Koha që SPAK t’i plotësojë dëshirën Lulzim Bashës

Koha që SPAK t’i plotësojë dëshirën Lulzim Bashës

Lulzim Basha

Ka ardhur koha që SPAK t’i plotësojë dëshirën kryeopozitarit Lulzim Basha. Pak kohë më parë Basha zhvilloi një betejë të gjatë politike, kur me guximin e politikanit të parë të një niveli të lartë, ai kërkoi ‘vetting’ për të gjithë kolegët e tij.  Mirëpo propozimi i tij u hodh poshtë nga mazhoranca, madje nuk mori mbështetje as nga faktori ndërkombëtar me arsyetimin se po tentohej të ngrihej një strukturë paralele, e parakohshme, me gjasa jo profesionale, dhe sipas tyre, me qëllim për të dubluar organet e reja të drejtësisë që po ngriheshin në vendin tonë.

Në fakt, përtej dëshirës së parakohshme dhe sinqeritetit për të pastruar politikën nga të korruptuarit, pyetja që ngrihej në atë kohë ishte se cila do të ishte “juria” që Basha kërkonte të ngrinte me urgjencë për të hetuar me objektivitet politikanët që ishin pasuruar, sipas tij, përmes korrupsionit dhe në mënyrë të paligjshme.

Juria e pavarur që kërkonte Basha para pak kohësh është ngritur dhe le ta quajnë si të duan, keq ose mirë,  ajo ka nisur të funksionojë sot duke dhënë rezultatet e para pas plot 30 vitesh.

Dashamir Shehi nuk besohet se ishte i dehur, siç e akuzojnë shpesh sa herë që ai flet publikisht, madje dukej mjaft i sinqertë  kur në një dalje publike nxori xhepat e tij bosh dhe tha se ‘unë nuk kam asgjë për të fshehur nga pasuria ime’. Ka ardhur koha që të gjithë politikanët, majtas dhe djathtas, të tregojnë xhepat siç bëj unë dhe mbyllet kjo punë pa zhurmë, propozoi ai. Fundja ai tha se ashtu si të gjithë shqiptarët e zakonshëm rakinë e pi me miqtë e tij dhe me para që burojnë nga ardhura të ligjshme. Kjo provohet lehtë, burgu për burra është! Mirëpo disa nga të arrestuarit e fundit rezultojnë të jenë gra dhe gjithashtu shuma me fondet publike për të cilën ata akuzohen se kanë shpërdoruar nuk justifikon kërdinë e bërë më parë apo edhe numrin e të arrestuarve. Por nëse ky proces për të ndëshkuar korrupsionin mund të jetë vetëm fillimi, çfarë do të bëhet me tenderat dhe shkeljet e shumta që ndër vite, për afera që shkojnë në dhjetëra dhe qindra miliona euro. Për të realizuar misionin me sukses, SPAK me siguri do t’i kërkojë qeverisë që të marrë me koncesion edhe burgje jashtë vendit.

Do të shkojnë vetë politikanët, apo do të shkojë SPAK tek ata, kjo nuk ka shumë rëndësi tani. Ajo që ka më shumë rëndësi është që procesi i ndëshkimit të jetë sa më i drejtë, i paanshëm,i ekuilibruar dhe i besueshëm për publikun. Me siguri, strukturat e reja të drejtësisë, të ngritura nën vëzhgimin dhe monitorimin e rreptë të ndërkombëtarëve, veprimet dhe radhën e goditjes do t’a realizojnë përmes disa llogarive dhe ekuilibrave politikë. Ndoshta duke e nisur me të vegjlit majtas, pastaj me të vegjlit djathtas, dhe me radhë, duke e finalizuar me të mëdhenjtë, djathtas dhe majtas. Në ndryshim ndëshkimi nuk nis nga lart-poshtë si me procesin “vetting” të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Me arrestimet e fundit nga SPAK të disa prokurorëve, të kryebashkiakut të Lushnjës dhe vartësve të tij si dhe disa funksionarëve të lartë në ministrinë e Brendshme, mesazhi i dhënë është i qartë: të gjithë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë që kanë shpërdoruar fondet publike, janë vënë të gjithë në radhë, siç edhe u realizua procesi “vetting”. Ata nuk mund të ndëshkohet të gjithë në një ditë. Është absurde të besosh se strukturat e posaçme të drejtësisë korrupsionin 30-vjeçar do ta godasin qoftë edhe për një javë, ose një muaj. Të gjithë skeptikët dhe kritikët e Reformës në Drejtësi, duke përfshirë edhe prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar që janë kthyer sot në avoketër, të cilëve me ndëshkimet e fundit pritet t’iu rritet ndjeshëm klientela,  duhet të pyesin veten se pse pandërshkueshmëria nuk pati vend në këtë  vend, për tre dekada. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të tyre goditjet e fundit të SPAK e kanë tronditur në themel klasën politike, këto ditë. Ato kanë nisur nga denoncime sporadike. Bëhet fjalë për shkelje me disa tendera të vitit të fundit.

Ku do të bazohet SPAK dhe si do vazhdojë radha, për goditjen e mëtejshme të korrupsionit?

E para, hetimet e huaja dhe dosjet e përpiluara nga ndërkombëtarët po i  vijnë në ndihmë. Ambasadori Amerikan John  Withers dhe ekipi i tij në Tiranë, kur shpërtheu Gërdeci, iu nënshtrua një hetimi të thellë nga një ekip i specializuar i ardhur nga SHBA.  Në fund të hetimit ambasadori rezultoi se nuk ishte i përfshirë në skandalin e demontimit të armëve. Dosja me siguri do t’i ketë nxjerrë fajtorët. Se cilët janë ata mund t’i dijë vetëm Ambasada Amerikane dhe DASH. Ndoshta sot kjo dosje mund ta jetë përfundimisht në duart e SPAK. Organet e reja të drejtësisë thanë se kjo çështje është hapur sikurse edhe ajo e 21 janarit. Ka edhe dosje të përpiluara nga vendet fqinje dhe ato të BE-së, kryesisht për trafik droge dhe lidhjet e mundshme me politikën. Kur u godit grupi i Habilajve, prokuroria e Katanias kishte katër vjet që i hetonte dhe vetëm pas provave të siguruara, i çoi pas hekurave ata që duheshin dënuar sipas saj, dhe jo ata që kërkonte prokuroria shqiptare pa  pasur asnjë provë dhe pa kryer asnjë ditë hetimi. Për më tepër ky rast tregoi se zyrtarët e lartë nuk mund t’i ndëshkonin dot prokurorë, të cilët i përjashtoi “vetting”-u më vonë. Pra, ka ardhur koha!

Ish-kryeministri Sali Berisha, kur u shpall “non-grata” nga DASH nën akuza të rënda si i përfshirë në afera të mëdha korrupsioni, duke favorizuar veten edhe aleatët, ka nisur me ekipin e tij të “specializuar” të hetimit për të zbuluar armiqtë e brendshëm. Kush e denoncoi Berishën në SHBA? Sipas Berishës është Rama dhe Soros, dhe lobi serb pasi ai kërkoi të mbronte Kosovën, por në daljet e fundit publike, Bujar Nishani dhe Arben Imami, deklaruan se ka qenë Lulzim Basha ai që e ka spiunuar te ndërkombëtarët dhe i bëri gjëmën e parikuperueshme politike liderit historik.

Thuhet se ka aq shumë material dhe dosje në Ambasadën Amerikane, me ose pa prova, saqë klasa politike është bërë po aq edhe qesharake sot, në sytë e ndërkombëtarëve. Duke mos pasur askush besim tek organet e drejtësisë së deridjeshme, denoncimet me prova konkrete në ambasadat e huaja janë bërë nga politikanë brenda llojit, kryesisht online, besohet pas përplasjeve, rivalitetit dhe inateve mes tyre. Shumë denoncime dhe dosje kryesisht i mban ajo Amerikane. Bëhet fjalë për tendera rrugësh që mbetën përgjysmë, ose i mbivlerësuan në shuma marramendëse, për licenca universitetesh dhe hidrocentralesh që u kthyen në piramida, tendera shërbimesh spitalore dhe arsimore, që fluturuan në ajër, leje ndërtimi dhe shfrytëzimi të pronave publike, privatizime skandaloze, deri tek makinat luksoze dhe nafta e shpenzuar, që do t’i shpien në këmbë dhe me dëshirë në qeli shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë.

Dimë që kohë më parë ish-ministri i ndjerë Dritan Prifti dorëzoi në Ambasadën Amerikane veç denoncimeve, edhe përgjime, disa prej të cilave janë bërë publike. Nuk dihet fati i denoncimeve të tij, i denoncimeve të tjera, dhe a u konsideruan me të drejtë të falsifikuara nga drejtësia e asokohe.

Ka pasur edhe denoncime qesharake. Vetëm kohët e fundit, kryebashkiaku Dritan Leli, i është drejtuar dhe i ka kërkuar mbrojtje Ambasadës Amerikane duke i treguar disa mesazhe që e tallnin dhe e kërcënonin. Ai pretendon se është i sulmuar nga njerëz të besuar të qeverisë dhe druhet se mund ta dhunojnë fizikisht në Vlorë, nisur nga disa akuza si për shembull, pse nuk ngritur herët në mëngjes, apo pse nuk po i përmbush detyrat me sukses.

Përpos kësaj, kryeministri Edi Rama, pas arrestimit të kryebashkiakut të Lushnjës paralajmëroi të tijtë se vala e nxehtë ka nisur dhe kush nuk e kupton do të digjet, në vend të përvëlimit. Rama mbështeti publikisht operacionin e SPAK, pa sugjeruar se kush duhet të arrestohet nesër. Gjatë tetë viteve në qeverisje, disa ish-ministra, ministra, kryebashkiakë dhe bashkiakë të PS-së janë akuzuar për afera të mëdha korruptive. Disa dosje janë në SPAK, ashtu si edhe ato të ish-zyrtarëve të PD-së dhe LSI. Por ndryshe nga drejtuesit e opozitës, Rama vijon të jetë në mbështetje të drejtësisë së re dhe tha se do të jetë pro ndaj çdo  goditjeje sado e ashpër qoftë, në të ardhmen. Kreu i qeverisë përveç postit dhe epërsisë politike që ka pas mandatit të tretë vazhdon të ruajë një avantazh të theksuar karshi të ashtuquajturve “peshqit e mëdhenj” në politikë. Përpos mbështetjes publike që ai i ka dhënë dhe po i jep reformimit dhe ngritjes së strukturave të reja të drejtësisë ndryshe nga të gjithë kundërshtarët e tij (nuk mund të thuhet që Presidenti nuk është sot pa pushtet me postin që mban), Rama thjesht po përballet me pretendime dhe akuza absurde për mungesë sinqeriteti. Rama, Basha, Meta, Berisha, të gjithë së bashku, e dinë shumë më mirë se të tjerët se askund në botë nuk ka ndonjë gjykatë që dënon ose i jep ndokujt medalje ari për sinqeritet apo mungesë sinqeriteti.

Nëse ndokush nga politikanët e nivelit të lartë, të mesëm ose të ulët, është sot i alarmuar dhe skeptik nga drejtësia e re, ose e quan të padrejtë që vetëm ai është vënë nën hetim dhe përballë provave, është i lirë ai bashkë me të tjerët si ai që të mbledhin dhe të depozitojnë prova për të tjerët që besojnë se kanë kryer një vepër penale.

Ambasada Amerikane mirëpret jo vetëm prova por edhe denoncime qesharake, kurse Basha siç u tha ka kohë që kërkon me ngulm pastrimin e politikës nga të korruptuarit. Rama po i mbështet. SPAK po pret!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tata: 11/07/2021 15:25

    https://youtube.com/user/irexalbania Ketu gjeta xhevahire ne disa video

    Përgjigju
  • redi: 11/07/2021 14:52

    SPAK u eshte shpresa per ndeshkimin e politikaneve hajdute dhe kriminel qe me mashtrim moren pushtetin jo per prisperitetin e Shqipwrise ,por per pasurimin e tyre dhe klaneve krimnale qe kane rritull.Historia e demokracise shqiptare eshte me dhimshmja dhe paharruar per 100 vjet shtet shqiptar.Nese SPAKu do krhehet ne organ popitik zhgenjimi do te jete shume i madh.Le te shpresojme ne hapat e para

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë