Kodi zgjedhor, ODIHR
sjell ekspertët për ndihmë

Kodi zgjedhor, ODIHR<br />sjell ekspertët për ndihmë
TIRANË - Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) do t’i japë asistencë teknike Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, gjatë vitit 2012, edhe përmes vizitës së një grupi ekspertësh në Tiranë.
Siç njofton zyra e OSBE në Tiranë, me ftesë të Kuvendit të Shqipërisë, ODIHR-i do të ofrojë këshillim për ndryshimet e planifikuara në Kodin Zgjedhor, që do të hartohen nga Komisioni i Posaçëm, përpara zgjedhjeve parlamentare që pritet të zhvillohen në pranverën e vitit 2013.
“Kjo është pjesë e përpjekjeve më të gjera të ODIHR-it për të ndihmuar Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, bazuar në kërkesën e tyre, për të siguruar që zgjedhjet të mbahen në përputhje me angazhimet e tyre ndaj OSBE-së dhe me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, tha Beata Martin-Rozumiloëicz, drejtuese e Departamentit të Zgjedhjeve në ODIHR.
“Sipas praktikës së mirë, të pranuar gjerësisht, që ndryshimet në legjislacionin zgjedhor të paraqiten të paktën një vit përpara zgjedhjeve, ODIHR-i është i gatshëm ta ofrojë menjëherë ndihmën e tij”.
Një vizitë e parë e një grupi ekspertësh do të zhvillohet në datat 24-27 janar dhe gjatë saj do të zhvillohen edhe takime me Kryetaren e Kuvendit, komisionin e posaçëm dhe grupin e ekspertëve teknikë të zgjedhjeve, si dhe me përfaqësuesit e partive të vogla politike, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar.
Mbështetja e ODIHR-it pason raportin e përfundimtar të kësaj Zyre për zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011 dhe të opinionit të përbashkët për Kodin Zgjedhor, të publikuar nga ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, në dhjetor 2011. Ndihma ofrohet përmes një projekti të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, me mbështetje financiare të Mbretërisë së Bashkuar.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë