Në raportimin vjetor në Kuvend, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, u përgjigj edhe për një qëndrim për draftin e Kodit të ri Penal. Ajo tha se KLP ende nuk ka një qëndrim të qartë për sa kohë nuk ka mundësinë infrastrukturore për ta analizuar.

“Ky ka qenë një proces tërësisht i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë. Kemi pritur të kemi një material të cilin mund ta gjykojmë. Kemi pasur një diskutim informal për qëndrimin që ne si Këshill mund të mbajmë, për qasjen pro apo kundër kodit apo seksioneve të veçanta të tij, sepse duhet një punë e jashtëzakonshme për të analizuar të gjitha ato nene, për të parë direktivat e Bashkimit Europian dhe se si përjashtohen. Kërkon një ekspertizë të gjerë në kohë dhe burime njerëzore që Këshilli për momentin nuk i ka. Ka nevojë për një vlerësim dhe vendimmarrje për t’u analizuar në detaje”,- tha Bogdani.

Sa i përket sigurisë në prokuroritë e vendit, Bogdani tha se KLP nuk ka fuqinë ligjore për të marrë vendime dhe masa në këtë aspekt, por theksoi se në mbledhjen e përbashkët që do të zhvillohet me Këshillin e Lartë Gjyqësor në dhjetor, do të adresohet kjo problematikë.

“Diskutimi i përbashkët midis KLP dhe KLGJ në dhjetor do të adresojë dhe çështjen e sigurisë. Ndoshta është momenti që këshillat dhe të gjitha institucionet e drejtësisë të bashkëpunojnë dhe të dalin me një plan masash”,- tha Bogdani.


Lajmi kryesor:

'Ligjet'/ Manja kritika për punën e KLP: Nëse s’reflektoni, ndërhyn Kuvendi! Xhafaj: Po i krijoni vendit problem në anëtarësimin në BE