Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do t’i bashkohen në nëntor platformës TIPS ose sistemit të pagesave të shpejta.
Presidentja e Bankës Qendrore Europiane e dha lajmin në një konferencë për shtyp në Frankfurt teksa përgëzonte Bankën Qendrore të Bosnje e Hercegovinës dhe të Malit të Zi që e vunë në funksion platformën në fillim të javës.
“Pres me padurim një nisje të ngjashme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat pritet t'i bashkohen platformës në nëntor, duke bërë që të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë nismë të jenë pjesë e saj”, tha ajo.
Jashtë kësaj platforme do të mbetet vetëm Serbia.
Me këtë sistem, transfertat e parave do të kryhen në kohë reale brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë. Përfitimet pritet të jenë të shumta, nga ulja e përdorimit të parasë fizike dhe kostove të transaksioneve, deri te rritja e përfshirjes financiare.
Gjithashtu pagesat mund të kryhen përmes kodit QR, alternativë që kushton më pak sesa kartat apo sistemi POS.
Komente








