Kodi Rrugor, deputetët ‘refuzojnë’ 
gjobat, rishihen ndryshimet në pr/ligj

Kodi Rrugor, deputetët ‘refuzojnë’ <br />gjobat, rishihen ndryshimet në pr/ligj
TIRANE- Rezistenca e bërë nga deputetët në komisionet parlamentare ka bërë që ndryshimet e propozuara nga qeveria në Kodin Rrugor të rishihen. Masat e reja të propozuara nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Transporteve për drejtuesit e mjeteve dhe dëmtuesit e infrastrukturës rrugore nuk kanë kënaqur deputetët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, të cilët kanë propozuar që ndryshimet e propozuara të rishihen edhe një herë nga ekspertët e dy ministrive dhe relatorëve të këtyre çështje në komisione.

Njësoj si një javë më parë, deputetët e Komisionit të Sigurisë edhe dje janë shprehur kundra gjobave të reja duke theksuar se ato rëndojnë shumë në xhepat e shqiptarëve dhe nuk janë në përputhje me masat e BE-së. Duke ju përmbajtur propozimit të bërë nga kolegët e komisionit përgjegjës të Veprimtarisë Prodhuese, deputetët e Komisionit të Sigurisë nuk i kanë marrë në shqyrtim ndryshimet e propozuara duke pritur përfundimet e ekspertëve të ministrive. Luan Rama deputeti i LSI-së në këtë komision i kërkoi ekspertëve të dy ministrive të punojnë për të punuar për hartimin e një Kodi të Ri dhe jo të sjellin arnime të vazhdueshme të kodit. “Para një viti ka pasur një ndryshim të Kodit, ku u pesëfishua masa e gjobës.

Ndërsa tani ka kërkesë për ta shtuar me 10-fishuar atë. Pse kjo masë është më e lartë nga Kodi italian ku është marrë modeli, duke qenë se në Itali kushtet e rrugëve janë më ndryshe”, u shpreh deputeti i LSI-së Rama. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Transporteve Edi Seitaj, sqaroi se ndryshimet e reja të propozuara në Kod më shumë se sa me drejtuesit e mjeteve lidhen me ata që dëmtojnë infrastrukturën rrugore dhe sinjalistikën rrugore. “Ndryshimet e reja janë për të forcuar masat kundër aksidenteve. Ne mbrojmë edhe infrastrukturën e rrugëve. Qëllimi është parandalimi, jo dënimi”, deklaroi Seitaj. Edhe deputetët në Komisionin e Ligjeve kanë shprehur kundërshtinë e tyre për 28 ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor.

Megjithëse në fund dhanë votën e tyre në parim për propozimet e bëra, deputetët kanë qenë kundra masave të reja. Ndryshimet në Kodin Rrugor kanë vendosur përball kritikave të ashpra ekspertët e ministrisë së Brendshme dhe Transporteve. Deputetët kanë dalë në mbrojtje të qytetarëve duke i cilësuar të ekzagjëruara masat e reja të propzuara për drejtuesit e mjeteve. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Përleshje mes shqiptarëve dhe rumunëve në kantierin e stadiumit 'Camp Nou'

Përleshje mes shqiptarëve dhe rumunëve në kantierin e stadiumit 'Camp Nou'