitesh. Në vitin 2018 mjekët e spitalit më plotësuan një formular për t’u paraqitur para KMCAP-it. Unë jam vetësiguruar që nga viti 1993 deri në vitin 2018. Nga viti 1993 deri në vitin 2002 kontributin e sigurimeve shoqërore e kam paguar në Burrel, ndërsa nga viti 2004 deri në vitin 2018, e kam paguar në Durrës. Tani më kërkojnë vërtetim për tokën. Në Durrës e kam marrë dokumentin, ndërsa në Burrel nuk mund ta marr për arsye se janë bashkuar zyrat e ALUIZNI-t me Hipotekën. Nuk disponojnë vulë institucioni që të marr edhe dokumentin për regjistrimin e pronës. Si duhet të veproj?”.

Me dokumentet që ka, do të paraqitet në KMCAP-in e Sigurimeve Shoqërore në Durrës. Anëtarët e Komisionit do të shikojnë legjislacionin dhe do t’i japin përgjigje nëse i takon apo jo pensioni i invaliditetit. Përgjigjen do ta marrë zyrtare, me firma e me vula. Nëse nuk bindet nga përgjigjja, atëherë ka të drejtë që t’i bëjë një ankesë me shkrim Kempit Epror në Tiranë. Kempi Epror do t’i kthejë përgjigje zyrtare dhe vendimi i Kempit Epror është i formës së prerë. Më pas nuk mund të ankohet në asnjë institucion tjetër.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare