Kodi Rrugor, në komisionin e PD 
Noka: Gjobat janë marramendëse

Kodi Rrugor, në komisionin e PD <br />Noka: Gjobat janë marramendëse
TIRANE- Deputetët e Partisë Demokratike të Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Veprimtarive Prodhuese (komisioni paralel i ngritur brenda PD) u mblodhën sot dhe diskutuan mbi projektligjin e qeverisë për ndryshimet në Kodin Rrugor. Deputetët demokratë denoncuan ndryshimet në Kodin Rrugor si mjet respresioni ndaj qytetarëve që rrisin mundësinë për abuzim dhe korrupsion dhe nuk shtojnë sigurinë në rrugë.

Deputeti i PD, Flamur Noka tha se ky projektligj ka mentalitet ndëshkues pasi gjobat janë në nivele marramendëse.
 
komisioni i ligjeve

“Ky është një ligj në tërësinë e tij ndëshkues. Pra, ky projekt-ligj që në formimin e tij që në mënyrën se si është hartuar dhe formuluar, ka në thelb ndëshkimin dhe masat e represive ndaj qytetarëve dhe në asnjë element tjetër nuk ka risi. Ndërkohë që flitet për Kodin Rrugor e ndërkohë që duhej të shiheshin me dhjetëra e dhjetëra elementë për të përmirësuar Kodin, për të përmirësuar trafikun, qarkullimin dhe për të siguruar përfundimisht zbatimin e ligjshmërisë si edhe jetën e qytetarit, ky Kod ka mentalitet ndëshkues. Ne po shohim në këtë periudhë se ka një garë mes të gjitha institucioneve të kësaj qeverie, kush e kush të ndëshkojë më shumë qytetarë të këtij vendi, kush e kush të rrjepë më shumë qytetarët e këtij vendi dhe si duket edhe Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk ka ngelur dot jashtë kësaj gare. Ky projekt-ligj dhe këto gjoba marramendëse që parashikohen për qytetarët, janë jashtë çdo konceptimi jo vetëm juridik, jo vetëm ekonomik, por edhe perceptim qytetar; të vesh gjoba 200 euro në një vend ku pagesa minimale nuk është 200 Euro, do të thotë që ky ligj vetëm me përputhshmëritë dhe standardet e BE-së nuk ka, pasi në asnjë vend të BE nuk ka masa ndëshkimore minimale të barabarta me rrogën apo me minimumin jetik të qytetarëve”, tha Noka.

Bylykbashi e Shehu: 10-fishimi i gjobës, represion ndaj qytetarëve
Deputetët demokratë e dënuan 10-fishimin e gjobës dhe e quajtën këtë projektligj si një instrument represiv ndaj qytetarëve.
 
“Kemi një rritje drastike të këtyre penaliteteve që shpesh herë shkojnë në 10-fishin e gjobave ekzistuese, megjithëse propozuesit e këtij projekligji dështojnë për të paraqitur arsyet dhe motivet që kanë shtyrë ata në këtë rritje drastike penalitetesh. Për fat të keq, ky është një tregues i paaftësisë që nëpërmjet zbatimit të dispozitave ekzistuese, ku të mos harrojmë që Kodi Rrugor ka qënë i ndryshuar edhe para disa vitesh, ku në mënyrë konsensuale u forcuan edhe masat, por pikërisht paaftësia e zbatuesve të ligjit po përpiqet të justifikohet thjeshtë nëpërmjet rritjes së represionit mbi përdoruesit. Në aspektin ligjor jemi para masash administrative që nuk respektojnë parimin e propocionalitetit”, tha Bylykbashi.

“Nga këndvështrimi i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, 10 fishimi i gjobave  është në linjë me të gjitha politikat e dështuara, si në fushën ekonomike dhe atë fiskale. Natyrshëm që qytetarët do të përballojnë paaftësinë e qeverisë së vet. Nuk është një masë ligjore në formë presioni, por mendoj se ka një skenar që siç e kemi edhe në aspekte të tjera, edhe nëpërmjet këtij mekanizmi, ilustron më së miri instalimin e shtetit policor në vendin tonë. Nga përmasat e gjobave, edhe si filozofi qeverisëse, përkëthet; sa më e madhe barra ndaj qytetarëve, aq më urtë rrinë qytetarët. Në këtë mënyrë, ministri bën presion mbi policë dhe më tej policët mbi qytetarët. Natyrisht që kjo është politikë e vazhdimësisë së dështimit sepse në të vërtetë ne kemi parë politikë të rritjes së taksave por në formë të maskuar, sepse janë rritur taksat mbi konsumin dhe po të shikosh bllokun e taksave, 80 % e tyre i përkasin taksave mbi konsumin që i paguajnë të varfërit”, tha deputeti Sherefedin Shehu.

Florion Mima: Gjoba e papranueshme, sa 1/3 e të ardhurave vjetore
Deputeti Florion Mima theksoi se gjoba është e papranueshme pasi është sa 1/3 e të ardhurave vjetore të shqiptarëve.
 
“Me kufijtë e rinj të që tenton të prezantojë ministria e Brendshme, masa e gjobës shkon në një të tretën e GDP-së vjetore për frymë. Pra i bie që një shqiptar që bën një shkelje kur futet me të kuqe, shkel shpejtësinë, s’ka rripin, etj duhet të rrijë 100 ditë në vit pa ngrënë dhe të hajë vetëm 260 ditët e tjera. Kjo është totalisht e papranueshme. Po sjell një thëne të Kryeministrit aktual që është sistemi që i prish njerëzit, nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin. Ky sistem që tentohet të zbatohet sot do të nxisë në mënyrë të pamohueshme korrupsionin e strukturave. Ne kemi 23 vjet që merremi me administrim, dhe kemi parë që sa herë rriten gjobat, rritet edhe tentativat e ligjzbatuesve për t’u korruptuar. Një polic që do jetë para një shkeljeje që kushton 1 milionë lekë të vjetra të jeni të bindur që do të korruptojë qytetarin”, tha Mima.

Adrian Turku: Qeveria, amatorizëm në bërjen e ligjeve
Gjithashtu, u denoncua ajo që konsiderohet si biznes pranë qeverisë, detyrimi i qytetarëve për të blerë disa objekte që kërkohen gjatë qarkullimit.
 
“Në qeveri ka një amatorizëm të jashtëzakonshëm që mbështetet nga ky parlament me maxhorancë të cilësuar me 84 vota. Në muajin mars në fjalën time në Parlament kam thënë që Kodi Penal po rifutet 4 herë për tu parë me 4 problematika të ndryshme. Eshtë e 5 apo e 6 herë që Kodi Penal që nuk është një ligj i thjeshtë, prapë ndryshohet sipas asaj që i lind në kokë një ministri Tahiri apo Gjiknuri apo tjetër. Pra ka një amatorizëm të jashtëzakonshëm në iniciativat në ligjet e ndryshme dhe një parlament që bindet verbërisht në mënyrën më amatore të mundshme. Së dyti, kam dëgjuar nga punonjësit e policisë rrugore që vjeljen e gjobave e kanë bërë me plan. U vlon radioja duke u thënë që të mos kthehen në punë pa plotësuar një shumë gjobash. Së treti, bizneset në sajë të taksave dhe gjobave po tresin edhe dhjamin e fundit që u ka mbetur. Dhe do vijë një ditë që nuk do kenë më se çfarë të paguajnë. Pyetja që shtroj është se kur buxheti mbushet me rritje taksash, dhe kur kjo ekonomi nuk gjeneron, ku do e çojë vendin? Kjo është një pyetje shumë e madhe që ngrihet në këtë moment”, tha deputeti Ardian Turku.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

BE-ja miraton agjendat e reformave të Shqipërisë, Kosovës dhe 3 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes

BE-ja miraton agjendat e reformave të Shqipërisë, Kosovës dhe 3 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes