Në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut kanë nisur gërmimet në një lokacion ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë, të zbuluar të martën.

Në terren janë angazhuar ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa në operacion po marrin pjesë edhe zyrtarë policorë të EULEX-it, të cilët po ofrojnë mbështetje të sigurisë gjatë zhvillimit të ekzaminimeve.

Nën masa të rrepta sigurie, ekipi i antropologëve ka hyrë në lokacionin ku po kryhen gërmimet dhe ekzaminimet shkencore.

Në vendin e dyshuar janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje. Ekzistojnë dyshime se këto mbetje mund t’u përkasin 23 intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur më 19 prill 1999.

Bëhet fjalë për atë që njihet si grupi i intelektualëve të Mitrovicës: Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu.

Mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, pas vlerësimit fillestar të ekipit në terren, ka konfirmuar se mbetjet janë njerëzore.

"Krejt çka mund të konfirmojmë është se janë me interes mjeko-ligjor, janë me origjinë njerëzore dhe ditëve në vijim punimet do të vazhdojnë”, tha Haliti.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ndërsa gjyqi kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë vijon, Serbia nuk ka dhënë ende llogari.

"Edhe pas 27 vitesh, ne ende jetojmë me dhimbjen e pritjes dhe shpresën për të mësuar të vërtetën për mijëra qytetarë të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Është e papranueshme që, ndërsa në Hagë po e presim përfundimin e procesit të padrejtë gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Serbia ende nuk ka dhënë llogari për krimet monstruoze të kryera mbi popullsinë tonë dhe vazhdon ta mbajë peng të vërtetën për mijëra të zhdukur”, shkroi Hamza.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituan vendgërmimin.

"Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit të personit të zhdukur”, deklaroi Sveçla. 

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim për identifikimin e viktimave dhe dokumentimin e plotë të rastit.