Pas një raportimi prej rreth 3 orësh, në 2 komisione parlamentare, të drejtueses së KLP-së, Mirela Bogdani, për raportin e vitit 2024, ku në pjesën më të madhe të pyetjeve u fol për gjëra teknike, kritikat dy kryetarët i lanë për në fund. Ulsi Manja dhe Fatmir Xhafaj nuk hezituan të numërojnë të gjitha problemet që sipas tyre ka institucioni, në veçanti rregullorja, vlerësimi i performancës së prokurorëve dhe emërimet e drejtuesve në prokuroritë në rrethe.
"Nëse ju nuk reflektoni, do të jetë Kuvendi që nëpërmjet ndërhyrjeve ligjore, pa cenuar pavarësinë e asnjë organi të drejtësisë, do të ndërhyjmë. Do të kemi një rezolutë përpara se ju të raportoni në seancë plenare. Rezoluta, edhe pse jemi në përfundim të vitit 2025, do të gjejnë pasqyrim të gjitha shqetësimet dhe problematikat që ka KLP. Reflektimi i parë do të duhet ët vijë nga ju. Kur të raportoni vitin tjetër në këto komisione, do të duhet të ketë marrë zgjidhje problemi i rregulloreve, i vlerësimit të punës dhe performancës së prokurorëve dhe të jetë hapur diga për të operuar me sistemin e karrierës dhe emërimin dhe plotësimin e prokurorive të juridiksionit ët përgjithshëm me drejtues sepse këtë proces e keni bllokuar ju",- tha Manja
Manja tha se pavarësia nga politika është e garantuar, por nuk po shoqërohet me funksionalitet të duhur nga ana e KLP-së.
"Këshilli i ka mekanizmat për të qenë distant nga politika, përse nuk funksionon këshilli, mesa kuptova unë ka të bëjë me protagonizmin e trupës së prokurorëve anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kjo duhej të ishte vlerë për Këshillin. Askujt më shumë se prokurorëve nuk i dhimbset sistemi sepse e kanë shtëpinë e vet. Këshilli do të duhet të ngrihet në nivelin e lartësisë që i kërkon Kushtetuta dhe Ligji, prokurorët dhe jo prokurorët në Këshill. Pse qenka e vështirë për të bërë vlerësimin e 218 prokurorëve që janë sot në sistem? Ka traditë gjyqësore dhe prokuroriale në këtë vend",- tha Manja.
I pakënaqur me punën e KLP-së në këto vite është edhe Fatmir Xhafaj, i cili përveç kritikave se institucioni po sjell probleme për integrimin, kërkoi bashkëpunim me Kuvendin, për t’i mbështetur.
"I krijoni vendit një problem shumë të madh në procesi e integrimit sepse kritikat më të mëdha nga BE janë për këtë këshill. Është situatë e mbartur, por çfarë mbështetje kërkoni për aq sa mund të bëjë Kuvendi, para se Kuvendi të bëjë vetë një analizë se çfarë të bëjë me Këshillin',- u shpreh Xhafaj.
Në përgjigjen e saj, drejtuesja e KLP-së, Mirela Bogdani, nuk ishte e gatshme të fliste publikisht mbi kritikat dhe kërkoi një mbledhje pa praninë e kamerave për të diskutuar mbi problematikat e institucionit që ajo drejton dhe më pas të ketë zgjidhje.
E pyetur për zgjedhjen kreut të Byrosë Kombëtare dhe SPAK, Bogdani tregoi fazën në të cilën ndodhet procesi.
Për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Bogdani tha se roli i KLP në këtë proces është formal, dhe vetëm pret emrin e përzgjedhur nga SPAK dhe komisioni i posaçëm për këtë qëllim, që ta emërojë.
“Ne jemi duke pritur nga Prokuroria e Posaçme që të sjellë propozimin për ta caktuar sipas ligjit. Ndoshta mund të jetë momenti që Këshilli të ketë një rol më aktiv të procedurës së ndjekur, por roli i Këshillit është vetëm formal. Ne e kemi diskutuar gjatë këtë dhe arritëm në përfundimin që nuk mund të dalim nga parashikimet e legjislacionit. Ne do të presim emrin nga SPAK dhe komisioni”,- tha Bogdani.
Për drejtuesin e SPAK, Bogdani tha se në vazhdim KLP do të vazhdojë me verifikim e platformave, profilit të tyre etj. Ndër të tjera, theksoi se KLP nuk po përballet me presion nga asnjë faktor për përzgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme.
“Unë e përmenda pak më pas për që kemi miratuar kushtet dhe kriteret formale për prokurorët që kanë aplikuar. Këshilli më pas do të vijojë me verifikimin e platformës, dosjeve që kanë sjellë, analizë dhe konkluzion përfundimtar në seancën dëgjimore, intervistën dhe votimin. Nuk ka presione”,- tha Bogdani.
Sa i përket arrestimit të avokatit Ulian Barjami në Elbasan, Bogdani tha se KLP ka kërkuar nga Prokuroria e Elbasanit informacion më të detajuar lidhur me ngjarjen dhe më pas do të dalë me një qëndrim për rastin.
“Lidhur me avokatin e arrestuar në Elbasan, ne kishim një mbledhje sot dhe diskutuam në mënyrë informale, vendosëm që fillimisht të kërkojmë informacion dhe më pas do të qartësojmë qëndrimin. Nuk mund të shprehemi pa pasur një informacion të plotë të mënyrës se si kanë rrjedhur ngjarjet”,- tha drejtuesja e KLP.

Gjatë raportimit në Kuvend për veprimtarinë e KLP-së, kryetarja Mirela Bogdani shpjegoi fazën në të cilën ndodhet konkurrimi për të udhëhequr Strukturën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe rolin e Këshillit në studimin e kandidatëve.
“Lidhur me drejtuesin e SPAK, sot ka qenë mbledhja që miratuam kushtet dhe kriteret formale. Kjo procedurë ishte formale pro e domosdoshme. Do vijojmë me verifikimin e dosjeve, analizë për secilin dhe më pas procesi i votimit. Lidhur me çështjen e presionit. Më shumë është lobim, dikush është me tifoz i një qasje që ndjek një prokuror. Një mund të ketë qasje më represive, dikush pak më human dhe liberal. Ata janë të gjithë prokurorë të SPAK”, tha ajo.
Edhe aludimet për ndërhyrjet e ndërkombëtarëve, Bogdani i hodhi poshtë preferencat dhe zbuloi porositë.
“Nga diplomatët është kërkuar garantimi i procesit. Nuk ka asnjë lloj sugjerimi. i vetmi sugjerim ka qenë nëse keni ndonjë kërcënim referojini, absolutisht jo një emër konkretë”, u shpreh ajo.
Gjatë replikës me deputetin e PS-së Fatmir Xhafa, kryetarja e KLP-së Mirela Bogdani, tha se institucioni që ajo drejton po funksionon edhe në kushte presioni kur i kërkohet që të japë rezultate.
“Ky është një realitet i ri i mënyrës që Këshilli po fillon të funksionojë edhe në kushte presioni kur duhet të japë rezultate, qoftë edhe kur duhet të japë vlerësimi etiko-profesional apo për procedurat e tjera. Ndoshta ky lloj skaloni me prokurorë shumë të lartë dhe me profesionistë shumë të mirë, ndoshta kërkon një lloj zbutje menaxheriale. Duke qenë kaq të aftë dhe kaq ekspertë, kërkojnë që të kenë zërin e tyre që të dominojë në një vendimmarrje të Këshillit. Besoj se një koordinim më i mirë i punës brenda komisionit mund të ndihmojë”, tha Bogdani.
Ndërsa po ashtu, Bogdani i bëri thirrje deputetëve se duhet të organizohet një forum pa praninë e kamerave, në mënyrë që të diskutohen problematikat e KLP-së dhe të gjendet ‘kura’.
“Ndoshta do të ishte mirë që në një forum më komod doja të thoja dhe jo në prezencën e kamerave, do doja të diskutonim se cilat janë realisht problematikat tona, që të gjejmë edhe kurën e duhur. Ndoshta në një diskutim informal, mund të gjejmë një qasje që të lehtësojë edhe punën tonë, edhe tuajën. Ne jemi të hapur për kritika, saqë ndonjëherë harrojmë menaxhimin e vetes, të komisionit, apo edhe të punës në Këshill. Ne shpenzojmë shumë kohë për procesin e vlerësimit, pavarësisht se numri i mbledhjeve është 38, koha fizike e shpenzuar është e gjatë”, tha ajo.
Teksa iu përgjigj pyetjes për dosjet stok, anëtari i KLP-së Vatë Staka gjatë raportimi në Kuvend, ka deklaruar se duhet të shtohet numri i prokurorëve. Sipas tij, ka disa prokurorë që nuk e ushtrojnë dot detyrën e prokurorit për shkak të Reformës në Drejtësi.
“Lidhur me numrin e prokurorëve. Pavarësisht se është Prokurori i Përgjithshëm që i drejtohet Kuvendit, KLP ka një bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme, është kompetencë e Kuvendit. Në reformën e re, 22 prokurorë, nuk e ushtrojnë ndjekjen detyrën për ndjekjen penale se janë në pozicione të tjera. 60 janë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Tre jemi këtu, dhe tre janë në zyrë, dhe 5 prokurorë janë këshilltarë në KLP, bëjnë 11. Ka disa prokurorë pranë ILD, prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Këta janë llogaritur si prokuror, por në fakt nuk e ushtrojnë detyrën në organet e drejtësisë. Një nga kërkesat tona është që duhet të rritet numri i prokurorëve nga Kuvendi i Shqipërisë dhe ne nuk kemi gjë në dorë", tha Staka.
Ndërsa kryetarja e KLP-së Mirela Bogdani tha se i kanë kërkuar në mënyrë informale BE-së një studim për numrin e prokurorëve.
“Kemi kërkuar dërguar në mënyrë informale, por edhe nga delegacioni i BE-së, që të bëjnë një përllogaritje, sa është numri i prokurorëve për numër popullsie. Kjo është diçka që nuk e bën vetë Këshilli, pasi mund ta bëjmë, por mund të çedojmë në cilësi. Kështu që po presim për një lloj ekspertize që ta adresojmë njëherë e mirë”, tha Bogdani.
Në raportimin vjetor në Kuvend, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, u përgjigj edhe për një qëndrim për draftin e Kodit të ri Penal. Ajo tha se KLP ende nuk ka një qëndrim të qartë për sa kohë nuk ka mundësinë infrastrukturore për ta analizuar.
“Ky ka qenë një proces tërësisht i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë. Kemi pritur të kemi një material të cilin mund ta gjykojmë. Kemi pasur një diskutim informal për qëndrimin që ne si Këshill mund të mbajmë, për qasjen pro apo kundër kodit apo seksioneve të veçanta të tij, sepse duhet një punë e jashtëzakonshme për të analizuar të gjitha ato nene, për të parë direktivat e Bashkimit Europian dhe se si përjashtohen. Kërkon një ekspertizë të gjerë në kohë dhe burime njerëzore që Këshilli për momentin nuk i ka. Ka nevojë për një vlerësim dhe vendimmarrje për t’u analizuar në detaje”,- tha Bogdani.
Sa i përket sigurisë në prokuroritë e vendit, Bogdani tha se KLP nuk ka fuqinë ligjore për të marrë vendime dhe masa në këtë aspekt, por theksoi se në mbledhjen e përbashkët që do të zhvillohet me Këshillin e Lartë Gjyqësor në dhjetor, do të adresohet kjo problematikë.
“Diskutimi i përbashkët midis KLP dhe KLGJ në dhjetor do të adresojë dhe çështjen e sigurisë. Ndoshta është momenti që këshillat dhe të gjitha institucionet e drejtësisë të bashkëpunojnë dhe të dalin me një plan masash”,- tha Bogdani.
Kryetarja e KLP-së Mirela Bogdani gjatë raportimin për punën e vitit 2024 në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, iu përgjigj deputetit të PD Sajmir Korreshit, në lidhje me bashkëpunimin me Dhomën e Avokatikës, ajo tha se ky bashkëpunim duhet të jetë i dyanshëm.
‘Atëherë lidhur me bashkëpunimin me Dhomën e Avokatisë, duhet të jetë i dyanshëm, sepse Dhoma e Avokatisë është një institucion privat që vetëmenaxhohet. Jo se ne nuk e kemi pasur në vëmendje. Kemi një anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që është anëtar i Dhomës së Avokatisë, kështu që kemi pika kontakti por nuk kemi pasur bashkëpunime institucionale si me ILD, apo me prokurorinë e Përgjithshme. Edhe nëse do kishe ndodhur, do të dëgjonim problematik që ata kanë, pra një takim formal. Por patjetër që është i rëndësishëm edhe bashkëpunimi mes KLP-së dhe Dhomës së Avokatisë. Ne nuk e kemi detyrë funksionale, pasi po ta kishim pasur do t’i kishim dërguar një kërkesë për problematikat që kanë prokuroritë”, tha Bogdani.
Sa i përket Hartës së re Gjyqësore, Bogdani tha se ende KLP nuk ka pasur një mundësi të bëjë një analizë të problematikave. Ndërsa tha se mund të ketë një takim me KLGJ për të folur për problematikat e Hartës së re Gjyqësore.
“Unë mendoj për shkak të ngarkesës dhe të sfidave që jemi përballur, Këshilli nuk ka pasur një mundësi që të bëjë një analizë të problematikave të veta të funksionimit. Ndoshta duhet të mblidhemi me KLGJ, për të diskutuar edhe problematikat e Hartës Gjyqësore. Ata kanë miratuar një dokument për eficencën, që besoj se janë mekanizma konkretë për t’i adresuar”, tha ajo.
Ndërsa si problematikë të Hartës së re Gjyqësore, Bogdani tha se është aksesi.
“Dokumenti i cili erdhi si studim i nevoja për ndryshimin e Hartës Gjyqësore, e kishte si problematike çështjen e aksesit, një problematikë që vazhdon të evidentohet edhe në ditët e sotme. Unë mendoj se shpejti së bashku me KLGJ, përveç sigurisë në Gjykata, mund të diskutojmë edhe problematikat e Hartës së re Gjyqësore, siç është stoku i dosjeve”, tha Bogadani.
Ndërsa sa i përket stokut të dosjeve në Gjykata, kryetarja e KLP-së tha se nuk është kompetencë e tyre.
“Ne merrmi me statusin, karrierën dhe disiplinën e prokurorëve. Nuk lidhemi me afatet dhe punën e tyre. I vetmi moment që ndërhyjmë, është kur vlerësojmë performancën përmes kriterit të etikës dhe profesional. Vetëm këtu matet shpejtësia e hetimit të një prokurori. Ndërkohë çdo vit, prokuroritë e rretheve raportojnë tek Prokurori i Përgjithshëm, i cili ka një databaze me statistika”, u shpreh ajo.
Komente












E bukur kur flasin stoku i dosjeve sikur Shqiperia është 100 miljon banor . A jan dy miljon banor bashke qej e mace talluni me kyt popull.ju vraft zoti
Përgjigju